Qyteti i Mitrovicës sot ishte nikoqire e manifestimit mbarëkombëtar ‘Festa e Abetares’ të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ku përveç pjesëmarrësve nga qytetet e ndryshme të Kosovës, të pranishëm ishin edhe fëmijët nga Shqipëria dhe Lugina e Preshevës.
Zëvendësministri i MASHT-it, Heset Sahiti, tha se kjo është një festë jo vetëm e fëmijëve që sot e përmbyllin me sukses mësimin e shkronjave, dhe jo vetëm e mësuesve që kurorëzojnë punën e tyre një vjeçare me këta nxënës, por është festë edhe për prindërit që i gëzohen përfitimit të shkathtësisë jetike të fëmijëve të tyre, siç është shkrim-leximi.
Sahiti: Është një festë për të gjithë ne
“Është një festë për të gjithë ne, si shtet dhe si komb, sepse një gjeneratë e tërë po e fillon udhëtimin e tyre shtigjeve të dijes. Përgëzime për këta fëmijë që sot dinë të shkruajnë e të lexojnë, përgëzime për mësimdhënësit dhe prindërit e tyre dhe gëzim për MASHT-in dhe Republikën e Kosovës, sepse po përgatitim brezin e ri që do të zhvillojë dhe ndërtoj të ardhmen tonë të përbashkët dhe të ndritur”, ka thënë Sahiti.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka quajtur ‘Festën e Abetares’ si festën më të dashur, ngase, siç tha ai, fëmijët janë dashuria, e sotmja dhe e ardhmja e Kosovës.
Bahtiri: Nxënësit tonë po hynë në një kapitull të ri të jetës
“Sot nga kjo festë e madhe, nxënësit tonë po hynë në një kapitull të ri të jetës së tyre në universin e madh të dijes, në botën e madhe të librit dhe shkencës”, theksoi Bahtiri.
Përfaqësuesi nga Shqipëria, Petrit Zeneli, e ka quajtur arritjen më të madhe në fushën e arsimit dhe në të gjitha trevat shqiptare, modifikimin e abetares.
Zeneli: Ka arritje të mëdha në fushën e arsimit
“Në fushën e arsimit qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ka arritje të mëdha, dhe një ndër arritjet më të mëdha në fushën e arsimit ku ka troje shqiptare është modifikimi i Abetares shkronjë për shkronjë”, tha Zeneli.
Ndërkaq, përfaqësuesi nga Lugina e Preshevës, Mentor Nuriu, ka potencuar se fëmijët janë ata të cilët me dijet e tyre motivojnë mësuesit për misionin e tyre që bëjnë.
Nuriu: Na motivon profesioni i mësuesit
“Ju fëmijë, fatosa, të cilët i përfunduat këto shkronja të arta që do t’ju shërbejnë gjatë gjithë jetës për t’ju orientuar dhe ngritur nivelet e dijeve tuaja, neve mësuesve na motivon edhe më shumë misioni i të qenit mësues”, tha ai.
Ndryshe, para të pranishmëve të këtij manifestimi fëmijët shfaqën një program me poezi për shkronjat dhe poezi tjera, këngë dhe të ngjashme.