Ndryshimi bëhet me politikanë atdhetarë, të ndershëm dhe me përvojë, jo me oligarkë dhe karrieristë politikë..!?

Opinione

Ndryshimi bëhet me politikanë atdhetarë, të ndershëm dhe me përvojë, jo me oligarkë dhe karrieristë politikë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 10:24
Rexhep Elezaj

Viti 2021 të cilin po e lëmë pas për Kosovën karakterizohet me shumë ngjarje, të mira dhe të këqija, pozitive dhe negative, me përparim në disa fusha të jetës, por edhe për ngecje në disa lëmi tjera, varësisht se nga kush dhe nga cili kënd kritik shikohet, por dhe nga cilat struktura shoqërore, politike dhe shtetërore jepen vlerësimet, kur dihet se në Kosovë, për fat të keq, shoqëria e saj është e ndarë në klasa sociale, ekonomike dhe politike.

Klasën e parë, e përbëjnë të privilegjuarit dhe oligarkët e pasuruar në kurriz të popullit përgjatë 20 viteve të kaluara, dhe këtë klasë e udhëheqin biznesmenë imoralë, hajdutë dhe plaçkitës të pasurive nacionale anë e mbanë Kosovës, ani pse një numër i vogël i tyre mund të jenë pasuruar me mund dhe punë të ndershme, por pjesa më e madhe e oligarkëve, siç e dinë i gjithë opinioni, janë pasuruar brenda natës përmes aksioneve dhe veprimeve kriminale e antiligjore pa iu hy asnjë therë në këmbë!

Po ashtu, dihet se gjeneza e shumicës së oligarkëve rrjedhë nga familje shumë të varfra që njiheshin para luftës çlirimtare, të cilët me të përfunduar të saj në qershor 1999, turr e vrap si hiena filluan me shërimin e sindromit të varfanjakëve, pa zgjedhur mjete dhe mënyra grabitën dhe përvetësuan çdo gjë që iu binte në dorë pa u turpëruar dhe frikësuar nga askush..!?

Tentimi si rrufe që të dalin nga lëvozhgja e varfanjakëve, me vrull të madh iu përveshën hajnisë, vjedhjeve, plaçkitjeve si dhe uzurpimit të pronave private, të shtëpive dhe banesave të zbrazëta të serbëve, të dyqaneve dhe tokave në pronë të shtetit, etj., duke mos e çarë kokën për ligje, norma shoqërore dhe as për ndjenja kombëtare!

Pra, të tillët sot pas 22 viteve, janë njerëzit më të pasur dhe më të privilegjuar në Kosovë, madje pasuria e tyre e vjedhur ashiqare nuk mund të llogaritet matematikisht, dhe, ç’ është më e keqja, të njëjtit vazhdojnë edhe sot të pasurohen paskajshmërisht pa dhënë asnjë përgjegjësi morale dhe ligjore për keqpërdorime dhe uzurpime të pronave shoqërore dhe private, përmes “fake-firmave”, sa për sy e faqe, duke blerë madje një hektarë tokë me çmim qesharak prej 1 deri në 3.6 euro arin, madje disa prej tyre në bashkëpunim të ngushtë me kriminelët serbë në veri, firma të cilat u kanë shërbyer për shpërlarje të parasë, për trafikim të narkotikëve, qenieve njerëzore si dhe për krime tjera socio-ekonomike..!?

Mjerisht, në Kosovën shtet me sistem parlamentar demokratik, me ekonomi të tregut të lirë dhe kapital të tipit perëndimor, nuk ekziston fare klasa e mesme e shoqërisë, e cila paraqet një katalizator pozitiv për zhvillimin ekonomik të çdo vendi, ngase mjerisht këtë kategori të shoqërisë e kanë zhbërë oligarkët gllabërues me metoda mafioze, duke e kthyer Kosovën në një vend ku sundon krimi i organizuar, korrupsioni si dhe mosrespektimi i ligjeve në nivel qendror dhe atë lokal. Pra, duke e keqpërdorë dhe diskriminuar klasën e varfër punëtore përmes mënyrave ç’njerëzore të eksploatimit të potencialit të tyre mendor dhe fizik, pa kontrata mbi punën, pa sigurime shëndetësore, me rroga tepër të ulëta, por me nga 12 orë pune në ditë, pa të drejta dhe siguri themelore në vendet e punës, etj., deri në skllavërimin e tyre si në kohën e feudalizmit skllavo-pronarë..!?

Ndërsa, klasa e tretë, e shoqërisë në Kosovë është ajo e të varfërve ekstrem, e cila përbën përqindjen më të madhe të popullatës në Kosovë, si për nga numri, ashtu dhe për nga papunësia, si rezultat i defekteve të shumta shoqërore, politike dhe sociale, siç është mungesa e vendeve të lira të punës, pamundësia e punësimit edhe pse posedojnë diploma përkatëse, mungesa e barazisë sociale, profesionale, pastaj mos mundësia e aftësimit profesional, mohimi i të drejtave për punësim në sektorin publik për shkak të uzurpimit të privilegjeve nga ana e politikanëve oligarkë si dhe e lidhjeve të tyre nepotiste, partiake dhe familjare, mos mundësia e pjesëmarrjes në konkurse brenda firmave dhe institucioneve shtetërore, etj., ku të gjitha këto pengesa kanë bërë që numri i të varfërve në Kosovë të rritet vazhdimisht dhe në mënyrë enorme..!?

Pa dyshim, është fat i madh për Kosovën që arriti t’i shmanget trazirave sociale si dhe “luftës” civile para dy-tri viteve, dhe, kjo falë vigjilencës së popullit, i cili arriti t’i sfidojë me sukses provokimet politike dhe sociale, padrejtësitë, varfërinë, skamjen, vuajtjet si dhe nënçmimin njerëzor që i bëhej nga ana e oligarkëve hajdutë, nga politikanë analfabet, nga udhëheqës bashibozukë dhe mëkatarë, fajtorë e dështakë në shtet-bërjen e Kosovës vend sovran dhe funksional, të cilët duke shkelur mbi çdo vlerë kombëtare dhe njerëzore për interesa të tyre personale, gati sa nuk e zhbënë edhe pavarësinë e saj të fituar me aq shumë viktima..!?

Prandaj, kur ne të gjithë menduam se rënia jonë në greminë ishte e pashmangshme, populli ynë largpamës dhe legjendar, e kuptoi peshën e lirisë dhe gjakut të derdhur për liri e pavarësi, i cili pa u hamendur fare vendosi që serish t’i hyjë një sfide të re (2019), për të nxjerr në skenë një klasë të re politike, si provë dhe provim të ri kolektiv për Ndryshim dhe një jetë më të mirë, me shpresën e madhe se vota e tij nuk do i shkojë huq kësaj radhe. Mirëpo, ky ndryshim sipas indicieve të para nuk po ndodhë ashtu siç ishte pritur, ngase bartësit e tij amatorë dhe të papërvojë në politikë dhe qeverisje janë mbyllur në guackën e frikës nga dështimi, siç treguan zgjedhjet e fundit lokale!

Mbase, në jetën e njeriut asnjëherë nuk ndodhë që sukseset të arrihen pa pasur të hartuar një platformë mbi baza shkencore, pa një plan dhe program konkret zhvillimor, social dhe kulturor, pa një politikë unike nacionale dhe konsensus kombëtar, shto kësaj strukturën e përçarë politike, konvergjencat e brendshme partiake, strukturat shtetërore adoleshente si dhe politikanë me ambicie të shfrenuara karrieriste, thua se jeta në Kosovë fillon dhe mbaron me fatet e tyre politike dhe personale!

Po qese viti i ri 2022 nuk do i sjellë Kosovës më shumë fat dhe zhvillim më të madh ekonomik, rivendikim të politikës së jashtme dhe ndryshim të mentalitetit zhvatës, gllabërues, me më pak autokraci në pushtet-mbajtje, etj., gjasat do jenë të vogla për Ndryshim dhe ç’ kapje të shtetit, meqenëse kusht themelor për çdo përparim njerëzor janë reformat e thella në çdo fushë dhe pore të jetës, filluar së pari nga ndryshimi brenda vet njeriut si pjesë e shoqërisë dhe civilizimit njerëzor !

Urime viti i ri 2022, për gjithë shqiptarët kudo në botë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat