Një aplikacion që jep diagnozën për pacientët

Mjekësi alternative

Një aplikacion që jep diagnozën për pacientët

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 23:38
Ilustrim

Robotët mund të bëjnë shumë gjëra që bëjnë njerëzit, por… a munden ata t’u zënë vendin mjekëve? Një kompani në Londër për inteligjencën artificiale thotë se robotët mund të diagnostikojnë pacientët, njësoj siç bën një mjek. Megjithatë, disa mjekë thonë se nuk mund të zëvendësohet niveli i shërbimit që jepet nga njerëzit.

Duke përdorur Alexa-n, asistentin zanor të kompanisë Amazon, një program kompjuterik i krijuar nga firma Babylon Health mund të interpretojë simptomat dhe ta informojë personin për problemin shëndetësor, pasi i drejton një sërë pyetjesh.

“Ajo çfarë po mundohemi të bëjmë me Babylon-in është që të mundësojmë shërbim shëndetësor për të gjithë njerëzit kudo që ndodhen”, thotë Ali Parsa, themelues i programit “Babylon”.

Gjatë një aktiviteti në Londër, themeluesi i programit, Dr. Ali Parsa, thotë se aplikacioni nuk synon të zëvendësojë mjekët e përgjithshëm, por mund të lehtësojë punën e tyre.

“Kemi mungesa në shërbimin parësor në SHBA dhe ka vështirësi edhe në punësimin e mjekëve të rinj të përgjithshëm. Ata punojnë në klinika të ndryshme dhe shikojnë se gjysma e punës është burokraci letrash”, thotë Doktoreshë Megan Mahoney, shefe e shërbimit parësor në Universitetin Stanford.

Por, megjithë avantazhet e tij, Kamila Hawthorne thotë se programi nuk do të zëvendësojë kurrë nivelin e kujdesit shëndetësor që ofrohet nga njerëzit.

“Programi ka të bëjë me njohuritë, por nuk ka të bëjë me aftësitë klinike, me kujdesin ndaj pacientit, me njohjen nga afër të pacientit, të familjes së tij, komunitetit dhe zonës ku jeton, apo llojit të profesionit që ushtron. Këto aspekte kanë shumë rëndësi për pacientët”, thotë Kamila Hawthorne, zëvendës dekane e Kolegjit Mbretëror të Mjekësisë së Përgjithshme.

Por, nga zyrat në Londër të kompanisë “Babylon Health”, Dr. Moshaber Butt thotë se teknologjia rrit saktësinë.

“Pasi kemi krahasuar rezultatet e punës me mjekët e përgjithshëm gjatë situatave më të zakonshme, vumë re se saktësia e inteligjencës artificiale shkon deri në 96%. Për më shumë, ndërsa aplikacioni do të vazhdojë të mësojë, niveli i saktësisë do të vazhdojë të rritet”, thotë Dr. Moshaber Butt, drejtor mjekësor në kompaninë “Babylon Health”.

Që nga viti 2016, firma “Babylon” bashkëpunon me qeverinë e Ruandas për të ofruar kujdes mjekësor nëpërmjet celularëve për gati 2 milionë pacientë të regjistruar nga zona të largëta rurale. Dr. Hawthorne thotë se në rrethana të tilla, inteligjenca artificiale ofron mundësi të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat