Si do të jetë Kosova në vitin 2022?!

Opinione

Si do të jetë Kosova në vitin 2022?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 1 janar 2022 Në ora: 18:22
Foto ilustrim

Kosova e vitit 2022 duhet të jetë vit i ndryshimit të madh, ndryshim që e kami pritur shumë kohë. Në fakt, ndryshimi ka nisur që nga viti i shkuar, konkretisht nga 14 shkurti. Kasta e vjetër politike mori ndëshkimin e madh, në vend të saj erdhi një qeveri me vizion ndryshe. Vizion me të cilin ka filluar të bëjë diferencën.

Pavarësisht se ish komandantët e luftës, në fakt të ashtuquajturit komandantë, prej se nuk janë në pushtet, vendi ka nisur të frymojë më lirshëm. Qytetarët sikur janë çliruar nga një e keqe e madhe që u kishte vënë lakun në fyt, nuk mbizotëron më ajo ndjesia se qeveria vjedh, ka rënë një lloj qetësie e cila nuk ndodhte prej kohësh.

Megjithatë, këtë vit pritjet janë që ndryshimi të preket, jo vetëm të përjetohet emocionalisht, të preket edhe në praktikë. Kjo nënkupton që mirëqenia e qytetarëve të përmirësohet, të ketë ulje të çmimeve, rritje të pagës, përmirësim të gjendjes në spitale, rritje të vendeve të punës, rritje të cilësisë në arsim, mbi të gjitha ç'kapje të drejtësisë nga të tjerët. Nga këtu fillon edhe baza e prekjes së realitetit, atij realiteti për të cilin kemi nevojë shumë.

Qeveria aktuale këtë e kanë thënë mbi 52 % të votave, është ndryshimi i kërkuar, e kuptojmë se gjatë këtij viti ka pasur punë të mëdha për të shkarkuar borde, për të ndërtuar ato borde me staf të ri, me njerëz të rinj, të cilët i përgjigjen ligjit dhe jo maliqit. 

Megjithatë në vitin 2022 qytetarët kanë nevojë për të prekur ndryshimin, kanë nevojë që vota e tyre me 14 shkurt të jep efekte në jetën e tyre. Ndonëse pritjet janë të mëdha, nuk është e lehtë që shpejt të preket ndryshimi, ndonëse për 22 vjet është rrënuar çdo gjë. 

Gjatë vitit të ri 2022 pritet që Kosova të ballafaqohet me sfida të shumta, me shpresën që gjërat të fillojnë për së mbari.

Gjithashtu, gjatë këtij viti duhet të ndalet ikja e të rinjve, të kthehet shpresa, si dhe të gjithë ata që kanë vjedhur këtë vend të dalin para drejtësisë. Është momenti fundit që gjërat të fillojnë të marrin rrugën e mbarë, ndryshe jemi të destinuar që përfundimisht të dështojmë si shtet. Kosova të jetë unike në qëndrimrt e saja karshi Serbisë, të mbrohet shteti nga pretendimet e Serbisë për asociacionin. Edhe “Ballkani i hapur” mos të pranohet, të kundërshtohet nga të gjithë si një gjë në dëm të shqiptarëve.

Pastaj, me shpresën se gjatë këtij viti të përfundojë edhe virusi, në mënyrë që t’i kthehemi jetës normale. Të gjithë këto mbesin dëshira, vështirë që të realiozhen të gjitha, megjithatë nëse disa nga këto bazike realizohen janë të mjaftueshme. Premisat janë të mira për të patur një vit të mbarë, të shohim si do të jetë në realitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat