Njohja e Kosovës nga Izraeli nuk është thjesht një akt diplomatik

Opinione

Njohja e Kosovës nga Izraeli nuk është thjesht një akt diplomatik

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 1 shkurt 2021 Në ora: 17:37
Avdullah Hoti dhe Philip Kosnett

Sot ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Melisa Haradinaj dhe homologu i saj i Izraelit, Gabi Ashkenazi, nënshkruan marrëveshjen e njohes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve në rang ambasadash. Ambasada e Republikës së Kosovës, sipas marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2019, do të vendoset në Jersalem dhe jo në Tel Aviv. Marrëveshja parashikon gjithashtu angazhimin e Kosovës që organizatën e Hazbullahut ta shpallë si organizatë terroriste dhe të kthejë pasuritë e qytetarëve hebrej të kohës së Luftës së Dytë Botërore, qytetarë të cilët nuk jetojnë sot në Kosovë ose ishin viktimë e holokaustit hitlerian.

Ka shqiptarë, të cilët nuk pajtohen veçmas me faktin që ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem. Një veprim të tillë diplomatik e kundërshton edhe Bashkimi Europian. Por shteti i Kosovës ndodhet para një veçorie të pa precedentë. Shtrëngimi dhe obstruksioni që i bën atij Serbia dhe Rusia, si dhe aleatët e tyre, e detyrojnë Kosovën të bëjë lëshime të favorshme për pozicionin e saj gjeopolitik. Lëshimi që ambasada të vendoset në Jerusalem nuk është në kundërshtim me interesin e Kosovës, edhe nëse nuk i sjell asaj ndonjë dobi specifike. Ndaj dhe vendimi i tillë është plotësisht i arsyeshëm dhe në pajtim të plotë me interesat e shqiptarëve në Ballkan. Po ashtu shpallja e Hezbollahut si organizatë terroriste nga ana e Kosovës shkon jo vetëm në adresë të interesave izraelite, por edhe të interesave amerikane e europiane. Ndërkaq Kosova synon të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut dhe Bashkimit Europian.

Por le të kthehemi te impakti i kësaj njohjeje. Njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael forcon pozicionin e Kosovës në raport me shtetet aleate saj të saj, si SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Austria dhe Franca. Forcimi i këtyre lidhjeve rrit shanset që Kosova të integrohet më shpejt në BE dhe sidomos në NATO. Edhe pse BE e kundërshton vendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem, në plan afatmesëm do të vlerësohet fakti i njohjes dhe do të venitet rëndësia e asaj se ku është vendosur kjo ambasadë. Por unë shoh një shans historik në përpjekjet e Kosovës për t'u anëtarësuar në NATO, sepse me aktin e njohjes nga Izraeli rritet mbështetja amerikane. Ndërsa lobi i fuqishëm izraelit në Kongres dhe politikën amerikane merr një rol të ri në mbështetjen e Kosovës në rrugën euroatlantike.

Nënshkrimi i marrëveshjes në fjalë ditën e sotme do të nxitë pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian, përkatësisht Greqinë, Sllovakinë, Spanjën, Rumaninë dhe Qipron që ta njohin shtetin e Kosovës. Aktualisht Greqia ka marrëdhënie shumë të mira me Izraelin. Për pasojë edhe Qipro. Prandaj pritet që presioni izraelit dhe nevoja e Athinës për forcimin e lidhjeve të saj me lobin izraelit në SHBA të përshpejtojë njohjen e Kosovës nga ana e qeverisë greke. Disa sinjale janë dhënë në këtë drejtim. Duhet të presim disa javë ose pak muaj dhe situata do të ndryshojë balancën. Me njohjen nga Greqia, Kosova do të përfitojë edhe njohjen e Nikozisë, sepse të dyja këto janë në ndërvartësi me njëra-tjetrën.

Por edhe Spanja, Rumania dhe Sllovakia nuk do të mund të rezistojnë pas kësaj. Megjithatë Spanja do t'a njihte Kosovën menjëherë pas njohjes diplomatike të saj nga Selia e Shenjtë e Vatikanit. Nëse besojmë se çelësi i angazhimit europian dhe amerikan për Kosovën është Papati, atëherë duhet të mendojmë se si do të shfrytëzohet njohja e Izraelit për të nxit Vatikanin në këtë drejtim. Mos harrojmë faktin se në angazhimin e SHBA-së dhe NATO-s për bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës prej saj rol të rëndësishëm kishte Papa Gjon Pavli II. Kjo falë diplomacisë dhe politikës së miqësisë së Ibrahim Rugovës me Papa Vojtilën.

Nëse autoritetet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë do të angazhohen fort në lobim në Vatikan dhe te aktorët që ndikojnë Papatin, atëherë duhet besuar fort se kjo njohje nga ana e Selisë së Shenjtë do të vijë. Në këtë aspekt kanë shumë rol Kisha Katolike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë si, si dhe autoritetet e larta të kësaj kishe. Duhet ditur se edhe në vitin 1919 rol kryesor për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe njohjen përfundimtare të shtetit shqiptar luajtën përfaqësuesit e Kishës Katolike në Shqipëri të prirë nga Luigj Bumçi dhe Patër Gjergj Fishta! Ata ishin avokatët kryesorë të Shqipërisë në Konferencën e Parisit. Ajo eksperiencë e atëhershme duhet të bëhet modeli i intervenimit për njohjen përfundimtare të shtetit të Kosovës.

Në gjith këtë aksion diplomatik e politik vendosja e marrëdhëniëve diplomatike dhe njohja nga Izraeli ndihmon mjaftueshëm për të qenë të suksesshëm. Thjesht duhet vu në veprim truri, duhet krijuar një konsensus kombëtar i qëndrueshëm dhe i pandikueshëm nga interferencat serbe. Duhet vullnet dhe pak investim financiar! Asgjë më shumë se kaq. Rrethanat ndërkombëtare janë të favorshme. Prandaj nuk ka më pse të ankohemi në stilin e Hashimit e Batonit se "Çka të bëjmë, Serbia nuk po na njeh dhe ne nuk jemi në situatën që mund të fitojmë atë që na takon"! Paradokse të tilla vijnë vetëm kur institucionet e Kosovës e të Shqipërisë i drejtojnë dhe manipulojnë njerëzit e papërgjegjshëm, në rastin më të mirë, ose njerëzit që i shërbejnë interesave serbe në Ballkan, në rastin më të keq!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat