Çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër nuk duhet të ndërlidhet me procesin negociator

Mitrovica

Çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër nuk duhet të ndërlidhet me procesin negociator

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 18:10
Agim Bahtiri dhe Zahir Tanin

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur shefin e UNMIK-ut për Kosovë, Zahir Tanin, i cili ishte i shoqëruar nga zëvendës shefi i UNMIK-ut, Robert Pulver, shefi i Zyrës Rajonale të UNMIK-ut për Mitrovicën, Danilo Rosales Diaz dhe bashkëpunëtorë të tjerë, me të cilët ka biseduar për situatën dhe zhvillimet aktuale në vend.

Shefi i UNMIK-ut Tanin, pasi e falenderoi kryetarin Bahtiri për bashkëpunim të suksesshëm e korrekt dhe pasi e përgëzoi për punën e mirë që po bën, tha se është i interesuar të njihet me situatën dhe me zhvillimet aktuale në Mitrovicë, me theks të posaçëm për situatën lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër, me qëllim që të shihen se cilat janë mundësitë dhe rrugët për zgjidhjen e kësaj çështje dhe për të ecur përpara.

Kryetari Bahtiri fillimisht falënderoi delegacionin e UNMIK-ut për interesimin e tyre për Mitrovicën dhe për bashkëpunimin e deritashëm të suksesshëm. Ai u tha mysafirëve se që nga ardhja në krye të komunës së Mitrovicës para pesë vitesh, ka punuar me përkushtim të madh dhe angazhim të pandërprerë për të stabilizuar gjendjen e përgjithshme në Mitrovicë, duke qenë i vetëdijshëm se pa stabilitet dhe qetësi nuk ka zhvillim ekonomik, pasi investitorët nuk investojnë aty ku nuk ka paqe dhe siguri.

“Falë këtij angazhimi, por para së gjithash, falë angazhimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike, kemi arritur që Mitrovicën ta bëjmë një qytet stabil dhe ndër më të sigurtit në vend. Kjo shihet edhe nga rënia e madhe e të gjitha incidenteve e posaçërisht të atyre ndëretnike, ku gjatë 5 viteve të fundit janë shënuar vetëm rreth tetë incidente ndëretnike serioze”, tha ai.

Sa i përket situatës lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër, kryetari Bahtiri u tha mysafirëve se në vitin 2014, në Bruksel, kanë filluar negociatat për hapjen e urës për lëvizje dhe qarkullim të lirë të njerëzve dhe të automjeteve.

Ai në vazhdim tha se gjatë bisedave janë mbështetur pothuajse të gjitha kërkesat e palës serbe që kishin të bëjnë me hapjen e urës, ndërkohë që Bashkësia Evropiane financoi një projekt për rivitalizimin e urës, në mënyrë që më pas ajo të jetë e lirë për lëvizje dhe qarkullim të njerëzve dhe automjeteve, projekt ky që ka përfunduar në tërësi dhe ura tani është e gatshme për përurim.

“Fatkeqësisht është pala serbe ajo që po e pengon përurimin e urës, edhe përkundër interesimit dhe kërkesës së qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike dhe të të dyja komunave që ajo të hapet sa më parë. Kjo është e papranueshme dhe nuk do të duhet të ndodhë”, tha kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri u tha përfaqësuesve të UNMIK-ut se Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të tolerojë më sjelljet e këtilla të kryetarit të komunës veriore Goran Rakiq, pasi që nuk ka as më të voglin arsye që ai të nxjerrë pengesa.

“Unë jam i përkushtuar dhe i vendosur që hapjen e urës ta bëjmë me marrëveshje dhe në bashkëpunim me kryetarin e komunës veriore Goran Rakiq, sepse kjo është mënyra më e mirë dhe më e duhura për zgjidhjen e kësaj çështje, e cila është në interes vital të të gjithë qytetarëve. Por, nëse do të vazhdojë akoma sjellja refuzuese e kryetarit Rakiq dhe mos reagimi i ndërkombëtarëve, atëherë organet e Republikës së Kosovës duhet të funksionojnë dhe të kryejnë detyrën e tyre për hapjen e urës. Çështja e hapjes së urës nuk bën dhe nuk guxon në asnjë mënyrë të ndërlidhet me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ndër të tjera kryetari ai.

Ndërsa sa i përket zhvillimeve në vend dhe dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, kryetari Bahtiri tha se është e papranueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj që të bisedohet për ndryshimin apo shkëmbimin e territoreve.

Shefi i UNMIK-ut Zahir Tanin, tha se bashkësia ndërkombëtare natyrisht se është e interesuar për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy palëve dhe se marrëveshjet e arritura deri tash duhet të zbatohen nga të gjithë dhe në tërësi.

Image
commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat