Ermal Meta dhe Fabrizio Moro qëndrojnë në garë

Muzikë

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro qëndrojnë në garë

Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 15:39
Ermal Meta dhe Fabrizio Moro

Këngëtari i njohur shqiptar Ermal Meta dhe ai italian Fabrizio Moro do të qëndrojnë në garë për të fituar çmimin e edicionit të 68-të të Festivalit më të madh të muzikës italiane Sanremo 2018.

“Pas vlerësimeve të bëra, Rai beson se kënga e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro nuk duhet të përjashtohet nga konkurrenca, pasi ajo përputhet me kërkesat e reja të rregullores”, bëri të ditur Rai .

Kënga e Metës dhe Moro “‘Non mi avete fatto niente’ përmban fragmente nga kënga” Silenzio “(paraqitur në Sanremo Giovani në vitin 2016) në një të tretën e kohëzgjatjes, prandaj fakti që kënga tashmë ka qenë e përdorur nuk ndikon në risinë e këngës në garë “, shpjegon departamenti ligjor i RAI në një deklaratë të lexuar në zyrën e shtypit .

Sipas deklaratës, gjithashtu për më tepër, nga analiza e thellë u konstatua se të dy pjesët kanë skica, kohëzgjatje, tekste dhe melodi të ndryshme. Shuma e ekstrakteve nuk kalon një minutë dhe tre sekonda në një kohëzgjatje totale prej 3 minutash dhe 24 sekondash, pra më pak se një e treta.

“Përfundimi është se të dy këngët, megjithëse paraqesin analogji, nuk janë e njëjta këngë. ‘Non mi avete fatto niente’ është këngë e re dhe qëndron në garë”, thuhet në deklaratë.

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro rrezikuan eliminimin nga Festivali Sanremo, pasi problemi ishte refreni i këngës, e cila është shumë e ngjashme me një këngë të paraqitur në Sanremo Giovani në 2016. Ata u pezulluan dhe nuk u ngjitën mbrëmjen e djeshme në skenën e Sanremos.

Për të tretin vit radhazi kantautori shqiptar Ermal Meta u ngjit në skenën e teatrit Ariston, por kësaj here në një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro. Kënga e tyre me titull “Non mi avete fatto niente”, përcjell një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

“Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët.

Ata po udhëheqin bastet si të preferuarit për fitoren  përfundimtare të Festivalit më të madh të muzikës italiane.

Në mbrëmjen e dytë të Festivalit të Sanremos ishte i ftuar Pippo Baudo dhe dy të ftuar ndërkombëtarë, Sting dhe Shaggy. Në skenën e Ariston debutuan të Rinjtë (4 nga 8) dhe interpretuan 10 artistë të mëdhenj në garë. Sipas renditjes së votave nga zyra e shtypit kryesonin Diodato dhe Roy Paci, Ornella Vanoni me Bungaro dhe Pacifico, Ron.

I ftuari i dytë italian ishte Biaggio Antonacci, i cili me drejtorin artistik Claudio Baglioni këndoi një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij, “Mille giorni di te e di me”. I ftuari tjetër ishte edhe Roberto Vecchioni që këndoi “Samarcanda”./Atsh

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat