BE-ja mbështet gratë e veja për krijimin e bufeve në shkolla

Mitrovica

BE-ja mbështet gratë e veja për krijimin e bufeve në shkolla

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 17:20
Shkolla fillore ‘Fazli Grajqevci’

Shkolla fillore ‘Fazli Grajqevci’ në Mitrovicë, prej sot është bërë me bufe, si rezultat i një projekti të financuar nga BE-ja “Gratë e veja krijojnë bufe në shkolla”, dhe i implementuar në partneritet me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe IADK-në.

Përveç ushqimit të freskët dhe të zgjedhur, nxënësit e kësaj shkolle do të hanë edhe ushqim të shëndetshëm, të përgatitur nga gratë përfituese të projektit, të cilat kanë kryer trajnimin në përgatitjen e ushqimit nga IADK, u tha mes tjerash në këtë ceremoni.  Ndërsa, u shfaqën edhe pamje për punën e grave gjatë këtij projekti.

Zëvendësministri  i MPMS-së, Hasan Hasani, ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti, i cili përfshinë gratë e veja të katër komunave, përkatësisht Mitrovicës, Skenderajt, Vushtrrisë dhe Drenasit.

Sipas tij, këto bufe duhet të jenë udhërrëfyes i hapjes së bufeve edhe në komunat tjera të vendit.

Hasani: Kjo praktikë të ndiqet edhe nga komunat e tjera

“Pres nga këto bufe që të kenë qëndrueshmëri dhe njëherit të jenë shembull i vetëpunësimit  dhe përkrahëse apo udhërrëfyes i hapjes së bufeve të tjera në shkollat e ndryshme, jo vetëm në këto komuna, por edhe në të gjitha komunat tjera të Kosovës”, ka thënë Hasani.

Sirje Poder, përfaqësuese e BE-së tha se projekti është vendosur edhe në tetë shkolla të tjera.

“Projekti i mbështetë fituesit të cilët kanë qenë të papunësuar por me këtë projekt ata tashmë janë bërë punëtorë të shkollave por ky projekt po ashtu mbështet shkollat… kontribuon vërtetë shumë, sepse nëse nxënësit ushqehen mire, atëherë shkolla do të jep rezultate më të mira. Po ashtu, do të doja të thoja se nuk i mbështet vetëm … ata janë përgjegjës për familjet, për fëmijët  “, tha ajo.

Edhe Safet Kamberi, nënkryetar i komunës së Mitrovicës, u shpreh mirënjohës ndaj BE-së për financimin e këtij projekti.

Ai ka potencuar se komuna e Mitrovicës do të kërkojë forma tjera të financimit, në mënyrë që këto projekte të vazhdojnë.

 Kamberi: Do të kërkojmë forma të tjera të financimit për projekte të tjera

“Në bazë të rekomandimeve që kemi nga shkollat, ky projekt ka qenë i suksesshëm dhe ne jemi shumë të interesuar që të gjejmë mënyra tjera të financimit që këto projekte të vazhdojnë më tutje, sepse në radhë të parë përfitues kanë qenë nxënësit e komunës së Mitrovicës, në veçanti këto shkolla, mirëpo në mënyrë indirekte është prekur edhe interesi i vetë prindërve të këtyre nxënësve”, theksoi Kamberi.

Ndërkaq, Hajrije Zeqiri, njëra nga përfitueset e këtij projekti, ka bërë të ditur se pa mbështetjen e të gjithë pjesëmarrësve në këtë projekt, vështirë se gratë do t’ia dilnin.

Zeqiri: Jemi të lëna anash nga shoqëria

“Ne si gra dhe familjare jemi të lëna pak anash nga shoqëria, por fal institucionit për punësim dhe IADK-së, sidomos disa grave të cilat na ndihmuan shumë gjatë trajnimit, na dhanë përkrahje dhe vetëbesim se ne mund të punojmë dhe mund t’ia dalim. Dhe falë kësaj, filluam të punojmë, pa e kthyer kokën prapa për të dëgjuar çka thonë tjerët”, tha ajo.

Në anën tjetër, Zenel Bunjaku, drejtor i IADK-së, ka përmendur rezultatet e arritura, për të cilat tha se pa ndihmën e të gjithë akterëve pjesëmarrës në këtë project, vështirë se do të arriheshin.

Bunjaku: Ky projekt ka qenë shumë sfidues

“E veçanta e këtij projekti ka qenë bashkëpunimi, hulumtimi dhe koordinimi i punëve në mes të shumë akterëve të këtij projekti, sepse ky projekt ka qenë shumë sfidues për IADK-në për shkak të shumë partnerëve, ku secili ka qenë specifik dhe ka pasur rol të caktuar dhe pa angazhimin  e përkushtimin e të gjithë këtyre akterëve nuk kishim pasur mundësi me i prezantu këto rezultate”, ka thënë Bunjaku.

Ndryshe, ky projekt ka kushtuar gjithsej rreth 314 mijë euro me pjesëmarrje të BE-së prej 95 për qind, ndërsa MPMS dhe IADK kanë participuar  me 5 për qind tjera.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat