Kirby sfidon veten me rolin e nënës së dëshpëruar

Mediale Vip

Kirby sfidon veten me rolin e nënës së dëshpëruar

Më: 8 janar 2021 Në ora: 22:29
Vanessa Kirby

Vanessa Kirby është “tmerruar” nga drama e saj më e fundit. Kishte hulumtuar dhe ishte takuar me gra shtatzëna dhe me ato që kishin abortuar. Ajo madje qëndroi në sallë gjatë një lindjeje, duke shpresuar se do të përgatitej për skenën hyrëse ku shfaqej lindja e foshnjës

Aktorja Vanessa Kirby ka thënë se kishte qenë duke kërkuar rol sfidues që do ta çonte përtej kufijve të saj. Kur e lexoi skenarin e dramës së platformës “Netflix”, "Pieces of a Woman", e kishte ditur se ky rol do ta largonte nga zona e saj e rehatisë.

Kirby e kishte pranuar se ishte tmerruar që do ta luante rolin e Marthës, një nënë e pikëlluar që kishte humbur foshnjën e saj. Personazhi i saj mundohet të mbajë gjallë me martesën e paqëndrueshme dhe presionet e vazhdueshme nga nëna e saj arrogante, që portretizohet nga aktorja Ellen Burstyn.

“E kuptova se njihja disa njerëz që e kishin humbur foshnjën e tyre, por nuk mendoj se e kam kuptuar plotësisht thellësinë e kësaj ngjarjeje dhe gjërat nëpër të cilat kanë kaluar”, ka thënë Kirby.

Kirby kishte hulumtuar dhe ishte takuar me gra shtatzëna dhe me ato që kishin abortuar. Ajo madje qëndroi në sallë gjatë një lindjeje, duke shpresuar se do të përgatitej për skenën hyrëse ku shfaqej lindja e foshnjës.

Regjisori i dramës është Kornel Mundruczo, ndërkaq është shkruar nga bashkëshortja e tij, Kata Weber. Historia është ngjarje e vërtetë nga jeta e tyre. Kirby ka thënë se është përqendruar që ta nderonte historinë e Weberit, poashtu edhe të gjitha gratë që kanë abortuar.

Skena e parë që e kanë xhiruar është ajo e lindjes. Weber ka thënë se vetëm skena e lindjes ka qenë 20 faqe, por krijuesit e filmit kishin lënë aktorët që të enden e të improvizojnë përderisa e xhiruan skenën për 24 minuta rresht.

Por ajo që në fakt e vuri në siklet më së shumti Kirbyn ishte dita kur së bashku me aktoren që është shpërblyer me çmimin “Oscar”, Burstyn, do të grindeshin ashpër në skenë.

“Por atë ditë unë nuk kisha kurrfarë ideje se si skena ishte apo si do të shkonte. Dhe mendoj se ishte pak sikur një rubinet nën presion që ishte lëshuar përnjëherë, ku mund t’i shpërfaqja të gjitha gjërat që unë ndieja gjatë filmimit, që sikurse Martha, nuk kisha mundur t’i shprehja”, ka thënë Kirby.

Burstyn ka thënë se ajo e kishte kuptuar ditën e nesërme që Kirby e kishte përshkruar momentin në sheshxhirim si “momenti që e ka lëshuar veten tërësisht”.

“Një nga gjërat më të mrekullueshme që mund të ndodhin kur jeni duke aktruar ka ndodhur në atë skenë, ku fillon dhe jeni duke e jetësuar, por më pas në një pikë nuk jeni duke aktruar më, jeni vetvetja. Dhe kjo gjë ndodhi gjatë asaj skene”, ka thënë Burstyn.

Filmin "Pieces of a Woman" tani mund ta shikoni në platformën “Netflix”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat