Mërgimtari nga Holanda sjell edhe 500 kompjuterë për shkollat e Mitrovicës

Mitrovica

Mërgimtari nga Holanda sjell edhe 500 kompjuterë për shkollat e Mitrovicës

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 18:08
Veprimtari nga Mitrovica Fitim Ismajli, gjatë takimit me kryetarin Agim Bahtiri

Veprimtari nga Mitrovica, me qëndrim në Holandë, Fitim Ismajli, drejtor Shkollës Norderpoort nga Groningeni i Holandës, ka siguruar edhe 500 kompjuterë për shkollat e komunës së Mitrovicës, të cilët, sipas një njoftimi për media të Komunës së Mitrovicës, do të arrijnë para vitit të ri.

“Bamirësi Ismajli edhe më parë ka sjell nga Holanda donacione të shumta me vlerë prej dhjetëra mijëra euro, sikur ishte ai i para një viti, kur këtu dhuroi për shkollat e komunës 300 laptopë”, thuhet në njoftim.

Të hënën, veprimtari Ismajli është pritur nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë për Arsim, Pajazit Hajzeri, të cilët i ka njoftuar me aktivitetin që ai zhvillon në qytetin Groningen, ku edhe është drejtor i shkollës së lartpërmendur.

Ai tha se nxënësit mësimdhënësit dhe drejtuesit tjerë të shkollës janë fare mirë të njohur me situatën e vështirë në shkollat e Mitrovicës, andaj edhe janë treguar shumë të interesuar që të ndihmojnë për përmirësimin e këtyre kushteve.

“Kolegët e punës dhe nxënësit me prindërit e tyre tashmë janë mësuar se unë interesohem për donacione të këtilla për Mitrovicën, prandaj edhe vet më ndihmojnë në këtë drejtim. Vlera aktuale e kompjuterëve që janë pak të përdorur në Holandë kap shumën prej mbi 80.000 euro”, tha ai.

Sjelljen e kompjuterëve në Mitrovicë e kanë ndihmuar djemtë e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, të cilët kanë siguruar mjetet për transport të kompjuterëve në shumë prej mbi 2.000 euro.

Ismajli tha në vazhdim se është shumë i lumtur që kompjuterët do të arrin në Mitrovicë së shpejti, pasi që komuna ka siguruar të gjithë dokumentacionin përkatës për hyrjen e tyre në Kosovë. 
Ai me këtë rast falënderoi shumë djemtë e kryetarit të komunës Agim Bahtiri, të cilët jetojnë në Holandë,. Për sigurimin e transportit, për të cilët tha se ia kanë lehtësuar mjaft punën.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoi Ismajlin për donacionin e dhuruar dhe për ndihmën e vazhdueshme që po i jep shkollës shqipe në komunë, tha se donacioni është shumë i rëndësishëm për modernizimin e shkollave të komunës dhe për përmirësimin e kushteve për mësim./BS/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat