S’ka viza pa i futur hajnat në burg

Opinione

S’ka viza pa i futur hajnat në burg

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 5 qershor 2021 Në ora: 10:46
Foto ilustrim “Bota sot”

S'ka viza pa luftuar korrupsionin, ky është qëndrimi jo vetëm i Holandës, por edhe Francës dhe Belgjikës, si dhe disa shteteve të tjera. Këtë qëndrim së fundi e ka shprehur zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës, Bo de Koning,e cila thotë se argumentet e ofruara nga institucionet e Kosovës për luftimin e korrupsionit “nuk kanë qenë mjaft bindëse deri më tani”.

Saktësisht Koning shprehet “Kur Komisioni Evropian së fundi raportoi për këtë çështje, shteti i Holandës arriti në përfundim se konkluzionet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelin e lartë nuk ishin mjaft bindëse”, me atë që të gjithë tanimë e dimë, në burg nuk futet asnjë ish ministër apo ministër, zyrtar i lartë që ka vjedhur shtetin dhe paranë publike.

Pa viza nuk la ka lënë Evropa, askush tjetër pos politikanëve që kanë vjedhur që 20 vjet. Ndonëse qeveria aktuale po punon që imazhi i Kosovës të ndryshojë, mbeten shumë punë për tu bërë. Punët e mira të qeverisë Kurti zëdhënësja e diplomacisë holandeze i ka quajtur inkurajuese, duke shtuar se “po presim të shohim rezultatet, meqë kjo është një nga prioritetet e tyre”.

Qeveritë e kaluara na kanë gënjyer duke thënë se problem për procesin e liberalizimit të vizave kanë qenë qëndrimet e pesë shteteve anëtare të cilat nuk e njohin pavarësinë – Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania, gjë që s'ka qenë fare e vërtetë.

Vizat nuk janë hequr sepse qeveritarët e kaluar s'kanë pasur synim një gjë të tillë, ishin të kurdisur për të vjedhur çdo gjë qe iu ka dal përpara. S'ka më turp se Kosova të mbetet i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që mbetet pa lëvizjen e lirë në zonën e Bashkimit Evropian. Pa u luftuar krimi, korrupsioni, pa një sistem drejtësie të shëndosh, s'ka viza, s'ka përparim dhe as liberalizim të vizave, Kryesorja është të ç'kapet shteti nga klanet që janë të lidhura me politikën, komandohen nga ajo dhe janë në funksion të saj.

E keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës janë politikanët e korruptuar e që kanë pasur fatin tonë në duart e tyre. Tanimë qeveria Kurti ka shansin historik për të bërë ndryshimet e premtuara, për të cilat të gjithë qytetarët janë më gojën hapur duke pritur, pikërisht ato ndryshime për të cilat kemi ngelu peng, në geto. Drejtësia e ç'kapur nga politika, është parametër kryesor për të shfaqur një qeverisje të suksesshme, një qeverisje e cila garanton barazi përpara ligjit për të gjithë qytetarët, vetëm kështu mund të përflitet dhe përmendet për ndryshimin e madh, atë ndryshim për të cilin ka shumë nevojë Kosova. Politika, është koha e fundit që të ndryshojë imazhin e saj si e keqja më e madhe për Kosovën, nga e cila kanë ardhur të këqijat që as armiku s'ka mundur dot të na i shkaktojë.

Qëndrimi i fundit i Holandës është mesazh i fortë për qeverinë Kurti, që të angazhohet seriozisht në ndryshimin e duhur, në lënien e lirë të drejtësisë nga politika. Me një Vetting emergjent, por që të jetë shumë serioz, është hapi i parë për të treguar shenjën e ndryshimit, ndryshimin pozitiv për të cilin Kosova po pret tanimë e 21 vjet.

Holanda foli qartë, shfaqi të vërtetën e ditur , por që është kamufluar nga politikanët, pa viza nuk ka la Evropa por politikanët hajna, që kurrë nuk u ngopën me paratë e popullit. Djersa e punëtorëve të ndershëm do iu dali për hunde atyre që e kanë vjedhur këtë popull, që kanë jetuar mbi kurrizin e tyre. Kurrë hajrin s'do t'ia shohin, që na lanë pa punë, të varfër, pa shkollim të duhur, pa shëndetësi të shëndoshë, pa drejtësi pa ndikim, si dhe pa viza. Vizat do të bëhen atëherë kur të futen në burg ata që na kanë lanë pa viza, ata që janë hajna me profesion e me pozita ish ministra e ish zyrtarë të lartë deri në ish kryeministra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat