Smartfonët - ‘Thembra e Akilit’ për terroristët

Mobile

Smartfonët - ‘Thembra e Akilit’ për terroristët

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 09:23
Foto ilustrim

Nga dërgimi i SMS-ve për të shpërthyer bomba shumë të fuqishme, smartfonët janë përdorur nga terroristët e të gjithë botës, duke i bërë më të efektshëm, por gjithashtu edhe më të cenueshëm.

Në çdo shkallë të evolucionit të tyre teknologjik, gjatë viteve të fundit, telefonat inteligjentë kanë krijuar për xhihadistët mundësi veprimi, por duke i mundësuar gjithashtu shërbimeve antiterroriste që t’i zbulojnë, t’i përgjojnë apo, në rast se kapen, të përparojnë hetimin e tyre.

“Smartfoni erdhi në kontekstin e internetit, që revolucionarizoi gjithçka”, thotë një ish-punonjës i shërbimeve franceze kundër terrorizmit.

“Duke filluar në vitin 2003, bombat artizanale janë aktivizuar në distancë duke dërguar një SMS kur kalonin automjetet amerikane. Kjo teknikë u zhvillua edhe më shumë nga Al Khaeda”, tregon ai.

“Smartfonët kanë krijuar gjithashtu mundësinë për të përhapur, që nga xhepi, gjithë propagandën. Para 30 vitesh, ato përhapeshin me kaseta video, më pas me CD-Rom, tani ka mjete informatike në internet, në dispozicion në çdo çast. Ka GPS, mund të regjistrosh atentatet, të bësh foto e të tjera”, thekson ky ish-punonjës i shërbimeve antiterrorizëm.

Atentati në Paris nga xhihadistët që bënë një masakër në sallën parisiane të Bataklanit nuk do të kishte qenë e mundur pa përdorimin e telefonave inteligjentë.

Madje përhapja e aplikacioneve me mesazhe të koduar të tipit “Telegram”, “Wire” apo “WhatsApp”, për të cituar vetëm më të njohurat, i mundëson organizatave terroriste të komunikojnë duke anashkaluar mbikëqyrjen e policëve dhe të shërbimeve sekrete, ose duke hapur probleme serioze për deshifrimin e tyre.

Ana tjetër e medaljes

Por, medalja ka një anë tjetër: smartfoni është, përveç se një mjet me shumë funksione, një informator i frikshëm.

“Lufta e Francës në Mali në vitin 2013 filloi me një seri intensive bombardimesh. Të gjithë telefonat, me valë GSM apo satelitorë, që ishin kapur nga shërbimet sekrete, u goditën”, kujton ky veteran i luftës kundër terrorizmit.

“Sot të gjitha sulmet ajrore shënjestrojnë zonat ku ndodhen pajisje telefonike. Ata kanë numrin e tyre, ndonëse ndryshojnë vazhdimisht kartën SIM, telefoni ka identitetin e tij që pasi zbulohet mund të ndiqet”, shtoi ai.

Në një hetim antiterrorist, si në gjithë të tjerët, smartfonët e të dyshuarve “flasin” shpesh herë para njeriut dhe i mundësojnë hetuesve të bëjnë lidhjet, të gjejnë rrjetet, apo të zbulojnë celula të fjetura.

“Smartfoni të ekspozon. Për pasojë, krerët e xhihadistëve kanë mësuar të veprojnë pa ata. Prej shumë vitesh, janë rikthyer emisarët njerëz”, përfundon veterani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat