Emi Canaj: Unë vrasësja seksi, si më zbuloi Fatmir Koçi për filmat me mafiozë dhe gangsterë

Mediale Vip

Emi Canaj: Unë vrasësja seksi, si më zbuloi Fatmir Koçi për filmat me mafiozë dhe gangsterë

Më: 10 prill 2018 Në ora: 17:31
Emi Canaj

E specializuar për skenare me aksion dhe vrasje, modelja Emi Canaj luan në filmin e katërt si protagoniste me titull “Balkan Blood”. Filmi i saj i parë titullohej “Pit Stop Mafia”, në kastin e të cilit e zgjodhi regjisori i njohur Fatmir Koçi. Për jetën e saj si aktore filmash me armë ku ajo është gjithmonë kapoja që vret, ish-modelja e zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Pas përfundimit të kursit të aktrimit në Itali, ke luajtur në “Pit Stop Mafia” me regjisor Fatmir Koçin. Si një regjisor inteligjent dhe me nuhatje, çfarë spikati te ty?

Regjisori Fatmir Koci vuri në skenë të gjithë shkollën që unë kam studiuar. Ai në një casting shumë të thjeshtë që u realizua midis shumë aktorëve, spikati tek unë seriozitetin dhe një buzëqeshje brenda syve të mi. Në atë moment më paraqiti rolin dhe unë realisht gjeta veten time. Më pas, ai përshtati rolin edhe pak më shumë me pjesën e karakterit tim, duke qenë edhe femër e ëmbël, edhe një kapo me pushtet.

Tani je pjesë e xhirimeve të filmit të ri “Balkan Blood”. Si ndjehesh nën lëkurën e vrasëses?

Në filmin “Balkan Blood”, unë kam rolin e Tarantulës, një vrasëse gjakftohtë e bosit të madh, e cila zbaton çdo urdhër dhe nuk ka frikë nga askush dhe asgjë. Karakteri i Tarantulës është ai i vajzës 25-vjeçare, bose e bandës së gangsterëve, motra e një personazhi misterioz, Charles, por me prindër të ndryshëm. Ajo ka një trup perfekt, të palestruar, sharmante, gjakftohtë, fjalëpak. Për mua, ky karakter personazhi duket shumë interesant dhe plot surpriza. Një vajzë e bukur, seksi dhe e rrezikshme që di të përdorësh armët.

Me çfarë situatash të rrezikshme përballesh në skenat e filmit?

Gjakftohtësia është tipari kryesor i karakterit tim. Lufta mes shumë gangsterëve e bën më interesante personazhin, ka shumë skena të rrezikshme dhe vrasje të pamëshirshme. Pra, “Tarantula helmuese” gjithmonë është e etur për dhunë dhe gjithmonë sulmon në rrugët e qytetit personat që e kundërshtojnë apo nuk i shlyejnë detyrimet e bizneseve të tyre në qytet.

Në kastin e aktoreve shohim edhe djem simpatikë që i dominon një vajzë si ty. Ke lidhje me ndonjërin prej tyre në skenarin e filmit dhe ç’mund të na zbulosh më shumë?

Të gjithë djemtë në kastin e aktorëve janë simpatikë, por unë jam një femër e pushtetshme që me gjakftohtësinë e saj bën për vete shumë gangsterë. Nëse kam lidhje ose jo këtë do e shohim në film.

Duket se u përshtatesh filmave me aksion e mafie. Po në jetë, je tip që të pëlqen rreziku?

E vërtetë është. Unë jam specializuar për këtë lloji zhanri (aksion dhe aventurë), por dhe në jetën e vërtetë më pëlqen pak jeta me adrenalinë dhe jo monotone. Çdo ditë, për mua, lind dhe perëndon ndryshe.

Nga roli i Kapos, karriera jote u pasua me karaktere të tjera në serialin “Real Detective” si Mia, më pas në “S’ka kthim pas” si shefja e Policisë dhe filmin e katërt që po flasim “Balkan Blood”. Po një rol ku të shfaqje erotikën e femrës joshëse, do të ishte i duhuri?

Edhe pak më lart e përmenda që personazhi i Tarantulës është një femër shumë seksi, tërheqëse, sharmante, por nuk mund të demonstrojë erotikën pasi është një “Merimangë helmuese”, që shfaqet në momentet kur askush nuk e pret.

Jashtë kinemasë, kush është dashuria jote e jetës?

Dashuria ime është Roki, qeni im Pastor Malinois Belg. Jeta ime sentimentale është “single”, pasi i jam dedikuar jashtë mase punës dhe karrierës sime në kinematografi, si dhe vështirë të më bëjë dikush për vete, pasi në të vërtetë jam jashtë mase shumë gjakftohtë, e pavarur ekonomikisht.

Një vajzë e fortë dhe e bukur, si mund të mbetet 100 për qind femër?

Edukata familjare është çelësi i çdo gjëje, çdo njeri sado përshtatet me rolin e tij në jetë apo në shoqëri gjithmonë mbetet karakteri që ai ka formuar në fëmijëri. Edhe pse karakteret e mia janë të fuqishme, mafioze, kapo, apo vrasëse, police, unë gjithmonë brenda vetes time do të mbetem një femër klasike ashtu si prindërit e mi më kanë edukuar dhe më kanë rritur.

Të shohim si aktore pas karrierës si modele, 10 vite më parë. Cilat kanë qenë eksperiencat e tua jashtë vendit në botën e modës?

Gjithçka nisi 12 vjet më parë, duke marrë pjesë në konkurse shkollore. Pastaj, u spikata si modele, më pas, u trajnova nga profesionistë duke sfiluar për stilistët më të mirë në Shqipëri dhe duke marrë pjesë në shumë sfilata mode jashtë Shqipërisë. Mbaj mend shumë mund, shumë lodhje, emocione të veçanta dhe prezantime të bukura të çdo veshjeje që unë mbaja veshur. Dhe në fund, ajo që mua më jepte ngrohtësi ishin vetëm dy gjëra: mbështetja e familjes dhe duartrokitja e publikut.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat