‘Turp është që ta heshtim dhunën, ta mbrojmë dhe mos ta raportojmë’

Mitrovica

‘Turp është që ta heshtim dhunën, ta mbrojmë dhe mos ta raportojmë’

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 14:46
Policia e Kosovës ka vazhduar sot në Mitrovicë me aktivitete të ndryshme fushatën “Dhuna nuk arsyetohet”

Policia e Kosovës ka vazhduar sot në Mitrovicë me aktivitete të ndryshme fushatën “Dhuna nuk arsyetohet”, që për qëllim ka parandalimin, vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin për dhunën në familje.

Drejtoresha e Policisë për rajonin e Mitrovicës  Afërdita Mikullovci, tha se dhuna në familje dhe në shoqëri është mjaft e komplikuar, e ndjeshme dhe shumë e dëmshme.

Sipas saj,  është turp që dhuna të heshtet, të mbrohet dhe të mos raportohet.

Ajo ka kërkuar nga qytetarët reforma dhe qasje krejtësisht tjetër nga e kaluara sa i përket kësaj çështje.

Mikullovci: Kërkoj nga qytetarët reforma dhe një qasje krejtësisht tjetër nga e kaluara

“Dhuna në familje , në shoqëri, është mjaft e komplikuar, është e ndjeshme dhe shumë e dëmshme. Fatkeqësia e krejt kësaj është se kryhet prapa dyerve të mbyllura, mbetet pa u raportuar, pa u adresuar dhe pa u trajtuar në mënyrë transparente dhe më profesionale të mundshme... Turp është që ta heshtim, turp është që ta mbrojmë një dhunë, mos ta raportojmë dhe turp është t’i fshehim plagët tona... Kërkojmë nga ju që të bashkëpunoni me të gjitha institucionet relevante të cilat e luftojnë këtë dukuri...që dhunën të cilën jeni duke parë çdo ditë...mos ta aplikoni, por ta dënoni... Unë kërkoj nga ju reforma, një qasje krejtësisht tjetër nga e kaluara”, ka thënë Mikullovci.

Ndërkaq, Shyqyri Syla, kryeprokuror për rajonin e Mitrovicës, theksoi se dhuna në familje është një dukuri shqetësuese për faktin se është në rritje dhe ka përfshirë pothuajse  çdo pore të jetës.

Ai duke përmendur shifra, tha se vetëm gjatë muajit shtator Prokuroria e Mitrovicës ka pranuar 70 lëndë që kanë të bëjnë me këtë problematikë.

Syla: Secila prokurori ka caktuar nga një koordinator për rastet e dhunës në familje

“Dhuna në familje është një dukuri shqetësuese për faktin se ka përfshirë çdo pore të jetës dhe është në rritje e sipër. Vetëm muajin e kaluar ne si prokurori kemi pranuar 70 lëndë brenda një muaji, flas për regjionin e Mitrovicës që përfshinë komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dy Mitrovicat, Vushtrri dhe Skenderaj, që është një numër shumë i madh. Mu për këtë arsye Ministria e Drejtësisë së bashku me zyrën e kryeprokurorit të shtetit kanë bërë një strategji në luftimin e këtyre dukurive negative. Secila prokurori ka caktuar nga një koordinator për rastet e dhunës në familje me qëllim që të jetë gjithmonë e njoftuar me rastet që ndodhin, kryesit e tyre dhe me veprimet që duhet ndërmarr”, sqaroi Syla.

Ndryshe, në këtë fushatë e cila u mbështet edhe nga OSBE-ja, u shfaqën aktivitete të ndryshme nga nxënësit, pati poezi e pika muzikore, u shpërndanë broshura, e po ashtu u organizuan edhe aktivitete tjera nga Policia. /A. Damati/

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat