Vepra heroike e Haki Tahës – thirrje për bashkim kombëtar

Opinione

Vepra heroike e Haki Tahës – thirrje për bashkim kombëtar

Nga: Shpend Topallaj Më: 11 shtator 2022 Në ora: 21:31
Autoi Shpend Topallaj

Në gjithë historinë e Shqipërisë, janë disa krisma armësh që kanë lënë gjurmë lavdie në psikikën e popullit tonë, duke na bërë krenar, por sikur të donim t`i veçonim ato më emërmëdhatë, do të përmendja ato të Avni Rustemit, Vasil Laçit, Adem Jasharit dhe patjetër ato e heroit tonë Haki Taha që vrau atë ditë marsi të vitit 1945, emisarin jugosllav antishqiptarin Miladin Popoviç. Prandaj sot është një ditë e shënuar, pasi përtej hartimit të një libri nga autorët e nderuar atdhetarë Bajram Halil Gashi e Halil Ahmeti, dhe akoma më tutje gjestit burrëror të protagonistit Haki Taha, ne po evokojmë vetë historinë e cila sikurse e ka saktësuar dikush, s`është tjetër veçse filozofia në shembuj. Dhe e gjithë kjo, pasi akti i Haki Tahës është vetëdija popullore, është brenga e madhe që na mundon të gjithë ne shqiptarëve, është revolta e ligjshme e Kombit, është lumi i gjakut që është derdhur dhe sakrificat e panumërta që brez pas brezi kemi bërë. Është tek e fundit, aspirata jonë e përbashkët ende e pa realizuar.

E meqenëse e nisa kështu ligjeratën time, lejomëni t`u kujtoj thënien lapidare të Viktor Hygoit që pyetjes se çfarë është historia, ju përgjigj: “Një jehonë e së kaluarës në të ardhmen, një pasqyrim i së ardhmes në të shkuarën.” E parë kështu, natyrshëm që edhe neve na lind me të drejtë pyetja: Libri që po promovojmë, ka pasur si qëllim të na shuajë kureshtjen dhe të zbardhë si në një roman policesk, veprimet trimërore të mësuesit - intelektual që sollën vrasjen e një jugosllavi me influencë në zhvillimet tona komuniste, dhe më pas vrasjen e vetë atij, apo efektin që patën në popull për zgjimin e ndërgjegjësimin e tij se ende ato krisma nuk kanë sjellë synimin për të cilin u shkrepën? Vetë autorët e kanë cituar thënien lakonike, por mjaft të mençur, se “Koburja u shkrep për t`u dëgjuar në shekuj”. Por çfarë e shtyu Hakiun drejt këtij sublimimi? Kujtoni jetën e tij prej nxënësi në shkollat tona, dhe atë të mësuesit të ndershëm e të përkushtuar vetëm në Shënavlash, ku e mbajnë mend për njeri korrekt dhe të përkushtuar, që fliste me pasion e pjekuri për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Shihni pastaj portretin e tij, ku shkëlqen një inteligjencë e një njeriu që di se ç`bën. Ndiqni dëshmitë e të gjithë atyre që kishin dijeni për rolin që ai mori përsipër në organizatën që krijuan. Sillni ndërmend fjalët që shkëmbeu me Miladinin në zyrën e tij, gjakftohtësinë, vendosmërinë dhe trimërinë që tregoi në vrasjen e tij. Dhe pastaj, vetvrasjen, për të mos rënë në dorën e serbëve dhe atë flamurin kombëtar që mbante në gji, ku pati shkruar “Kosovës liri - bashkim me Shqipërinë”. Dhe mendoni se sa i poshtër ishte qëndrimi që PKSh - ja dhe Enver Hoxha, mbajtën ndaj veprës së tij.

Për aktin e Haki Tahës u servirën disa variante zyrtare dhe të kulisave, sipas koniukturave politike që diktaturës i interesonte. Autorët, me besnikëri na e kanë dhënë gjithë rrjedhën e tyre, edhe kur midis varianteve mund të kishte mospërputhje. Por janë disa gjëra themelore që kanë një dhe vetëm një realitet. E tillë është edhe ajo mbledhja e Bashkisë këtu në Gjakovë, në frorin e vitit 1945, ku u zhvillua takimi me Miladinin dhe ku ai, duke ikur si i tërbuar pas pyetjeve që i bëri një qytetar, se përse nuk po bëhet bashkimi, iu përgjigj: Or, ti shok, a hala me ksi andrrash po e rreni vetveten… a..?! Dhe këto fjalë plot paturpësi e cinizëm tingëlluan mjaft rëndë për idealistin Haki Taha që ishte i pranishëm, dhe që fill pas kësaj bindet se i duhet një armë. Dhe ajo armë nuk bëri ndonjë krim, por ndëshkoi në mes të Prishtinës, kriminelin e çështjes shqiptare, shok të kryekriminelit Dushan Mugosha. Ai e dinte mirë dhe e përjetësoi porosinë e Naim Frashërit i cili thosh: “Jetoni për Shqipërinë dhe vdisni për të”.

Dhe mesazhet ai i kishte dhënë me kohë, qysh kur shkruante poezinë “Kosovë, o shpirti jonë”! ku shprehej: Shqiptarë ke, shqiptare je, / Shpirti nga trupi kurr` s`mund t`ndahet, / N`ty jetojmë, n`ty kem` le, / Gjaku ujë kurrë s`mund të bahet!” Autorët e këtij libri monografik, me një stil të qartë e të thjeshtë, duke dashur të futen në vetëdijen e çdo lexuesi, me shumë të drejtë e kanë gjetur të udhës që paralelisht të na japin kohën andej e këtej kufirit, kur kjo ngjarje ka ndodhur. nshtrim deri në servilizëm ndaj serbëve, kërkesa Titos për ta bërë Shqipërinë e Gjergj Kastriotit që i tregoi vendin perandorisë më të madhe të kohës, republikë të shtatë të Jugosllavisë, intriga në kurriz të Kosovës, vrasje masive të të ashtuquajturve nacionalistë që s`kërkonin tjetër veç bashkimin kombëtar, nën pretekstin absurd të bashkëpunimit me okupatorin, tortura, burgosje, internime, dyshime të pandara dhe shumë shpesh shkëmbime të atyre që reciprokisht kalonin kufirin, akuza se të gjithë kosovarët janë spiunë të UDB - së e të tjera poshtërsi që bënë ato regjime mizore, shoqërojnë veprën e Haki Tahës.

Dhe këtu, askush nuk duhet të çuditet, pasi a nuk ishte Enver Hoxha, rajai i Miladinit, Dushanit, Tempos me shokë, ai që qysh gjatë luftën Nac - Çl, eliminoi pas shpine shokët e tij, si fjala vjen ata të fraksionit të Vlorës etj. që nuk donin paternalizmin jugosllav dhe propagandonin bashkimin e Kosovës? A nuk ishte po ai që për t`i bërë qejfin Titos, dëgjoi Miladinin, dhe denoncoi Marrëveshjen e Mukjes duke i çuar shqiptarët në luftë vëllavrasëse? Unë e di se në popullin e ndershëm të Kosovës, ende mund të ketë ndonjë keqkuptim për qëndrimet hipokrite të E. Hoxhës dhe partisë së tij ndaj çështjes së Kosovës. Dhe kjo e ka një shpjegim: të lodhur deri në raskapitje, nga përbuzja, keqtrajtimi, diskriminimi e ndëshkimi rankoviçian, njerëzit e Dardanisë krenare, e mendonin shpëtimin tek atdheu amë, pa ditur se ku e kishin katandisur atë.

Veç, është jashtë çdo dyshimi, se plumbat që u shkrehën mbi Miladinin, së pari i meritonte vetë Enveri. Edhe ia e ndiente këtë, prandaj vijonte ta quante atë komunist internacionalist dhe Haki Tahën e dënoi me heshtje. Hakun e mori tek i vëllai dhe Qazim Vula, hetuesia, burgu dhe vuajtjet e të cilit, sikurse i ndeshim në libër, flasin shumë. Dikush ka thënë se “Vepra historike mund të quhet e përfunduar jo atëherë kur u krye por vetëm pasi ajo të jetë bërë pronë e pasardhësve”. Ne, falë luftës lavdiplote të UÇK - së dhe asaj të NATO - s me SHBA në krye, të cilës do t`i jemi përjetësisht mirënjohës, po jetojmë lumturisht një tjetër realitet. Por a e kemi shpënë deri në fund amanetin e dëshmorëve tanë?

Mendoj se kemi ende shumë për të bërë, pasi është gjëja më absurde që Shqipëria të mbetet ende e ndarë. Politikanët tanë të angazhuar me sherret mes tyre në luftën për pushtet, ose kanë harruar të ngrenë zërin deri në kupë të qiellit, për paradoksin e ndarjes dhe domosdoshmërinë e bashkimit ose janë frikacakë dhe jo pasardhës të atyre trimave që duke mbetur ndër rapsodi, janë shndërruar në legjenda. Uroj që kurrë të mos më dalë fjala, por e kam shprehur publikisht ndër librat e mij dhe në artikujt e botuar, se po lodhen kot duke përkëdhelur politikën agresive serbe, duke ju lutur atyre ta njohin shtetin e Kosovës, se gjoja ata do të bëhen tani e tutje miq me ne. Po pse, dinjiteti, liria e pavarësia e Kosovës tonë të shtrenjtë ka mbetur në dorën e Gebelsit Aleksandar Vuçiç?

Si mund të shkohet në bisedime me atë që thotë ndërkombëtarisht se nuk e njohim dhe nuk do ta njohim ndonjëherë shtetin e Kosovës? A nuk të kujton kjo historinë e gjeneralit Konde që pasi hyri në qytetin e pushtuar, ku nuk ranë këmbanat, dhe pyeti për këtë Prefektin, ky iu përgjigj se ka 19 arsye, ku e para ishte se nuk kishte këmbana. Por fundja, Kosovës ju prish gjiza po nuk e njohu Serbia. Askujt nuk i ka ardhur e keqja nga shqiptarët. Ata që e kanë pësuar, jemi ne, që na coptuan sikur të ishim kulaçi i gjysheve të tyre. Por të mos harrojmë, se zgjidhja përfundimtare e problemit tonë kombëtar, ka nevojë sidomos edhe për fjalën e zgjuar, argumentuese e kurajoze të intelektualëve, historianëve, shkrimtarëve dhe poetëve që sidomos Kosovës nuk i kanë munguar asnjëherë.

Mund ta kem gabim, se fundja përmendja e emrave nuk më nderon dhe as e kam të drejtën t`i bëj gjyqin ndokujt, por gjersa ata shpallen vetë, mendoj se ide të tilla si ajo e Lulzim Pecit, Agron Demjajas, Halil Matoshit, Nexhmedin Spahiut e ndonjë tjetri, se Shqipëria dhe Kosova janë dy kombe të ndryshme, është as më shumë e as më pak, por zgjatim i teorive të Vasa Cubriloviçit dhe gjithë antishqiptarëve të tjerë, deri te rrufjani Kapllan Resulbegoviç.

Të tilla shpikje i bëjnë një dëm e karshillëk të madh aspiratës shekullore të popullit tonë, të shkruar me gjak dëshmorësh e martirësh. Mendoni si do të ndiheshin dhe sa do të zhgënjeheshin, sikur të ngriheshin nga varret ata që dhanë jetën për këtë bashkimin. Pikërisht kjo ja shton edhe më shumë vlerat librit të Bajram Gashit e Halil Ahmetit për një hero të pavdekshëm që na mblodhi sot. Ky libër i shkruar me kaq dashuri sikur na thotë se është koha më shumë se asnjëherë tjetër të kujtojmë thirrjen e Hasan bej Prishtinës që ja kushtoi jetën këtij bashkimi, se “Mëmëdheu qan për trima e burra, por jo për qyqarë e tradhtarë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat