Ndaj Beogradit nuk duhet bërë asnjë lëshim

Opinione

Ndaj Beogradit nuk duhet bërë asnjë lëshim

Nga: Muhamet Kelmendi Më: 10 prill 2021 Në ora: 16:14
Muhamet Kelmendi

Raportet shqiptaro-serbe janë të ngarkuara me dhunë dhe me terror të egër serbomadh. Gjenocidi e ka përcjellë çdo herë politikën serbe në drejtime të serbizimit në territore shqiptare.

Me këta gjenocidian është vështirë të arrihet paqja e qëndrueshme, mirëpo dialogim duhet të bëhet!

Në kuadër të Qeverisë Kurti nuk mendoj se do të ndërtohet ndonjë platformë dhe e njëjta do të diskutohet dhe do të aprovohet në Kuvend.

VV ka kohë që ka thënë dy parime në raport me shtetin kriminal serb.

E para, është reciprociteti si parim i njohur në raportet e shteteve dhe e dyta, është vet Kushtetuta, ku bazë për dialog u paraqit nga z. Kurti, tash Kryeministër dhe nga z. Vjosa, tash Presidente, për dialogim me shtetin serb.

Nëse edhe më tej janë këto dy baza mbi të cilat mbështetet dialogu nuk ka fare dyshim se mund të ndodhë ndonjë e papritur në raport me shtetin serb.

Kuptohet se faktori vendimmarrës, si UE dhe SHBA-të kanë marrë iniciativë dhe dëshirojnë që konfliktit të vjetër shqiptaro- serb, ti japin fund. Këtej është edhe letra drejtuar nga Uashingtoni, z. Kurti.

Se si dhe qysh?

Çështja shqiptare nuk zgjidhet me njohjen e shtetit të Kosovës dhe ku brenda kemi një shtet serb, siç quhet asociacioni i komunave serbe.

Jo.

Kjo e shkatërron tërësisht shtetin e Kosovës, vendit dhe popullit shqiptar i duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Shqiptarët nuk mund të pranojnë asociacionin serb, ndërsa po ky shtet, shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk u njeh asnjë të drejtë nacionale dhe shoqërore.

Në këtë kontest nuk mund të pranohet kurrsesi që Mitrovica, Ujmani dhe Trepça të ndahen me shtetin serb, kjo është barazi në vdekje.

Shqiptarët nuk kanë fare interes në pjesën e territorit rreth Leposaviqit, që në vitin 1959 iu bashkua Kosovës dhe nga ky vend (Kosova) u morën Presheva, Bujanovci dhe Medvegja dhe iu dhanë Serbisë.

Tash si Medvegja, po serbizohet edhe Mitrovica e Veriut. Mbi 12 mijë shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë dhe tokat e tyre në vitet 2000/2001 nën kontrollin e ushtrisë franceze. Këta duhet të kthehen në shtetin dhe në tokat e veta. Kjo është detyrë e Prishtinës dhe e faktorit ndërkombëtar, pasi serbizimit duhet dhënë fund.

I theksova këto për të qartësuar pozitën që duhet ta kemi në raport me shtetin serb. Serbia po synon ndarjen e Kosovës me asociacion, me pushtet juridik dhe ekzekutiv. Ky përkushtim nuk dërgon në zgjidhjen e raporteve shqiptaro-serbe.

Përkundrazi! Me atë programohen konfliktet dhe luftërat janë të paevitueshme.

Raportet shërohen vetëm nëse shteti serb kupton dhe pranon, si dhe e dënon të kaluarën kriminale kundruall shqiptarëve. E në këtë anë duhet të heqin dorë nga hapësira shqiptare dhe të kthehen në fqinjësi të mirë me shqiptarët.

Është e tepërt dhe nuk ka ku shkon më tkurrja e shqiptarëve. Kombi ynë nuk duhet të lëshoj as edhe një centimetër toke në llogari të caristëve serbë. Këtë duhet ta bëjë Serbia, ajo ka territore historike shqiptare dhe ka hapësirë të mjaftueshme.

Serbia duhet të heq dorë nga territori në llogari të paqes, këto janë fakte të cilat tregojnë se në raport me shtetin serb nuk ka fare afërsi, pa u kthyer Beogradi në rrugën e barazisë dhe të njohjes së rrënjës shqiptare në këto anë, ato territore janë shqiptare.

Bazë për këtë është njohja e të kaluarës dhe revidimi i vendimeve antishqiptare gjatë historisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat