Gjergj, a i harrove “shuplakat” e Hashimit?

Opinione

Gjergj, a i harrove “shuplakat” e Hashimit?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 22 maj 2021 Në ora: 13:38
Gjergj Dedaj dhe Hashim Thaçi

Së fundi, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, presidentja e Kosovës shkarkoi nga detyra 12 ambasadorë, të cilët ishin pjesë e pazareve në emërimet e tyre. Në mesin e tyre është edhe Gjergj Dedaj, ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Dedaj, i emëruar me ndikim direkt nga ish presidenti Thaçi, po thotë se s'do ta lirojë detyrën. Gjergji, dikur mbështetës i madh i Rugovës, pas shuplakës së Hashimit, pësoi metamorfozë. Nga njeri i respektuar, i ndershëm, u shndërrua në vegël të Hashimit, të klanit të tij, duke u degraduar si mos më keq. Të kujtojmë se Gjergj Dedaj, së bashku me një delegacion të LDK-së kishte vizituar zonën e luftës në Drenicë. Por, misioni i tyre ishte ndalur në gjysmë. Anëtarët e delegacionit ishin arrestuar. Deri më tani Dedaj është i vetmi që ka folur publikisht për këtë arrestim. Ai e pati akuzuar presidentin Hashim Thaçi se kishte maltretuar fizikisht.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas maltretim fizik, psikik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturuar edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj në dhjetorin e vitit 2011, pak ditë pasi Thaçi e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Transportit.

Pikërisht shkarkimi nga posti i zv. ministrit hapi valën e akuzave, që shumë shpejt u shuan pasi Dedaj u emërua në pozitën e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale. Por, kujtojmë se Dedaj nga pozita e zv. ministrit të Transportit ishte shkarkuar për shkak se kishte keqpërdorur kredit kartën shtetërore, duke shkuar në Kukës për të nxjerr para prej saj. Kujtomë se në valën e akuzave që Dedaj kishte bërë në 2011 paralajmëronte se “Gjergj Dedaj ende s’ka fol. Kur flet Gjergj Dedaj diçka duhet të lëviz në Kosovë”, kishte thënë Dedaj.

Si për t’i dërguar mesazh Hashimit se duhet ta mbaj në pushtet, ndryshe do të flas dhe nuk i ra keq Gjergjit pasi shijoi pozitën e emëruar zëvendësministër i Jashtëm edhe ne Qeverinë Haradinaj, gjithashtu ka qenë edhe zëvendësministër i Kulturës, për të kaluar në pozitën që edhe e mban aktualisht ambasador i Kosovës në Shkup. Pafytyrësia mes Gjergjit dhe Hashimit vazhdoi edhe më tutje, me ish presidentin që kishte nderuar me Medalje Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë edhe Gjergj Dedaj dhe familjen e tij.

Dedaj i ka ranë gjunjë bërë Hashimit vetëm për të mbetur në pushtet, pa qenë në gjendje asnjëherë të mbrojë atë që dikur thoshte se “Thaçi e ka rrahur shpulla”. Me postin që ka mbajtur deri tani, e që vazhdon ta mbajë dhunshëm, Gjergj Dedaj nuk ka nderuar Kosovën asnjëherë në pozitën që mban si ambasador. Prandaj, vendimi për shkarkim të tij dhe të tjerëve është shumë i nevojshëm, edhe pse pak i vonuar. Është dashur që ditën që është betuar qeveria Gjergji të shkarkohet. Nga njeri i dinjitetshëm me Rugovën, Gjergji është shndërruar në servil të pa dinjitetshëm të Hashimit dhe klanit të tij. Shembull i keq se si njeriu degradohet për interesa të tija, e të cilave iu ka ardhur fundi. Tani, Gjergji do të kujtohet për shuplakën e Hashimit, e cila e shndërroi në bishë të egër për pushtet, në degradim të skajshëm të servilizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat