Edhe Mitrovica përfshihet në “Projektin Socio”

Mitrovica

Edhe Mitrovica përfshihet në “Projektin Socio”

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 10:58
Mitrovicë

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Ekrem Sadiku, kanë pritur në një takim Artan Gota, koordinator në Projektin “Stabiliteti socio-ekonomik i komuniteteve pakicë dhe shumicë në Kosovë”, i njohur edhe si “Projekti-Socio”, që është një nismë e financuar nga “Engagement Global”, në emër të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim–BMZ. Projekti është duke u implementuar nga Fondacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik-PREDA Plus Kosovë, në partneritet me Arbeiter Samariter Bund-ASB.

Koordinatori Artan Gota, tha se projekti ka për qëllim krijimin e vendeve të punës dhe mundësive të gjenerimit të  ardhurave, fuqizimin e  kapaciteteve të shoqatave bujqësore dhe atyre të biznesit  në dy segmente si dhe  krijimin e mundësive për zhvillimin e komunitetit.

“Ne fillimisht  do të përzgjedhim 60 persona për trajnim, ku do të realizohen shkrimet e projekt propozimeve dhe nga këta persona vetëm 40 do të përzgjidhen si përfitues të grantit. Vlera e një projekti të një granti do të jetë 2500 euro, me bashkëfinancim 25 për qind nga përfituesi”, tha Artan Gota.

 Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, pasi falënderoj  të pranishmit për përfshirjen e Mitrovicës në projekt, tha se komuna e Mitrovicës në krye më kryetarin Bahtiri, është e përkushtuar  në zhvillimin e bizneseve  private dhe krijimin e kushteve  për zhvillimin ekonomik.

“Ne jemi shumë të interesuar të bashkëpunojmë dhe tu ofrojmë kushte  sa më të mira, duke filluar nga infrastruktura,  personave të cilët dëshirojnë të zhvillojnë bizneset e tyre. Kjo nismë e juaja është shumë e rëndësishme dhe komuna e mbështet fuqishëm, ne jemi të gatshëm që të kryejmë me kohë të gjitha obligimet tona që ndërlidhen me projektin”, tha ndër të tjera nënkryetari Mujka.

Në fjalën e tij drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillimi Ekonomik, Ekrem Sadiku, u shpreh të jetë i kënaqur për këtë ofertë bashkëpunimi nga  Qeveria Gjermane për Kosovën. Ai tha se Mitrovica ka një buxhet që nuk mjafton për investime kapitale, andaj edhe e mirëpret ofertën dhe është i sigurt se bashkëpunimi do të jetë i suksesshëm.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat