Brenda 20 viteve Kosova do të përgjysmohet, urgjentisht të hartohet plani për ndaljen emigrimit!

Opinione

Brenda 20 viteve Kosova do të përgjysmohet, urgjentisht të hartohet plani për ndaljen emigrimit!

Nga: Faton Mehmeti Më: 13 prill 2022 Në ora: 17:19
Faton Mehmeti

Braktisja e Kosovës është dukuria më shqetësuese që po ndodh tash e sa vite. Largimi nga Kosova ka filluar që ka viti 2000, ndërkohë që numri më i madh i tyre ka filluar që nga viti 2010 e tutje. Aktualisht shifrat zyrtare thonë se 170 mijë qytetarë të Kosovës kanë emigruar, por në fakt në 12 vitet e kaluara nga Kosova janë larguar 250 mijë shqiptarë dhe së paku 100 mijë të tjerë do të ishin larguar që sot sikur t’u jepej mundësia. Arsyeja kryesore e largimit është ajo ekonomike, por jo e vetme. Këtë na e zbërthen më së miri Fondacioni “Friedrich Ebert” (FES) është fondacioni politik më i vjetër në Gjermani me një traditë të pasur të social-demokracisë, e cila daton prej 1925-ës,i cili ka bërë një hulumtim për shkaqet e braktisës së vendit tonë.

Ndër arsyet kryesore përmenden ato ekonomike, korrupsioni, cilësia e dobët në arsim, shëndetësia e e dobët etj. Sipas këtij studimi të rinjtë në Kosovë janë shumë optimistë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e shoqërisë së Kosovës. Për më tepër, Kosova është i vetmi vend që ka një përkeqësim në nivelin e kënaqësisë me cilësinë e arsimit. Më shumë se 56 për qind e të rinjve pranojnë se ka raste korrupsioni në institucionet/universitetet në Kosovë. Ky fenomen është më i përhapur në zonat urbane. — Shumica e të rinjve që janë pjesë e tregut të punës nuk punojnë në profesionin e tyre.

Si rezultat, ka një mospërputhje të madhe ndërmjet pritshmërisë së të rinjve për tregun e punës dhe nevojave ekzistuese për fuqi punëtore. Nga ana pozitive, të rinjtë të cilët kanë bërë stazh dhe praktikë gjatë studimeve të tyre duken se kanë shanse më të larta për të gjetur një punë në profesionin e tyre. Siguria e vendit të punës është faktori kryesor që të rinjtë e Kosovës konsiderojnë në zgjedhjen e një pune.

Kjo nënkupton që ka një shqetësim të madh mbi të drejtat e punëtorëve, orët e gjata të punës, problemet me pagat. Dukuria e largimit vërehet edhe në sistemim e arsimit. Në vitin shkollor 2008/09, 443,912 fëmijë kanë qenë të përfshirë në arsimin parauniversitar, ndërsa në vitin shkollor 2018/19 ky numër ka rënë në 361,875 që paraqet zvogëlim prej 22.6% brenda një dekade. Krahas zvogëlimit të natalitetit, një pjesë e konsiderueshme e këtij zvogëlimi i atribuohet migrimeve jashtë vendit, të cilat, kohëve të fundit, janë të nxitura edhe nga kërkesa e shtuar për fuqi punëtore në disa vende evropiane.

Nëse vazhdon ky trend, dhe s`ka pse mos të vazhdojë, Kosova Brenda 20 viteve do të përgjysmohet në aspektin e popullsisë, andaj duhet të ketë reagim të shpejtë nga ana e institucioneve të vendit. Të hartohet strategji kombëtare për të parandaluar ikjen e të rinjve, masa të shpejta dhe që prekin direkt të rinjtë.

Njëra ndër masat do të ishte të u jepen 300 euro para nga shteti derisa t’u gjendet një punë, dhe kjo bëhet duke lidhur marrëveshje me sektorin privat për nevojat e tyre. Tjetër nevojë emergjente është sigurimi shëndetësor, rëndesë e madhe për qytetarët e vendit, njëheri ndër shkaqet kryesore për largimin e tyre nga Kosova.

Të ketë siguri për punë, mbështetje nga shteti, cilësi në arsim dhe shumë me rëndësi është shëndetësia, të kenë sigurime dhe të rritet cilësia dhe shërbimi. Hartimi i një platforme kombëtare është nevojë emergjente, të bëhet sa më parë, çdo ditë e humbur është në dëm të Kosovës dhe të ardhmes së saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat