?Festivali DAM në bashkëpunim me "West Coast Symphony Orchestra" (Vankuver, Kanada), në nderim të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka shpallur edicionin e parë të garës “10 minuta në instrument solo në 2018” që do të mbahet në fund të këtij muaji në Prishtinë, përkatësisht në datat 29 dhe 28 mars, si pjesë e turneut ballkanik të "West Coast Symphony Orchestra".
Gara është e hapur për violistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët janë 26-vjeçar dhe më të rinj, deri në datën e mbajtjes së audicionit. Gara ka vetëm një çmim dhe përfshin një violë të vlefshme, të dhuruar nga "West Coast Symphony Orchestra", dhe një çmim, i cili ndahet nga Festivali DAM dhe i cili do të lajmërohet së shpejti.
Juria e garës përbëhet nga:
Paul McEwen - President i WCSO (Kanada)
Barbara Irschick - violiste (Kanada)
Bruce Irschick - violist (Kanada)
Mark Jackson - violist (Kanada)
Çmimi i ndarë është vendim i jurisë, është final dhe i pakontestueshëm. Çdo lidhje e drejtpërdrejtë, kontakt personal në mes të anëtarëve të jurisë dhe garuesve është e ndaluar derisa këta të fundit janë të përfshirë në vlerësim.
Raundi i parë: deri më 16 mars 2018
Garuesit do të interpretojnë vepra që përmbushin kriteret e mëposhtme, secila video e incizuar duhet të jetë e pashkëputur dhe duhet dërguar në: [email protected].
Garuesit duhet të dërgojnë së bashku me incizimet e tyre edhe këto shënime:
Emri, mbiemri, data e lindjes, vendi i lindjes, shtetësia, edukimi, adresa, numri i telefonit, email adresa, emri i vepër së interpretuar dhe një fotografi portret.
Të gjithë violistët e interesuar duhet dërguar incizimin e një prej veprave të mëposhtme:
1) një kohë nga suita për violonçel nga J.S.Bach ose Sonata për violinë ose Partita nga J.S.Bach, e transkriptuar për violë;
ose
2) një vepër, e cila shpërfaq aftësitë virtuoze të pjesëmarrësit.
Kohëzgjatja është e limituar deri në 10 minuta.
Rundi i dytë - 28 mars 2018
Garuesit e suksesshëm, të cilët do ta kalojnë garën me sukses, do të ftohen për audicion, i cili do të mbahet në Prishtinë më 28.03.2018 në Sallën e Fakultetit të Arteve - Dega e Muzikës në Prishtinë.
Fituesi do të lajmërohet më 29.03.2018 në orën 20:00 në ceremoninë e hapjes së Festivalit të 13-të Ndërkombëtar të Muzikës – DAM, i cili do të mbahet në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë.