Që nga Kongresi Pansllavik i vitit 1848, është e njëjta Serbi, okupatore dhe gjenocidale

Opinione

Që nga Kongresi Pansllavik i vitit 1848, është e njëjta Serbi, okupatore dhe gjenocidale

Nga: Driton Tali Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 16:49
Driton Tali

Që nga Kongresi Pansllavik i vitit 1848, atëherë kur edhe himni "Hej slloveni" u adaptua si vizion, është e njëjta Serbi.

Asnjëherë nuk e ndërroi strategjinë e okupimit të territoreve të huaja (lebensraum), duke mos përjashtuar krimet dhe gjenocidet (sepse qëllimi arsyeton mjetin).

Ndonëse "casus belli'n" e ndërroi sipas etapave: herë "për kthimin e Tokës se Shenjtë"; e herë "për bashkimin e vëllezërve sllavë në një shtet"; e herë "për mbrojtjen e Europës nga islami"; e për "pastrimin e Tokës të Shenjtë nga barbarët myslimanë dhe mbetjet turke"; e në "të drejtën historike";  e "luftën kundër reakcionit dhe mbeturinave fashiste"; pastaj në "luftën kundër kontra-revolucionit dhe nacionalizmit"; në "mbrojtjen e serbëve dhe malazezëve  nga terrori shqiptaromadh"; e "luftë kundër terrorizmit"...

Nuk pritonte të shpallte edhe Europën, e besa edhe krejt botën, armike. Por edhe krishterizmin (katolik edhe atë protestant).  Akuzoi edhe Unmik'un se po bënte terror në serbë me qëllim për t'i shpërngulë ata nga Kosova.  Finlandezin Ahtisari  e akuzoi për racizëm si "urrejtës të serbëve".

Nga ana tjetër edhe "barbarët islamë" dhe turkun sa here ju dashtë i quajti vëllezër dhe i porosite ata që të jenë të kujdesshëm me "femrat e ndijshme serbe". Bile ministrat e Jashtëm serbë  nuk pritonin të këndonin  "Osman Agën" apo të tregonin se janë "nipa myslimanë" edhe të falnin namaz gjatë samiteve (kongreseve) të Organizatës së  Bashkëpunimit Islam  (Organizata e Konferencës Islamike).

Kjo strategji shumë here ju dha suksese. Si në vitet 1877-78 kur e okupuan Toplicën, të cilën e pastruan tërësisht nga shqiptarët (pastaj i prodhuan “faktet historike” me të cilat “dokumentuan” se ajo tokë është serbe), njashtu edhe më 1912, 1918 dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Ngjashëm bënë edhe me territoret e Kroacisë, Bosnjës, por edhe vendet tjera nuk i lanë anash.

Paramendo, po të kishte pasur sukses Serbia në okupimin e Durrësit, një Zot e di se deri sot sa fakte historike kishte për t’i fabrikuar Akademia Serbe e Shkencave për të dokumentuar se Durrësi gjithmonë ka qenë “zemra e Serbisë”.

Natyrisht, në të kaluarën kishte edhe raste kur Serbia megjithatë nuk mundi t‘i realizonte qëllimet e veta, jo vetëm në rastin e Durrësit, por bie fjala nuk ia arriti edhe me “Republikën e Mirditës” (të Marka Gjonit), në vitet 1920'ta, apo me “Republikën e Krajinës Serbe”, në vitet 1990 etj.

Meqë u përmendën të “drejtat e njeriut”, rasti i “Republikës së Mirditës” e ilustron shumë mirë atë që e thashë më lartë:  Serbia nuk përton të përdorë çdo mjet të mundshëm për të realizuar qëllimin e vet.

Siç dihet, në vitet e para të pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria kalonte në një periudhë të vështirë organizative. Kishte qeveri të brishtë dhe situatë shoqëroro-ekonomike jo stabile. Andaj, Serbia tentoi t’i shfrytëzojë rrethanat.

Për shkak se qeveritë të shumtën përbëheshin nga myslimanët, mediat serbe nisën fushatën propagandistike duke akuzuar “Qeverinë shqiptare myslimane” se po bënte krime ndaj shqiptarëve të krishterë në veri. E gjetën edhe njeriun me anë të të cilit tentuan që ta zbatonin planin e tyre. Ai ishte Gjon Marka Gjoni, i cili ishte i pakënaqur, sepse pas vdekjes së kushëririt të tij, Preng Bibe Dodës më 1919, nuk e trashëgoi atë dhe nuk mori asnjë post. Dhe, me 17 korrik 1921, Marka Gjoni e shpalli “Republikën e Mirditës” dhe vetën e emëroi president.

Në këtë kohë ai jetonte në Prizren, për shkak të belasë. U mor vesh se shpalljen e republikës e bëri nën këshillat e Pashiqit, i cili po ashtu e udhëzoi Marka Gjonin që të dërgonte përfaqësuesin e vet dhe të kërkonte njohje dhe anëtarësim në Lidhjen e Kombeve.

Në këtë drejtim, ambasadori serb Jovanoviç ishte shumë i zhurmshëm në mbrojtjen e “Republikës së Mirditës” dhe në mbrojtjen e “të drejtave të shqiptarëve krishterë”.

Ky cirkusllëk pati për të zgjatur edhe më shumë, sikur mos të reagonin shqiptarët e krishterë, ku patjetër duhet cekur abatin imzot Sereçin, i cili dha një kontribut të madh në demantimin e propagandës serbe.

Për fund të ceket se Serbia gjithkund ku dështoi në realizimin e planeve të veta, reagoi njëjtë. Për një kohë relative bëri propagandë mediale duke i potencuar “të drejtat e njeriut” dhe “të drejtën historikë”. Por, gradualisht e pranoi humbjen d.m.th. u soll në stilin “nëse fitoj – mirë shumë, por edhe nëse nuk fitoj, nuk humbi asgjë se edhe ashtu ajo tokë nuk ka qenë imja”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat