Sela: Qeveria të jep dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi për ikjen e Gruevskit

Maqedonia

Sela: Qeveria të jep dorëheqje dhe të mbajë përgjegjësi për ikjen e Gruevskit

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 14:14
Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, sot në konferencë për shtyp kërkoi dorëheqjen e Qeverisë së Zaevit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sela tha se me ngjarjet e fundit, duke e përmendur edhe arratisjen e Gruevskit, qeveria e ka humbur moralin dhe nuk ka besim për të udhëhequr me shtetin.

“Vazhdon teatri që u servua në opinion javën e kaluar, ndërsa tani vazhdon akti i dytë. Po ndodh ajo që ne e kemi paralajmëruar disa herë si parti, kapja e gjyqësorit nga LSDM sikur e bëri OBRM-PDUKM-ja, për këtë arsye kërkojmë dorëheqjen e qeverisë dhe formim të qeverisë eksprese, e cila do të mundësojë reforma në gjyqësi dhe zbardhje të këtyre skandaleve”.

“Ikja e Gruevskit nuk është e para, por gjithë ata që duhej të përgjigjeshin për vepra kriminale janë në arrati si rasti i Gruevskit dhe i Koçanit. Këto raste ngjasojnë me rastin e 27 prillit, ku gjithashtu me mosveprim u lejua të ndodh ajo që ndodhi këtu në Kuvend. Kërkojmë nga Prokuroria që të hetojë ikjen e Gruevskit, ku dyshojmë se ka edhe aktorë politik. Qeveria e ka humbur moralin për të qeverisur me këtë shtet”, tha mes tjerash Sela.

Ndërsa sa i përket propozimit të Entit për Statistika që regjistrimi i popullsisë të bëhet pa pyetje për përkatësinë etnike dhe fetare, Sela tha se Aleanca për Shqiptarët është kundër këtij propozimi.

Ai tha se ky propozim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe regjistrimi duhet të ketë edhe përkatësinë etnike. Sipas tij, ky propozim godet edhe Marrëveshjen e Ohrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat