Jam grua, por nuk kam më pak aftësi e meritë sesa meshkujt në sektorin e sigurisë

Opinione

Jam grua, por nuk kam më pak aftësi e meritë sesa meshkujt në sektorin e sigurisë

Vjollca Aliu Nga Vjollca Aliu Më 6 shtator 2022 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Në ndërtimin dhe ruajtjen e shtetit roli i policisë është i domosdoshëm, sepse pa një shërbim policor të fuqishëm dhe profesional do të humbte jo vetëm organizata policore, por humbim edhe ne si shoqëri.

Sot, Policia e Republikës së Kosovës feston

23-vjetorin e themelimit si organizatë e sigurisë, duke bartur mbi supet dhe imazhin e saj: sfidat, sukseset, detyrat dhe përgjegjësitë, përkushtimin për përmbushjen e misionit, si dhe llogaridhënien para mekanizmave përgjegjës dhe para gjithë shoqërisë.

Të analizosh angazhimin e femrave në sektorin e sigurisë, veçanërisht në polici, nuk është aq e lehtë, meqë femrat janë faktor i pa përjashtuar dhe i pamohueshëm për sigurinë në të gjitha nivelet, por duke marrë parasysh edhe faktorët të cilët kanë ndikuar në pjesëmarrjen dhe zhvillimin e femrave kosovare në sektorin e sigurisë gjatë 23 vjetëve.

Republika e Kosovës është shtet demokratik, e cila policinë e sjellë në suazat moderne, dhe si shtet juridik e futë atë nën kontrollin e ligjit. Puna demokratike, shërbimi ndaj qytetarit dhe shtetit është proces që zhvillohet nga shumë femra dhe meshkuj të inkuadruar në polici, të cilët i përgjigjen nevojave të qytetarëve dhe sistemit hierarkik mbikëqyrës-kontrollues, por jo politikanëve, që do të thotë se policia duhet të jetë e papolitizuar dhe e pandikuar politikisht.

Konsiderohet se barazia gjinore është një gur themeltar në procesin e zhvillimit demokratik të një shteti. Duke vlerësuar parimin e mosdiskriminimit, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për Barazi Gjinore, për të krijuar mundësi që femrat të vlerësohen dhe të gëzojnë autoritet në familje dhe shoqëri. Bazuar në këtë dhe në interesimin, në përkushtimin dhe në gatishmërinë e femrave kosovare për inkuadrim në Policinë e Republikës së Kosovës, kjo organizatë është shembull dhe dëshmi se barazia gjinore nuk është vetëm retorikë, por realitet të cilin duhet avancuar edhe më tej. Sot, femrat kosovare ia kanë dal që me krenari dhe profesionalizëm të lartë në kuadër të detyrave të punës të jenë partner i barabartë me meshkujt, duke dhënë kontributin e tyre në Policinë e Republikës së Kosovës, në FSK, në Shërbimin Korrektues dhe në organizata të tjera. Pavarësisht se dikush mendon se sektori i sigurisë konsiderohet për meshkujt, interesimi i femrave për kyçje në këtë sektor është evident, me rënie e rritje nëpër periudha të ndryshme gjatë 23 vjetëve, por që asnjëherë nuk u shua, falë edhe kornizës ligjore relativisht të mirë për të promovuar pjesëmarrjen e femrave në jetën publike, mirëpo përparimi në zbatimin e saj ngec, jo rrall, nga mungesa e burimeve financiare për zbatimin e ligjeve.

Me qëllim të fuqizimit të rolit të femrës në Policinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e vetëdijes dhe adresimin e çështjeve që prekin femrat në kuadër të kësaj organizate, promovimin dhe ndihmën në zbatimin e barazisë dhe mosdiskriminimit në organizatë, zhvillimin e vazhdueshëm profesional, zhvillimin dhe pjesëmarrjen në rrjetet profesionale dhe sociale në nivel nacional, rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe promovimin dhe mbrojtjen e mirëqenies shëndetësore dhe psikosociale të femrave në organizatën policore, më 23 korrik 2013 është themeluar Shoqata e Grave e Policisë së Republikës së Kosovës me seli në Prishtinë, në të cilën janë përfshirë anëtarë të stafit të uniformuar dhe civil, duke mos përjashtuar edhe anëtarë meshkuj.

Avancimi jo i kënaqshëm, i cili ndikon në shtimin ose në rritjen e të ardhurave personale, nuk e ka zbrapsur femrën police që të kryej misionin e saj brenda organizatës policore, përkundër asaj se disa prej tyre janë mbajtëse të familjes. Megjithëse janë marrë hapa përmirësimi në kyçjen dhe në avancimin e femrave në polici, prapëseprapë është mëse e domosdoshme rritja e numrit të femrave në polici, por edhe avancimi i tyre pa dallim, duke respektuar femrën si vlerë, e mbi të gjitha parimin e rekrutimit mbi bazën e meritave.

Për të dëshmuar vlerën e secilës grua pjesëtare në Policinë e Republikës së Kosovës, sot, në këtë përvjetor, femrat brenda kësaj organizate për qytetarët kosovar dhe gjithë opinioni japin një imazh pozitiv të femrave në polici, të cilat respektojnë uniformën, ushtrojnë profesionin me ndjenjën e përgjegjësisë së njejtë sikurse policët meshkuj.

Atyre që ende kanë mendimin se femra nuk është e denjë të kontribuoj në sektorin e sigurisë dhe se ky domen u takon meshkujve, u them: edhe pas 23 vjetëve liri nga pushtuesi, kthjelleni mendjen, kujtesën, mos i harroni të gjitha ato femra, ato shqipe mali që ishin pjesë e UÇK-së, shumë prej të cilave ranë dëshmore dhe u bënë fanar i kësaj lirie dhe sigurie që e gëzojmë sot!

Mjetet e informimit: shtypi, radio, televizioni, mediet online, të gjitha kanë ndikim në informimin e opinionit, kur transmetohen, paraqiten dhe kultivohen përmbajtje dhe emisione të cilat kanë vlera të shëndosha morale, edukative, ligjore. Përmbajtjet e tilla ndikojnë në vetëdijësimin e qytetarëve për rolin e policisë në sigurinë e shtetit, përfshirë edhe kontributin e pamohueshëm të femrave në polici dhe në tërë sektorin e sigurisë, në pengimin e sjelljeve kriminale dhe për masat parandaluese në këtë drejtim, për tejkalimin dhe ballafaqimin me sukses ndaj çdo sfide që i kanoset ose e rrezikon shoqërinë, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Gjithnjë duke respektuar parimin e meritokracisë, mosdiskriminimi dhe kyçja e femrave në Policinë e Republikës së Kosovës dhe në organet e tjera të sigurisë duhet të shihet si kyçje meritore, pasi femra është treguar e zonja dhe e gatshme të kontribuoj edhe në sigurinë e shtetit, por fatkeqësisht disa njerëz e konsiderojnë si domen i meshkujve. Ky perceptim i gabuar tanimë le t'i mbetet së shkuarës, pasi sot niveli arsimor i femrave po rritet çdo ditë e më shumë, femrat janë më pak të korruptuara në krahasim me meshkujt, po tregohen të suksesshme dhe të shkathta, madje edhe aty ku shumë herë gjinia mashkullore nuk arrin të tejkaloj problemet dhe sfidat pa ndihmën e femrës.

Duke e ditur dhe duke respektuar rolin e femrës në Policinë e Republikës së Kosovës; duke vlerësuar dhe çmuar rolin e të gjithë policëve pa dallim gjinie, nacionaliteti, feje,...; duke çmuar rolin e tyre për sigurinë tonë personale, të rrethit ku jetojmë dhe për shtetin e sigurtë për të gjithë ne, ashtu siç e meritojmë si popull paqedashës, urojmë: 23-vjetori i themelimit i Policisë së Republikës së Kosovës le të jetë festë, por edhe fat i mbarë dhe i suksesshëm i realizimit të të drejtave dhe të përgjegjësive të të gjithë atyre që kontribuojnë në këtë organizatë!

Suksese në funksionin dhe në përkushtimin për përmbushjen e misionit të shenjtë!

...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat