Aleksandër dhe Renis Gjoka: Një rrugëtim i mrekullueshëm që do mbetet gjatë në kujtesën tonë

Mediale Vip

Aleksandër dhe Renis Gjoka: Një rrugëtim i mrekullueshëm që do mbetet gjatë në kujtesën tonë

Më: 20 prill 2018 Në ora: 08:22
Aleksandër dhe Renis Gjoka

Pyetje: Jeni në Finale me Sindin dhe Frensin. A jeni të lumtur që do të jenë këto dy zëra që do të konkurrojnë për çmimin e parë?

Aleksandri: Sigurisht që po. Tashmë Sindi dhe Frensi janë bërë artiste të vërteta dhe janë gati të shkëlqejnë në Finalen e Madhe dhe në çdo skenë ku do të ngjiten.

Renisi: Synimi ynë që në fillim ishte të nxirrnim maksimumin e çdo artisti që kishim në skuadër dhe të punonim fort me ta. Ka qenë ndër të tjera si një kurs i përshpejtuar kantoje.

Për të dy kjo ka qenë eksperienca e parë si trajnerë dhe pjesëmarrës në një spektakët të tillë. Si ka qenë ky rrugëtim për ju?

Renisi: Një rrugëtim i mrekullueshëm që do të mbetet gjatë në memorien tonë. Nuk e mendonim se do të lidheshim kaq shumë me fëmijët e do të emocionoheshim kaq shumë. Jemi përfshirë totalisht gjatë kësaj periudhe.

Të punosh me fëmijët, si ka rezultuar për ju?

Renisi: Kemi qenë me fat pasi kemi punuar në radhë të parë me fëmijë të mrekullueshëm e të çiltër. Puna me ta ka qenë e lehtë pasi kanë qenë gjithashtu shumë të talentuar. Një ekperiencë e paharrueshme.

Aleksandri: Përgjegjësia të punosh me fëmijët është shumë e madhe, por është po aq e madhe kënaqësia kur sheh sesi përmirësohen dita ditës dhe të bëjnë të ndihesh krenar.

Ka patur ndonjë konkurrent për të cilin jeni kthyer dhe nuk u ka zgjedhur, të cilin do të donit shumë ta kishit në skuadër?

Renisi: Ndoshta fillimisht po. Por talentet që kishim në ekip dhe gjithë potenciali që ata treguan në vazhdimësi eklipsuan dëshirat e mëparshme.

Cilat kanë qenë momentet më të vështira dhe më të bukura të ‘The Voice Kids’.

Aleksandri: Momentet më të vështira kanë qenë ato në të cilat na duhet të përballeshim me eliminimet fazë pas faze. Pas një pune të gjatë dhe intensive, ne u lidhëm mjaft me njeri-tjetrin dhe momenti i shkëputjes na linte një boshllëk sa herë që ndodhte. Gjithsesi mund të them me bindje se fëmijët e skuadrës tonë kanë treguar një nivel të lartë në garë, gjë e cila i ka bërë krenarë vetë ata, por sigurisht edhe ne.

Si e parashikoni Finalen?

Renisi: Finalja është e fortë, pasi duhet pranuar që të treja skuadrat kanë zëra të mrekullueshëm. Dëshira jonë parësore do të ishte që Sindi e Frensi të paraqiteshin denjësisht në këtë natë. Të tregonin nivel të lartë e profesionalizëm. Ne kemi punuar shumë dhe jemi të bindur që kjo dëshirë e jona do të realizohet. Që tani kanë filluar emocionet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat