Kushtet në shkolla: ‘Ismail Qemajli’ e stërngarkuar me nxënës dhe me mungesë hapsirash

Maqedonia

Kushtet në shkolla: ‘Ismail Qemajli’ e stërngarkuar me nxënës dhe me mungesë hapsirash

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 13:51
Shkolla fillore “Ismail Qemajli”

Shkollat “Imri Elezi” dhe “Petar Zdravkovski-Penko”, nuk janë të vetmet që kanë problem të stërngarkesës së nxënësve. Edhe një rast ku ka shkelje të ligjit, redaksia e Portalbit ka gjetur në shkollën fillore “Ismail Qemajli” në lagjen Fushe Tophanë të Çairit.

Në këtë shkollë pothuajse të gjitha klasat janë shumë afër pragut të numrit të lejuar me ligj për nxënës në klasë, që është 34, kurse disa prej tyre edhe e tejkalojnë këtë numër.

Drejtoresha e kësaj shkolle Burbuqe Ymeri, tha se klasat më të ngarkuara janë ato të klasës së pestë, ku numri i nxënësve në çdo paralele ka tejkaluar atë 34.

“Pothuajse të gjitha klasat janë të stërngarkuara, por problemi më i madhi qëndron me klasat e pesta dhe qëndrimin ditor, të cilat janë deri me nga 39 e 40 nxënës”, tha Ymeri.

Ajo tha se komuna e Çairit është e njohur me këtë situatë që mbisundon në këtë shkollë dhe se i është premtuar zgjidhje.

“Kemi biseduar me komunën dhe janë të njoftuar për kushtet në të cilat ndodhet kjo shkollë dhe na kanë premtuar se do të na ndihmojnë dhe se do jemi prioritet i tyre.  Edhe po të hapen paralele dhe të punësohen mësimdhënës, ne nuk kemi ku i çojmë, kemi mungesë të hapësirës, edhe atë mungesë të madhe. Së paku 7 klasa do të duhet të ndërtohen që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë problemi ynë. Ose të ndërtohet shkollë e re në këtë rajon”, tha Ymeri.

Gjithashtu edhe mësimdhënësit shprehen se është mjaftë e vështirë të punohet me numër kaq të madh të nxënësve në një klasë.

“Normal që është e vështirë, ora është e caktuar dhe nuk ka kohë që të merret mësimdhënësit me të gjithë nxënësit sado që të ketë vullnet dhe dëshirë. Duhet gjetur zgjidhje”, thonë mësimdhënësit.

Po ashtu edhe prindërit kërkojnë objekt të ri shkollor dhe kushtet të mira për arsimimin e fëmijëve të tyre.

“Siç e shihni edhe vetë kjo shkollë ka shumë nxënës, do të ishte mirë që komuna të merrte masa dhe të ndërtonte një shkollë të re dhe të zgjidh njëherë e përgjithmonë këtë problem në këtë shkollë”, thonë prindërit.

Sipas ligjit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, numri minimal i nxënësve në një paralele është 24 dhe maksimal 34, mirëpo paralele mund të formohet edhe me numër më të vogël nëse plotësohen kushtet.

Prindërit kërkojnë që:

Komuna e Çairit të kërkojë ndërtimin e një shkolle të re në këtë lagje

MASH të angazhohet më shumë në ndarjen e paraleleve që tejkalojnë numrin e nxënësve të caktuar me ligj dhe ndërtimin e shkollave ku është e nevojshme

Ministria e Financës të jep pëlqim për zbatim të ligjit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat