Mësimi online në shkollat e Kosovës, jo-efektiv

Opinione

Mësimi online në shkollat e Kosovës, jo-efektiv

Nga: Genc Mekaj Më: 12 janar 2021 Në ora: 18:01
Genc Mekaj

Pandemia (Covid-19) e cila ka përfshirë botën ka sjell me vete sfida të ndryshme për mbarë njerëzimin. Dëme dhe ngecje të mëdha në dimensione jetësore kanë pësuar të gjitha shtetet, me theks shtetet e vogla dhe ato të varfra ku në mesin e tyre radhitet edhe Republika e Kosovës. Zhvillimi dhe përhapja në mënyrë zingjirore e kësaj pandemie në fusha dhe dimensione të ndryshme, padyshim që ndikimin e saj e ka shtrirë edhe në fushën e arsimit. Ndikimi i pandemisë ka bërë që të ndërrojnë kursit e zhvillimit të procesit mësimor në mënyrën dhe efektin adekuat. Një sërë ndryshimesh kanë ndodhur me zhvillimin e procesit mësimor duke bërë si ; shkurtimin e orëve, ndërrimin e grupeve, ndryshimet e të shpjeguarit dhe qasjen e metodave komplet ndryshe, pastaj ndryshimet e skenarëve në vartësi nga nevoja e shumë zhvillim ndryshimeve tjera, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe rrënjësore tek cilësia në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Qeveria ka zbatuar vendime për shkurtimin e gjysmë vjetoreve (semestrave) si dhe për ndryshimin e datave të fillimit të këtyre të fundit. Por, të gjitha këto kanë ndikuar në cilësinë dhe efektivitetin e mësimnxënies. MASHT (Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë) e ka cilësuar si të suksesshëm zhvillimin e procesit mësimor, duke e quajtur si të mbarë, mbase duhet thënë se kjo fatkeqësisht nuk mund të jetë realiteti i trumbetuar nga MASHT. Ky vit shkollor mund të konsiderohet thjeshtë si i humbur dhe pa efekte. Mësimi online nuk është treguar efektiv po ashtu nxënësit kanë pasur probleme dhe ngecje, gjithashtu vazhdojnë të kenë ende problem në mësimnxënie.

Mësimi online në Kosovë nuk është treguar efikas as me rezultate duke pasur parasysh që ndikojnë një numër i madh faktorësh të ndryshëm si p.sh ata ( social, financiar, mungesa e pajisjeve adekuate, problemet teknike, shkalla e vetëdijesimit kolektiv, serioziteti, profesionalizmi etj). Kështu, mbas gjithë këtyre fakteve që cekëm vështirë është të realizohet kjo mënyrë në vendin tonë. Kur e dimë se realizimi i mësimit online kërkon investime më të mëdha, plotësimin e kushteve elementare, përkushtim të madh profesional dhe institucional. Gjithashtu nga njëra anë rol kyç luan edhe përgatitja adekuate profesionale e mësimdhënësve me qëllim të realizimit të kësaj mënyre të të mësuarit. Ndërsa nga ana tjetër, rëndësi të madhe ka vetëdijesimi i përgjithshëm i komunitetit duke përfshirë mësimdhënësit, nxënësit si dhe prindërit, duke kuptuar në mënyrë serioze dhe të drejtë rëndësinë e mësimnxënies nëpërmjet kësaj metode e cila është mënyrë e re tek ne si dhe vështirë e aplikueshme në mënyrë të drejtë dhe të suksesshme.

Mësimi online, mësimi në largësi nuk ka treguar efikasitet këtë e dëshmojnë mësuesit, nxënësit si dhe prindërit. Dallimi është mjaft i madh në mes të mësuarit online si dhe të mësuarit me prezencë fizike. Mungesa e fokusimit, ngecje në të kuptuarit drejtë asaj çka shpjegohet si dhe një sërë problemesh të tjera kanë përcjell nxënësit gjatë zhvillimit të mësimit online. Në fillim shumë nxënës kanë qenë me entuziazëm në përcjelljen e mësimit online, ndërsa më vonë atyre u ka kaluar në monotoni, si shkak i kësaj shumë nxënës nuk e kanë përcjell mësimin me rregull duke vazhduar në rënie nga entuziazmi i ditëve të para. Këto zhvillime kanë ndikuar në humbje të mëdha në mësimnxënie tek nxënësit.

Duke u bazuar në atë që shtjelluam më lartë mund të nxjerrim si përfundim, të aludojmë dhe themi se pasojat do të jenë të pariparueshme, afatgjate dhe dëmet do të jenë të mëdha si rezultat i jo-efektivitetit të mësimit online. Ministria duhet të ketë kujdes në kalkulimet e mëtejme, nëse bazohemi në rezultatin e fundit të nxënësve në PISA lehtë mund të gjejë dhe paramendoj secili rezultatin e ardhshëm duke u bazuar në zhvillimin e mësimit online që ka ndodhur gjatë periudhës së fundit.

MASHT dhe në përgjithësi shteti i Kosovës duhet të i kushtojë vëmendje të madhe kësaj çështje të ndjeshme e cila do të ketë pasoja. MASHT duhet të veproj me një strategji të qartë dhe konkrete në lidhje me zhvillimin e mësimit online. Janë disa opsione të cilat mund të përdoren nga MASHT me qëllim të rikuperimit të ngecjeve që kanë ndodhur si pasojë e mësimit online. Në mendojmë se 3 mënyra janë që mund të përdoren në këtë rast. 1). Anulimi i pushimeve verore, me qëllim të zëvendësimit të orëve të humbura. 2). Zëvendësimi i këtyre orëve gjatë të shtunave në  fundjavë . 3). Zgjatja e orëve gjatë orarit të rregullt ditor. Nëse një ditë janë 4 orë të bëhen 5 apo 6 dhe këto dy të fundit të jenë orë zëvendësuese të atyre që janë humbur.

Të gjitha këto mënyra për tu aplikuar janë me kosto, përgjegjësi dhe barrë për nxënësit dhe mësuesit por, janë mënyrat dhe metodat të cilat medoemos duhet të zbatohen, me qëllim të rikuperimit dhe zënies se hapit nga ana e nxënësve dhe sistemit arsimor në përgjithësi në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat