Më duhet t’ia them dy fjalë Albin Kurtit

Opinione

Më duhet t’ia them dy fjalë Albin Kurtit

Nga: Faton Mehmeti Më: 7 qershor 2022 Në ora: 18:31
Autori Faton Mehmeti

Se kjo qeveri ka dallim me qeveritë e kaluara kjo gjë as që diskutohet, gjërat shihen dhe preken. Ndonëse, Albin Kurti e ka rritur standardin e qeverisjes, nga ai kërkohet të jetë perfekt, mjafton diçka e vogël që ai të kritikohet.

Tek e fundit, kjo edhe është puna e opozitës, të kritikojë, këtu s`ka diçka të veçantë. Megjithatë, më duhet t’ia them dy fjalë Albin Kurtit, për dy gabime, të cilat ai në gjykimin tim po i bën, me apo pa vetëdijen e perceptimit të veprimeve të tij si gabime nga qytetarët, njohësit e zhvillimeve politike etj.

Gabimi i parë në opitikën time ka të bëjë me Ligjin e Pagave, për të cilin kishte dhënë premtime se do të miratohet në fund të muajit mars, jemi në qershor dhe s`ka ende asgjë, s`po flasim për ligj dosido, flasim për ligj shumë të rëndësishëm që prek direkt jetën e qytetarit, çdo vonesë këtij ligji vetëm sa shton mllefin e qytetarëve që mezi presin miratimin e një ligji të tillë.

Nuk e kuptoj pse është dashur gjithë kjo zvarritje për një ligj, i cili pothuajse ka qenë i gatshëm me përjashtim të disa pikave të cilat Kushtetuesja i ka cilësuar si problematike, ka mjaftuar vetëm ato të rregullohen dhe ligji të dilte në kuvend për miratim.

Ky ligji me zvarritjet e tij po e zvarrit agoninë e qytetarëve që s`po ia dalin dot me pagat pas ngritjeve të mëdha të çmimeve. Edhe ashtu ky ligj ka procedura derisa të futet në zbatim, qysh pas leximit dhe votimit të dytë në kuvend pas gjashtë muajsh futet në zbatim.

Në këtë pikë qeveria Kurti ka ngecur shumë, dëshpërimi rritet edhe më shumë kur mendohet se në pushtet është një parti që ka si embrion të sajin politikat sociale. Po ashtu, në kuadër të këtij gabimi, mungesa e bashkëpunimit me sindikatat është e pafalshme, nuk mundet qeveria me përzgjedh njerëz se kush e përfaqëson një sindikatë. Pavarësisht mirëkuptimit se brenda tyre ka njerëz të lidhur me klanin “ Pronto”, përgjegjësia dhe detyra institucionale të detyron të bashkëpunosh edhe me ata që nuk i pëlqen. Gabimi i dytë, e që ka për rrjedhojë të parin ka të bëjë më mënyrën se si qeveria po kundërshton propozimin për tërheqje të mjeteve të Trustit. Zvarritja e miratimit të ligjit të Pagave, apo gjetja e ndonjë forme tjetër si p.sh dhënia nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave, ka shtuar zërat pro tërheqjes nga këto zëra.

Ka edhe shumë nga ata që kanë votuar për VV, në anketimet del se mbi 80 % të qytetarëve janë pro tërheqjes. Nëse qeveria do të ndërmerrte ndonjërën nga këto masa në kohë të shpejt, do të binte mbështetja për tërheqjen e Trustit, rrjedhimisht s`do të kishte dëshpërim.

Duke qenë në kontakt me njerëz të lodhur nga situata e rëndë ekonomike në njërën anë dhe në anën tjetër zvarritja e miratimit të Ligjit të pagave dhe refuzimi për tërheqjen e Trustit, po ashtu refuzimi për dhënie nga 100 euro derisa ligji të miratohet, kanë zbehur mbështetjen për VV-në. Këtë gjë duhet ta kuptojë shumë qartë Albini, mos të vazhdojë me arrogancë, ata që aplikuan arrogancën e morën ndëshkimin. Duke besuar në mençurinë e Albin Kurtit, besoj se s`do e përsëris të njëjtin gabim, nëse po, do e marr të njëjtin ndëshkim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat