Mitrovicë: Situatë e qetë dhe nën kontroll të autoriteteve të rendit

Mitrovica

Mitrovicë: Situatë e qetë dhe nën kontroll të autoriteteve të rendit

Më: 27 mars 2018 Në ora: 15:20
Mitrovicë

Pas ngjarjeve dhe zhvillimeve të ditës së djeshme si pasojë e arrestimit të të ashtuquajturit drejtor për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë ditës së sotme në veri të qytetit të Mitrovicës po mbretëron gjendje e qetë.

Banorët shqiptarë të asaj pjese, por edhe autoritetet e rendit, duke folur për KP, kanë përshkruar gjendjen e përgjithshme si të qetë dhe nën kontroll.

Besiana, banore e veriut të Mitrovicës, tha se situata është më e qetë se sa ditëve tjera.

“Sot është situatë më se e qetë, më e qetë se çdo ditë që dalim në shkollë me fëmijë. Do thyerje do sende i pash që s’më ka ra me i pa herave tjera, s’po di tjetër send”, tha ajo.

Edhe Sefedin Rama, qytetar, gjendjen e përgjithshme e ka përshkruar të qetë.

“Sot është situate më e qetë, më e sigurt, qarkullimi bëhet disi, por nuk është keq. E mirë është situata” ka thënë Rama.

Në anën tjetër, Besim Hoti, zëvendës drejtor i policisë për rajonin e veriut, ka bërë të ditur se nuk ka pasur incidente të cilat meritojnë vëmendje të shtuar për opinionin dhe për angazhime shtesë të policisë.

Sipas tij, përkundër zhvillimeve me tension mjaft të lartë gjatë ditës së djeshme, situata është e qetë.

Ai ka falënderuar qytetarët pa dallim për veprimet e tyre të matura, duke bërë që të ruhet qetësia dhe situate të mos eskalojë.

“Është me rëndësi të ceket se nuk kemi pasur incidente të karakterit të tillë që vërtetë do të kërkonin vëmendje të shtuar të opinionit edhe të angazhimeve shtesë të policisë së Kosovës. Në këtë aspekt ne i falënderojmë edhe vetë qytetarët me të cilët kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm gjatë gjithë ditës së djeshme, normalisht që vazhdojmë të jemi dhe kjo është pika më e rëndësishme për ne si institucion i sigurisë. Prandaj themi se kemi pasur një situatë të qetë përkundër zhvillimeve me tension mjaft të lartë gjatë ditës së djeshme”, theksoi Hoti.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat