Bislimi Letër Guterres për Luginën në Ditën e Kombeve të Bashkuara

Opinione

Bislimi Letër Guterres për Luginën në Ditën e Kombeve të Bashkuara

Nga: Faton Bislimi Më: 25 tetor 2022 Në ora: 19:10
Faton Bislimi

24 tetori shënon Ditën e Kombeve të Bashkuara! Ky 24 tetor shënon 77 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe po në këtë ditë, i dërgova një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Antonio Guterres.

Një nga dokumentet themeltare të OKB-së, pos Kartës së OKB-së, është edhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Në Ballkan, sot, nuk ka pakicë kombëtare që vuan më shumë sesa shqiptarët në Luginë të Preshvës; nuk ka shtet që pretendon të jetë demokratik e bile edhe ka statusin e shtetit kandidat për aderim në BE e që diskriminonon etnikisht e abuzon me të drejtat e shqiptarëve sesa Serbia. Kauza jonë e drejtë dhe shpërfaqja e fytyrës së vërtetë të Serbisë ndaj shqiptarëve duhet ekspozuar në cdo rast e cdo instancë ndërkombëtare.

Andaj, si ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar ekzekutiv i bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në letrën dërguar z. Guterres në Ditën e Kombeve të Bashkuara, e njoftova atë për situatën jashtëzakonisht të rënduar dhe abuzive në të cilën sot jetojnë shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës.

Duke e njoftuar z. Guterres me vizitën e fundit në SHBA me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe takimet që patëm javën që shkoi me Anëtarë të Kongresit e zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për të diskutuar nivelin në rritje e sipër të diskriminimit etnik ndaj shqiptarëve të Luginës dhe pasojat që vazhdimi e përkeqësimi i kësaj situate mund të sjellë për paqën dhe stabilitetin në rajon, në letër po ashtu potencova se “Lugina e Preshevës është rajoni më i pashpresë dhe i varfër jo vetëm në Serbi, por ndoshta në krejt Ballkanin, për një mori arsyesh, ndër të cilat më kryesoret janë mungesa e të drejtave politike, etnike e njerëzore. Me luftën në Ukrainë dhe vendosshmërinë e Serbisë për t’i qëndruar besnike Putinit (duke mos i vendosur sanksione Rusisë përkundër kërkesave të BE-së e SHBA-së për të bërë një gjë të tillë), ky rajon mbetet arenë e hapur për konflikt të ri. Rusia vazhdon të ketë prezencë të shtuar edhe të shërbimeve intelegjente edhe atyre ushtarake në Serbi nën petkun e “Qendrës Humanitare” në Nish. Deklarimet e vazhdueshme të zyrtarëve rusë që vënë paralele të paqenë në mes të Krimesë dhe Kosovës janë indicatorë shtesë për mundësinë e përhapjes së një konflikti në rajonin e Ballkanit.”

Tutje në letër kam shtuar se “shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës janë stërlodhur nga diskriminimi i vazhdueshëm shtetëror që iu bëhet në baza ditore nga Beogradi,” dhe se “rritja eventuale e tensioneve në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë, si dhe abuzimi i të drejtave bazike njerëzore ndaj shqiptarëve etnikë në jugun e Serbisë, tregojnë se sa e lartë është mundësia që një shkëndijë të përhapë flakë të reja në gjithë rajonin e Ballkanit. E kjo, do t’i shkonte për shtati vec Rusisë dhe jo interesave gjeostrategjike perëndimore.”

Po ashtu, duke i rikujtuar historinë e angazhimit të OKB-së në Ballkan dhe duke potencuar se paqja afatgjate arrihet vetëm "përmes normalizimit të marredhenjeve Kosove-Serbi me marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët të përqëndruar në njohje reciproke," z. Guterres i shkrova se "tanimë ka ardhë koha që fokusi dhe vëmendja e OKB-së të kthehen kah shqiptarët në Luginën e Preshevës."

“Andaj, me mirësi ju ftoj që të kërkoni nga Zyrja e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së (OHCHR) të adresojë cështjen e të drejtave të njeriut për shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës dhe t’i bëjë trysninë e merituar Beogradit zyrtar për të zbatuar Kartën e OKB-së dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, të dyja këto dokumente ndërkombëtare të nënshkruara edhe nga Serbia,” kam shkruar tutje në letër. “Të mbyllim sytë para një diskriminimi kaq grotesk shtetëror dhe para një politike të heshtur të spastrimit etnik nga Beogradi ndaj shqiptarëve etnikë të Luginës së Preshevës bije ndesh me misionin për të cilin janë krijuar Kombet e Bashkara dhe OHCHR. Kështu që, shpresoj shumë se zyrja juaj do të ndërmerrë hapat e duhur që në mënyrë të duhur të adresoj këtë cështje menjëherë, dhe ju falëmnderoj për lidershipin tuaj në përpjekje për të siguruar një botë më të sigurtë dhe më përparimtare për të gjithë,” kam përfunduar letrën drejtuar z. Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat