Fenomeni i zbrazjes në heshtje të trevave shqiptare

Opinione

Fenomeni i zbrazjes në heshtje të trevave shqiptare

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 10 dhjetor 2021 Në ora: 16:12
Autori

Me vite të tëra trevat shqiptare, po zbrazen e boshatisen në heshtje, karshi politikës së shtetit dhe pushteteve shqiptare, të cilat, mjerisht, nuk ndërmarrin kurrfarë iniciative minimale për ta ndaluar këtë lum të ikjeve, i cili me të madhe po e lëkund bërthamën etnike në Luginë të Preshevës.

Ky fenomen i zbrazjes në heshtje të trevave shqiptare, po gjen hapësirë trajtimi vetëm nëpër disa opinione gazetarësh, deklarata politike dhe ndonjë reagim aty-këtu nëpër media dhe sidomos gjatë kohës së zgjedhjeve, kur kjo problematikë aktualizohet për të fituar poena të lirë politikë.

Sa i përket mjeteve të informimit, sidomos të mediave nacionale dhe lokale, shumë prej tyre kanë përfituar nga kjo tragjedi njerëzore, për të rritur shikueshmërinë dhe lexueshmërinë, por jo për të bërë ndonjë fushatë sensibilizuese të parandalimit të kësaj dukurie negative me pasoja të paevitueshme të braktisjes së viseve etnike shqiptare.

Po qe se është bërë diçka e tillë në këtë drejtim, ajo ka qenë më shumë deklarative sa për fitime komercializmi, nga disa kompani shqiptare, të cilat i kanë nxitur dhe joshur më shumë me çmime të volitshme për t’i depërtuar si mallra tregtare për në perëndim.

Retrospektiva

Gjatë viteve 2001, u ndërmorën disa iniciativa në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, për t’i kthyer banorët e shpërngulur të Malësisë së Bujanocit, në vatrat e tyre stërgjyshore, të braktisura në vitin 1999, nga frika e militarëve dhe regjimit të atëhershëm të Millosheviqit, por një nismë e tillë nuk zgjati shumë dhe përsëri ato vise ngelën pa banorë.

Po kështu, kjo gjendje vazhdoi edhe pas ardhjet së shqiptarëve në pushtetet lokale, gjatë periudhës së viteve të 2002 e këndej, vise të tëra etnike shqiptare të Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe vendbanimeve të Medvegjës, mbeten pa ndonjë plan e program të riatdhesimit dhe të risocializimit të tyre.

Vetvetiu shtrohet pyetja: Pse këto nisma për kthimin e të të shpërngulurve ngelën në gjiysmë të rrugës, më tepër se sa fontanë dëshirash, pse ato nuk u realizuan kurrë, ku qëndron problem dhe kush do të mbetet fajtor në këtë drejtim?

Askush nuk e merr fajin nga këto përgjegjësi, ngase sic thuhet faji është jetim, por ia lënë historisë për ta studiuar, madje për ta deshifruar të kaluarën tonë jetime.

Edhe pse shumë herë kemi kërkuar ndihmë nga institucionet shqiptare , nga Kosova dhe Shqipëria, për ta tejkaluar këtë problematikë të dhembshme kombëtare, kjo nuk është marrë në konsideratë dhe nuk ishte për ta si politikë parësore, ndonëse sipas mendimit tim procesi i kthimit të dëbuarve nga trojet etnikë, është dashur të jetë politikë primare.

Nuk më ka shkuar mendja se kaq shpejt pas disa proceseve ndërkombëtare, migrimi u bë fenomen në modë për rrugëtimin në Evropë, për ta gjetur lirinë e jetesës më të mirë etj.

Vazhdimësia e ikjeve

Qytetarët e Luginës së Preshevës, të ngulfatur nga proceset përçarëse e pa perspektivë politike, luftërat e armatosura, neglizhenca, zhgënjimi, mosmarrëveshjet, inatet, politikat diskriminuese klanore, sindromi i ikjeve pa kufi, depërtimi i sirianëve e të tjerë nëpër korridorin e kësaj lugine, si duket kanë ndikuar negativisht, duke ngjallur ndjenjën e ikjes për në Evropë.

Problematika e fenomenit të ikjeve, po na ndjek në vazhdimësi. Ajo dikur kishte në shënjestër, teologët e hoxhallarët, të cilat nga sistemi komunist, akuzoheshin si bartës të këtyre proceseve të shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve për në Turqi.

Me këtë ideologji propaganduese ushqeheshin gjithë nipat dhe stërnipat Bolshevikë, të cilët pas rënies së sistemit komunizmit u shuan. Mirëpo, politika e tyre në bashkëpunim me shtetet evropiane Rusisë dhe Turqisë kishin dëmtuar shqiptarët, të cilët e kishin paguar faturën e madhe të zhdukjes në trojet etnike. Këto pazare u bënë qysh pas rënies së Osmanëve, por me ndikimin e forcave ruse dhe influencën evropiane, që nga Lufta e Parë Botërore shqiptarët pamëshirshëm u shkatërruan dhe u dëbuan nga trojet e tyre, duke u depërtuar nëpër shumë shtete të botës.

Të gjitha këto spastrime etnike u bënë para syve të Evropës, e cila ishte jo vetëm spektatore, por edhe mbështetëse e këtyre proceseve të kobshme shqiptare, duke u ndihmuar nga shumë servilë dhe propagandues të idesë makiaveliste. Ky rrugëtim i përgjakshëm shqiptar la prapa vise të tëra etnike e krerësh shqiptarë të vrarë e të masakruar, për të ardhur te sistemet pasardhëse, të cilat ato i kanë bërë të harrojnë historinë e tyre , jo në emër të vëllazërim bashkimit, jo në emër të feve politike për t’ ju ripërsëritur historia e njëjtë.

Fjala është për botën e re shqiptare, ndryshimet, ardhja e demokracisë , integrimet evropiane, standardet bashkëkohore etj e kështu me radhë, duke mos ditur se tani kush qenka fajtor i migrimeve pa kthim?!

Pse të shpërngulemi e të ikim për Evropë? Pse ta braktisim tokën tonë, vendin e të parëve, që aq shumë është djegur, grabitur e luftuar? Pse t’i braktisim trojet tona për një lumturi të përkohshme, duke e lënë vendin tonë ndoshta pa u bërë gati kurrë për të integruar në Bashkësinë Evropiane?

Hajnia historike

Kjo që i paskan akuzuar fenë dhe hoxhallarët po del hajni e historisë, po del propaganda e komunistave, po del dezinformatë e kulluar, paska qenë edhe pse ne kemi ditur, po sulmi më i madh ishte te krerët fetarë, sepse ishin të vetmit në atë kohë qe ia prishin magjitë komunistëve, e tani jemi të vetmit që ia prishim edhe pseudodemokratve te pavetëdijshëm, cancaferëve, hibridëve, stërnipave të monizmit qe edhe sot e deformuan shoqërinë tonë , duke e përçarë e duke futur sherre në proceset fetare, në demokraci, në politikë e institucione arsimore e sportive, duke mos e lënë shtetet të forcohen edhe të merren me interesin e qytetarëve të vet.

Dallimet e shpërnguljeve në të kaluarën me të sodit, janë të mëdha dhe janë të pafalshme, por edhe janë tradhtare .

Shpërnguljet në të kaluar janë bërë nën trysnitë e dhunës, presioneve politike , ekonomike, strategjive por, të tanishmet , si do t’i arsyetojmë?

Çfarë kanë ndërmarrë institucionet për t’i parandaluar? Çfarë fshihet pas kësaj, apo kush qëndron, çfarë organizimi dhe çfarë iniciative , nuk i ka përdorë as nuk është i interesuar ta përdorë mekanizmat më të fuqishme, bile për t’i financuar projekte në fushën e kulturës, fesë informimit, për t’i stimuluar këto qarqe me projekte konkrete për ta vetëdijesuar popullin për ta ruajtur interesin e kombit dhe shtetit, se shqiptarët kanë nevojë për njerëz , për kuadro, për profesione, po edhe për ta ndërtuar dhe mirëmbajtur këtë tokë e cila me shekuj aq shumë derdhur gjak.

Ndoshta dikush e ka shitur vetën që Shqipëria dhe Kosova mos të zhvillohen kurrë, të mbesin gjithmonë si vend i prapambetur, si vend pa perspektivë, si vend i kriminalizuar, si vend ku të huajt do ta shfrytëzojnë si poligon për korrupsion e krime të organizuara!

Çfarë ndërmorën intelektualët, partitë politike për bijtë e vet, për qytetarët e vet?!

Dallimi i shpërnguljeve dhe i braktisjeve të mëparshme kanë qenë , presionet dhuna , zori , por tani çfarë? Kur u mërzitet me këtë vend, kur ju bë monoton vendlindja, në vend se me qenë krenarë e me përparuar vendin tënd , ju me dal e me u lavdëruar me të arriturat e vendeve të huaja? Mjerimi nuk ka kufi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat