Një ofshamë lehtësimi!

Opinione

Një ofshamë lehtësimi!

Dush Gashi Nga Dush Gashi Më 13 dhjetor 2020 Në ora: 17:46
Kongresi amerikan

1.

Gati kishim harruar të na ndodhin gjëra të mira, si komb e si vend. Por, edhe kur qëllon të ndodhë diçka e tillë, mund edhe të mos na gjejë këtu.

Kështu mund të thuhet pas seancës së javës së kaluar në Kongresin amerikan - kur për politikën e ardhshme të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ndër tjerë, u pyet edhe askush tjetër pos zonjës Madeleine Albright - që pothuaj se kaloi gati pa u vërejtur nga liderët tanë. Media po ashtu u mjaftua vetëm me raportime, ndërsa analistët, rëndom të zhurmshëm edhe për tema koti - si për shembull për gjykatën e Hagës, në vend që të merren me atë se çfarë situate krijohet pas fillimit të punë së gjykatës së Hagës - thuaja se nuk u dëgjuan fare.

Së paku gjatë nja dy a tri viteve të kaluara, ne po jetonim në shqetësim të përhershëm për mundësinë e ndarjes së Kosovës, ndërsa edhe për shumë vite më parë nga pasojat shkatërruese të qeverive të korruptuara, ndikimeve nga Serbia, Rusia, Turqia, islamizmi, pastaj për shkak të shtetit të kapur nga partitë tona, nga Lista serbe që d.m.th. drejtpërdrejt nga Vuçiqi dhe me frikën mos, duke i lëshuar pe vazhdimisht Serbisë - po mbesim një kreaturë gjysmështetërore, me sovranitet të kufizuar.

Për këtë që ndodhi në Kongres, e që është paralajmërim i fortë se për evitimin e kësaj gjendjeje në të ardhmen do ta kemi fuqishëm në krahë Amerikën, liderët tanë nuk lëshuan së paku ndonjë ofshamë lehtësimi!

2.

Për dallim prej nesh, serbët e kuptuan se po ndodhte diçka që - siç e shkruajnë shpesh gazetat tona edhe pa ndonjë shkak të mjaftueshëm - e dridhë Serbinë. Në të vërtetë, e dridhë regjimin e Aleksandar Vuçiqit, me të gjitha strukturat e tij kriminale, të paprekura që nga koha e Millosheviqit, ndërsa për Serbinë duhet të jetë gjë e mirë. Serbia mund të ballfaqohet me vetveten vetëm pasi regjimit të saj t'i hiqet mundësia ta manipulojë popullin e saj me temën e Kosovës.

Vuçiqi u përpoq të duket i matur në reagimin e tij. "Serbia duhet të ketë kujdes, sepse këta janë njerëz të rëndësishëm në ShBA dhe në mënyrë të përgjegjshme dhe mënyrë serioze duhet të përgjigjet", tha ai. Por, nga ana tjetër e ndezi "industrinë e urrejtjes", siç i quajnë tabloidët e kontrolluar prej tij, t'i quajnë "plane skëterrore" qëndrimet amerikane për "t'ua rrëmbyer" Kosovën, t'i shtyjë të heqin dorë nga Republika Serbe dhe t'i ndajnë nga Rusia e Kina.

Shtypi beogradas përpiqet ta paraqesë këtë si ndikim të lobit shqiptar, sikur shqiptarët, për të cilit rregullisht krijohet imazhi se janë "përplot para", i kanë blerë zyrtarët amerikanë, e jo se ky është qëndrim parimor i tyre. Këtë përceptim të tyre vetëm sa e forcoi njëfarë Orhan Dragash, drejtori i Institutit ndërkombëtar të sigurisë në Beograd, i cili në një letër drejtuar, shih ti, Joseph Bidenit, sigurisht në marrëveshje me kreun e Serbisë për të "matur puslin", sikur përpiqet t'i ofrojë diçka më shumë se shqiptarët. "Në historinë tonë të përbashkët 140-vjeçare, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë aleatë të fortë dhe krah njëra-tjetrës në luftëra", dhe se tash "dy vendet tona janë të gatshme për të forcuar aleancën", "pas një periudhe konfrontimi gjatë dy dekadave të fundit", i bën lajka ai presidentit të zgjedhur të ShBA-së.

Vuçiq megjithatë tregoi se nuk do të lëshojë pe deri sa të mos jetë i detyruar ("do të vazhdojmë të bëjmë politikën tonë"), por edhe se e mban shpresa se ndoshta "administrata e re do të ketë qëndrim e politikë ndryshe nga ajo që u paraqit në Kongres".

Për fatin e keq të tij, duhet thënë se rekomandimet nga Komiteti për punë të jashtme i Dhomës së përfaqësuesve për politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor, faktikisht janë vetëm formalizim i politikës të cilën "trans-atlantisti i konfirmuar", presidenti i zgjedhur Biden e ka paralajmëruar qysh gjatë fushatës zgjedhore. Sepse, synimet janë shumë më të mëdha se sa mund të shihet nga perspektiva e zvarranikëve të Ballkanit: është fjala për strategjinë e agjendës së re transatlantike të marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së e Evropës, si marrëdhënie më e fuqishme dhe më e rëndësishme ndërmjet fuqive nga të dy anët e Atlantikut. Ato, siç është thënë këto ditë, kanë të përbashkëta vlerat kyçe të demokracisë dhe vlerat e pushtetit të ligjit në çastin kur këto vlera vëhen në pyetje nga ana e vendeve të treta, para së gjithash nga Kina. Por, kjo nuk mund të arrihet, deri sa Ballkani Perëndimor të jetë derë e hapur prej nga vijnë ndikimet e Kinës e të Rusisë. Prandaj p- siç e tha Ivan Vejvoda, nga Instituti vjenez për shkenca humane dhe, si rëndom, i informuar mirë - bisedimet mbi normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë e Kosovës e kanë vendin e parë në agjendë kur është fjala për angazhimin euro-amerikan në regjion.

3.

Është më së e qartë se liderët tanë nuk i përjetojnë vuajtjet tona. Paradoksalisht, shpesh atyre më shumë u përshtatet një Serbi e këtillë çfarë është, për të na shitur populizëm në stilin "fort Daçiqit iu ka ngërmua", për ta krcënuar se "mund të arrijmë deri te molla e kuqe", apo me farsa të tilla si arrestimi para do vitesh i Marko Gjuriqit, sigurisht me pajtimin e Thaçit e Vuçiqit për nevoja të tyre politike - se sa një Serbi me të cilën i shikon punët e saj. Apo, siç mund të ndodhë këto ditë, që për shkak të bisedimeve me Serbinë, në vend të zgjedhjeve të reja, të pritura prej shumë kujt, të arnohet një koalicion më i qëndrueshëm qeveritar.

Heshtja e tyre rreth këtyre zhvillimeve i zhvesh sa të rrejshme janë deklaratat e tyre se, duke mëtuar postin e kryetarit të vendit, se "janë të gatshëm të marrin përgjegjësi", apo se po përpiqen që këtë post ta marrë dikush që "përfaqëson unitetin e popullit". Dhe, mbase mirë e kanë. Zyrtarët amerikanë tashmë e kanë identifikuar se problemi më i madh i shtetit të Ballkanit Perëndimor, pra edhe i Kosovës, është korrupsioni dhe shteti i kapur. Me gjasë, instikti po ua thotë se duhet të përpiqen me mish e me shpirt "me e shty 'i ditë m'anej" në politikë.

Analistë të ndryshëm kanë theksuar se me Joe Bidenin në Shtëpinë e bardhë do ta kenë zor të mbijetojnë politikisht populistët kudo në Evropë. Sigurisht se kjo i pret edhe ta të Ballkanit Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat