Kancelari Scholz, po ia “vjedh” idetë Ramës!

Opinione

Kancelari Scholz, po ia “vjedh” idetë Ramës!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 5 maj 2022 Në ora: 13:43
Sherif Ramabaja

Rama po këmbëngul në Ballkanin e Hapur, përndryshe do t´i shkonte fytyra sepse me mish e shpirt së bashku me Vuçiqin janë munduar për këtë ide të tyre, me bekimin e Rusisë së Putinit.

Në vizitën e fundit në Berlin Rama fliste për Ballkanin e Hapur, kurse Kancelari Scholz fliste për Procesin e Berlinit, të iniciuar nga ish kancelarja Merkel.

Për të këmbëngulur në idetë e tij, Rama po e krahason Procesin e Berlinit me Ballkanin e Hapur, duke i dhënë të njëjtin rol, identik.

Tash kur Scholz e priti Kurtin dhe Vuçiq në Berlin, sërish u fol vetëm për riaktivizimin e Procesit të Berlinit, pa e cekur askush Ballkanin e Hapur të Ramës.

Vuçiq me djallëzi fliste para Scholz -it për afrimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, por asnjëherë nuk e ceku Ballkanin e Hapur. Pse ? Sepse ai punon dhe vepron me taktikë.

Ai fort mirë e din se ide e kujt ishte Ballkani i Hapur, që më vonë së bashku me Ramën ia ndërruan emrin në Open Ballkan.

Vuçiq nuk ia fut veti therrën në këmën e shëndoshë, kur për këtë e ka Ramën. Scholz kishte folur në takim me Ramën për Procesin e Berlinit, kurse Rama si trim, guximtar dhe krenar që është, fliste për Ballkanin e Hapur.

Rama po ashtu kishte treguar trimëri, guxim dhe krenari kur në aeroplanin e Lufthansa – s , kishte refuzuar ta vente maskën kundër Covid 19.

Gjendja ishte acaruar aq shumë saqë personeli i aeroplanit, ishin detyruar ta thërrisnin policinë për intervenim.

Merreni me mend, këto gjëra mund t´i ndodhin vetëm një kryeministri shqiptar, i cili bashkëqytetarëve të vetë ua nxirrte tankset në rrugë, për zbatimin e masave kundër Covid 19. Kurse vetë si kryeministër në vend se të ishte shembull për të tjerët, bënte në aeroplan skandale të tilla.

Një rast tjetër aktual këto ditë është edhe shpallja e listës mbi lirinë e shtypit në botë. Shqipëria u radhit për 30 vende më poshtë, pikërisht në vendin 105.

Kryeministri shqiptar Rama shprehu habi dhe e kundërshtoi vendimin e tillë, duke e quajtur qesharak. S’është çudi.

Para dy vitesh i kishte kërcënuar mediat me Paketën Ligjore, nëse nuk e paraqesin të vërtetën, ashtu siç ai e mendon.

Rama me Paketën Ligjore kërkonte që mediat t´i disiplinonte dhe t´i denazifikonte, ashtu siç kishin vepruar Putin dhe Vuçiq në vendet e tyre.

Mediat duhet të heshtin edhe kur Shqipëria është bërë “kopsht me lule” nga droga.

Duhet të heshtin për korrupsionin, krimin e organizuar, tenderimin, plaçkitjen e shtetit, pastrimin e parave, luftën e bandave të drogës etj.

Mediat po ashtu duhet të heshtin, në rast se në krim të organizuar së bashku janë përfshirë edhe strukturat shtetërore.

Po ashtu duhet të heshtin, nëse bashkëpunëtorët e kryeministrit dhe të PS janë përfshirë në korrupsion ose vjedhje.

Mediat edhe nëse zbulojnë raste të tilla duhet t´i marrin si raste personale, pa e përfshirë aty kryeministrin ose partinë e tij.

Rasti mund të ndryshoi, nëse në raste të tilla nxihen persona nga opozita. Mediat në këtë rast duhet të jenë të zëshme dhe ta mbrojnë shtetin, duke i linçuar personat dhe të kërkohet përgjegjësi nga partia e tyre.

Rroftë Paketa ligjore e Ramës, për denazifikimin e medias!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat