Mbahet konferenca ‘Ballkani në kontekstin evropian dhe global’

Mitrovica

Mbahet konferenca ‘Ballkani në kontekstin evropian dhe global’

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 14:53
Konferenca ‘Ballkani në kontekstin evropian dhe global’

Më shumë se 250 pjesëmarrës nga 18 shtete të ndryshme të botës do të prezantojnë gjatë dy ditëve më shumë se 160 punime në konferencën ndërkombëtare me temën "Vazhdimësia historike, Ballkani në kontekstin evropian dhe global", që po mbahet në Kampusin e ri të Universitetit “Isa Boletini”, në Mitrovicë.

Koordinatori i kësaj konference, Besim Gollopeni, njëherësh profesor në Universitetin ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë, si dhe president i Shoqatës sociologjike shqiptare në Tiranë, ka bërë të ditur për KosovaPress se konferenca ka shumë tema të ndryshme që i përkasin shkencave sociale, politike dhe humane në përgjithësi.

Gollopeni: Konferenca, urë lidhëse mes dy vendeve

“Konferenca ka një mori temash të ndryshme që variojnë nga shkencat sociale, politike, humane në përgjithësi… Çdo konferencë ka specifikat e veta kyçe. Elementi i parë, është urë lidhëse mes dy vendeve, komuniteteve, në aspektin akademik, shkëmbimin e përvojave dhe njohurive të reja ndërmjet akademikëve dhe profesionistëve”, ka thënë Gollopeni.

Akademiku Servet Pëllumbi, drejtor i Institutit shqiptar të sociologjisë, tha se në këtë konferencë ka shumë kumtesa me interes që po mbahen nëpër sesione dhe të cilat janë pritur me interesim të madh nga të pranishmit.

Pëllumbi: Do të ketë kumtesë për diplomacinë e Skënderbeut

“Tema e kësaj është lidhur me vitin e Skënderbeut dhe me kontributet e dhëna në vite për çështjen kombëtare shqiptare. Ka kumtesa me mjaft interesante… është kumtesa e diplomatit Sabri Kiçmari, që ka të bëjë pikërisht për diplomacinë e Skënderbeut. Me shumë interes po pritet nga dëgjuesit…Ka tema tjera po ashtu me shumë interes dhe kontribut në mendimin sociologjik shqiptar, në mendimin shkencor shqiptar”, theksoi Pëllumbi.

Ndryshe, kjo konferencë u organizua nga Universiteti “Isa Boletini”, në Mitrovicë, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Mosisiu” nga Durrësi dhe Kolegjin “AAB” në Prishtinë, ndërsa u mbështet edhe nga Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë, Asociacioni Ndërkombëtar i Sociologjisë, Shoqata Sociologjike Shqiptare dhe nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat