El Salvador, lirohet pas 15 viteve burg sepse abortoi

Ndryshe

El Salvador, lirohet pas 15 viteve burg sepse abortoi

Më: 14 mars 2018 Në ora: 11:56
Maira Verónica Figueroa Marroquín

Një 34-vjeçare nga El Salvadori është lënë e lirë, pasi kaloi 15 vite në burg për shkak të një aborti.

Maira Verónica Figueroa Marroquín u lirua, pasi dënimi i saj me 30 vite burg për vrasje në rrethana rënduese u reduktua.

Aborti është i ndaluar në çdo rrethanë në El Salvador, një vend me shumicë katolike romane. Figueroa është shpallur gjithnjë e pafajshme. Ajo tha se kishte pasur një lindje të parakohshme në një shtëpi ku ajo punonte si shërbëtore, në vitin 2003. Ishte dërguar në spital dhe më pas ishte arrestuar dhe dënuar për abort.

El Salvadori është një nga të paktat vende në botë, ku abortet janë krejtësisht të ndaluar dhe ka dënime të rënda për to. Dënimi është në fakt deri në 8 vite burg, por në shumë raste, në të cilat fetusi apo i sapolinduri humb jetën, akuza ndryshon në “vrasje në rrethana rënduese”, që dënohet deri në 30 vite burg.

Megjithatë, El Salvadori nuk është i vetmi në Amerikën Latine që e ndalon totalisht abortin. Ai është veçanërisht i rreptë në mënyrën sesi trajtohet ai. Mjekët duhet të informojnë autoritetet, nëse mendojnë se një grua është përpjekur t’i japë fund shtatzënisë së saj.

Nëse ata nuk i raportojnë këto raste, edhe vet mjekët mund të përballen me dënime të gjata me burg. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se kjo rezulton në kriminalizim të shtatzënive të këqija dhe emergjencave mjekësore, me më shumë se 100 të dënuar për krime të lidhura me abortin në vend, që nga viti 2000.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat