Reagojnë të mbijetuarit e masakrës së tregut: Të njëjtit që gjuajtën granatën në Sarajevë, e bënë edhe në Mitrovicë

Mitrovica

Reagojnë të mbijetuarit e masakrës së tregut: Të njëjtit që gjuajtën granatën në Sarajevë, e bënë edhe në Mitrovicë

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 15:06
Të mbijetuarit e masakrës së tregut

Vetëm pak ditë para fillimit të bombardimit të forcave të NATO-s mbi Serbinë, forcat kriminale serbe hodhën një granatë në tregun e gjelbër në qendër të qytetit të Mitrovicës të mbushur përplot me njerëz, me ç’rast patën gjetur vdekjen 6 shqiptarë, ndërsa ishin plagosur rëndë mbi 128 të tjerë.

Për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj konsiderohet rasti më i dhimbshëm që kishte ndodhur deri atëherë.

Tani gati njëzet vjet më pas, shkrimet në disa mediume serbe gjoja kanë zbuluar autorët e kësaj ngjarje tragjike duke akuzuar vetë shqiptarët se kanë kryer një akt të tillë, ndërsa nuk kanë kursyer as emra politikanësh të lartë vendorë.

Sipas këtyre shkrimeve të mediumeve serbe, këtë e kanë dëshmuar edhe shumë shqiptarë që ishin pjesë e kësaj masakre dhe që tani janë të gjallë.

Të mbijetuarit e kësaj masakre, kanë mohuar kategorikisht këto shkrime, duke vlerësuar se bëhet fjalë për skenarë çfarë dinë të përgatisin vetëm qarqet serbe.

Azem Beqiri nga Mitrovica, njëri nga ata që i shpëtoi vdekjes së kësaj tragjedie, ka potencuar se granatën e kanë hedhur serbët, derisa shkrimet e mediave serbe për kinse autorët shqiptarë i quajti propagandë.

Beqiri: Nuk vjen në shprehje se këtë e kanë bërë shqiptarët

“Jam edhe unë njëri nga të lënduarit e ngjarjes së tregut në Mitrovicë… Jam në dorë i plagosur në katër vende. Jam i plagosur edhe në shpinë, si pasojë e granatës të cilën e kanë hedhur serbët…Pasojat i vuaj sot e atë ditë. Jam invalid i luftës. Nuk e kam bërrylin e djathtë fare, këtë dorë nuk mundem me drejtu dhe as me krrylu më shumë… Kryeparlamentari i Kosovës, kjo është rrenë e kulluar. Nuk vjen në shprehje se këtë e kanë bërë shqiptarët tonë, këtë e kanë bërë veç forcat serbe…Këtë popull, këtë UÇK,  Kadri Vesel dhe të tjera që po i përmendin mediat serbe, këto janë veç propagandë e Serbisë. Kadri Veseli nuk e hodhi bombën në Sarajevë, sepse e njëjta gjë ka ndodhur edhe atje…Ky është skenar i Serbisë”, ka thënë Beqiri.

Sabedin Uka, po ashtu njëri nga të mbijetuarit e masakrës, tha se granata atë ditë është hedhur nga ushtria serbe me skenar të ngjashëm si në Bosnjë.

Sipas tij, autorët janë të njëjtë dhe për këtë s’ka asnjë dyshim.

Uka: Granatën e ka hedhur e njëjta ushtri që hodhi në Merkale të Sarajevës

“Jam i plagosur në të dyja këmbët. Këmbën e majtë e kam të amputuar, në të djathtën e kam një plagë shumë të madhe. Pasojat i vuaj edhe sot, sepse kam vështirësi në ecje dhe në çdo gjë…Njeriu po qeshka edhe prej zorit, kjo s’ka logjikë. Granatën e ka hedhur ushtria serbe, e njëjta ushtri e cila e ka hedhur granatën edhe në Merkale të Sarajevës, aktorët janë të njëjtë…Skenari është i njëjtë, pikë dyshimi s’ka”, theksoi Uka.

Edhe Fazli Latifi nga fshati Dedi e Mitrovicës, ka bërë të ditur se masakra e Mitrovicës është e ngjashme me atë të Bosnjës dhe se autorë janë forcat serbe.

Image

Latifi: Kadri Veseli s’ka qenë në Bosnjë, kush e hodhi granatën atje

“Veç kam dëgjuar krismën dhe kam rënë përtokë. Kam parë gjak dhe këmba e djathtë më është shpuar anë e përtej nga plumbi. Nuk kam mundur të zgjohem vet, më kanë ndihmuar Halil dhe Lulëzim Sylejmani…Pasojat i vuaj edhe sot. Kam dhimbje sidomos kur ndryshon moti…Nuk besoj se kjo është kryer nga Kadri Veseli, kjo është bërë nga okupatori serb qysh ka bërë në të gjitha territoret e ish Jugosllavisë. I njëjti rast ka qenë edhe në tregun e Bosnës, Kadri Veseli në Bosnë s’ka qenë”, u shpreh Latifi.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat