“27 prilli”, partitë nuk mbështesin idenë e Zaev për amnisti

Maqedonia

“27 prilli”, partitë nuk mbështesin idenë e Zaev për amnisti

Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 20:04
Foto ilustrim

Ideja e kryeministrit Zoran Zaev për falje dhe pajtim, has në kundërshtim në partinë më të madhe opozitare OBRM-PDUKM, e cila këtë e quan drejtësi selektive. Sipas tyre, Zaev po e shfrytëzon gjyqësorin për të arritur qëllimet e tij, ndryshimin e emrit të shtetit. Në partinë e Mickoskit thonë se për ta i vlefshëm është vetëm ligji për amnisti i cili do t’i përfshinte të gjithë pjesëmarrësit në ngjarjet e 27 prillit, në të kundërtën nuk do të mbështetin asnjë propozim tjetër të Zaev.

“OBRM-PDUKM-ja gjatë gjithë kohës po njofton për pazarin që po bëhet me drejtësinë. Drejtësinë selektive me të cilën Zoran Zaev luan duke e zotuar gjykatën, është mënyra se ai qeverisë duke ushtruar presion dhe terror ndaj politikanëve kundërshtarë. Atë që tani po e thotë Zaev nuk është më ndryshe nga ajo që e tha fillimisht, të cilën më pas e tërhoqi se duke mohuar të ketë përmendur amnisti. Të gjithë këtë e bëri në funksion të votimit të marrëveshjes kapitulluese anti-shtetërore”, theksojnë nga OBRM-PDUKM.

BDI-ja sikurse Zaev si rrugë të vetme të anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike e sheh përmes pajtimit në Kuvend. Pa dashur të komentojë prerazi amnistinë, Artan Grubi thotë se vendimet për pajtim do të merren në Parlament me vullnet politik duke mos ndikuar gjyqësorin.

“Zotri Zaev po flet për një proces të pajtimit. Ai proces nuk nënkupton dhunuesit e as organizatorët e 27 prillit. Nuk po flasim për procese tjera por vetëm për 27 prillin. Ai ishte shumë i qartë që në Kuvend do të niset një procedurë në mënyrë që të mos ndikohet në gjyqësorë por do të bëhet me vendim politik dhe me vetëdije të plotë politike të shumicës parlamentare, të opozitës për të bashkërenduar forcat në mënyrë që të mundësojmë bashkërenditjen e Maqedonisë në NATO dhe BE”, u shpreh Artan Grubi nga Bashkim Demokratik për Integrim.

Aleanca për Shqiptarët është kategorikisht kundër çfarë do lloj amnistie për dhunën në Kuvend. Flakron Bexheti thotë se çdo lloj falje e këtij rasti, mund të shpie deri tek përsëritja e natës së 27 prillit.

“Aleanca për Shqiptarët në mënyrë kategorike e kundërshton idenë e paralajmëruar të faljes tani më që po jep një theks të tjetër të amnistisë së kryeministrit Zaev për ngjarjet e 27 prillit, duke vlerësuar se ky akt godet rëndë mbi sistemin e drejtësisë si dhe lënë hapësirë që një rast i tillë të përsëritet aq më tepër kur në të gjitha raportet e Bashkimit Evropian për Maqedoninë thuhet se përgjegjësit dhe organizatorët e 27 prillit duhet sa më parë të nxirren para drejtësisë”, tha Flakron Bexhetit nga Aleanca për Shqiptarët.

As krahu i Besës, pjesë e Qeverisë nuk ka qëndrim të prerë në lidhje me amnistinë, megjithatë bëjnë me dije se shteti demokratik duhet jetë në proporcion të drejtë me shtetin e së drejtës.

“Parimi politik i jonë është që për të krijuar një shtet të fortë demokratik duhet të ketë edhe shtet të së drejtës, kështu që të gjithë këto aktorët, pavarësisht cilit nacionalitet i takojnë do të duhet të japin llogari për çdo vepër të bërë. Ngjarjet e 27 prillit ishin ngjarje makabre. Amnistia në esencë duhet të jetë amnisti politike, derisa nuk ka kërkesë të tillë zyrtare qëndrimi i Lëvizjes Besa do ta sjellin organet përkatëse, në esencë ne do të mbrojmë qëndrimin se drejtësia duhet të vij deri në fund por më pas do e shohim çmimin e koston e efektit politik”, deklaroi Skender Rexhepi nga Besa e Gashit.

Besa e Kasamit e cila e kundërshton idenë e amnistisë së dhunuesve, thotë se tani është momenti i fundit kur qeveria duhet të heq dorë nga organet e drejtësisë dhe t’i lë ata që të bëjnë punën e tyre.

“Ne si Lëvizja Besa kemi qenë konzistent në qëndrimin tonë, që gjyqësori duhet të jetë i pavarur në vendimet e tyre që duhet drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë, dhe të gjithë të cilët kanë bërë gabime dhe kanë thyer ligjet duhet që të marrin dënimin nga gjykata. Nuk duam që të ketë përzierje në gjyqësorë dhe duam që politika definitivisht ti heq duart nga gjyqësori. Me deklaratën e kryeministrit por edhe të partnerëve tjerë të koalicionit qeverisës, ne e shohim që edhe kjo qeveri vazhdon që ti ketë duart në gjyqësorë duke komentuar kualifikimin e veprës për të cilën ka proces gjyqësorë”, pohoi Kastriot Rexhepi nga Besa e Kasamit.

Për dhunën në Kuvend akuzohen tre nda tetë deputetët e OBRM-së të cilët votuan pro nevojës për ndryshimet kushtetuese, Krsto Mukovski, Sashe Vasilevski dhe Luben Arnaudov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat