Gratë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas reagojnë për këngën “Gabelica Ime”

Mediale Vip

Gratë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas reagojnë për këngën “Gabelica Ime”

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 15:24
Kastriot Grajqevci

Rrjeti i organizatave të grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (Rrograek), reagon ashpër lidhur me këngën e Kastriot Grajqevcit me titull "Gabelica Ime", e cila ditë më parë është lansuar në tregun muzikor kosovar.

Për "Rrograek", teksti i kësaj kënge, i cili përmban gjuhë fyese, denigruese dhe raciste për komunitetin rom  është i papranueshëm.

"Rrograek", konsideron se e gjithë kjo, është në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe sistemin kushtetues të Kosovës, sipas të cilit të gjithë individët,  kanë të drejtë t’i gëzojnë këto të drejta dhe liri themelore , pa qenë objekt i çfarëdo lloji të diskriminimit, të bazuar në racë, ngjyrë, gjini, gjuhë, fe, opinion politik apo ndonjë opinion tjetër, prejardhje kombëtare apo shoqërore, lidhje me ndonjë komunitet, pronë, prejardhje familjare apo status tjetër.

Për "Rrograek" është e papranueshme që  gratë e komunitetit rom, të etiketohen e fyhen në këtë mënyrë, përmes teksteve të këngëve, në një  kohë kur falë Fondeve të Donatorëve të huaj,  po punohet intenzivisht, për integrimin e komuniteteve jo shumicë  në shoqëri,  për  trajtim të barabartë, pa dallime race, ngjyre e prejardhje.

"Rrograek", po ashtu kërkon që Institucionet e Republikës së Kosovës, të marrin masa të menjëhershme, lidhur me rastin në fjalë dhe se ata të cilët e kanë lansuar  këtë këngë, e cila fyen komunitetin rom,  të kërkojnë falje publike. E po ashtu autorët e tekstit,  ta marrin dënimin e merituar.

Kërkojmë që urgjentisht kënga të largohet nga tregu muzikor, derisa të përmirësohet gjuha fyese e denigruese, ndaj komunitetit romë, e përdorur në këngën me titull "Gabelica Ime".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat