Tensionet në veri, Qasja, afektimi, pasojat...!

Opinione

Tensionet në veri, Qasja, afektimi, pasojat...!

Nga: Fatmir Bajraj Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 22:29
Autori Fatmir Bajraj

Synimi i Vuçiqit dhe qasja e Kurtit, dërgojnë Veriun e Kosovës jashtë juridiksionit kushtetues & shtetëror të Kosovës, drejtë një protektorati ndërkombëtare, me premisa të shkëputjes nga Republika e Kosovës.

Mungesa e koordinimit, bashkërendimit dhe n ‘fund edhe refuzimi klasik i kërkesës decidive të partnerëve tanë strategjik euro-perëndimor: BE & NATO, si dhe të vet SHBA-ve, drejtuar Kryeministrit Kurti, që zbatimi i vendimit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato legale të RKS të shtyhet për 10 muaj, ka favorizuar Serbinë, dëmtuar Kosovën dhe lënduar partneritetin jetik me aleatet tanë n ‘krye me Amerikën.

Vendimi i Kurtit edhe pse legjitim & legal, politikisht është një gabim kardinal me pasoja për vendin.

Kryeneçësia e Kurtit, sofistikon pozicionin serb n ‘Dialog dhe dobëson pozicionin negocius të Kosovës në Bruksel, në një kontekst historik kur Serbia për shkak të pozicionimit të saj pro-rus dhe jo gatishmërisë së unifikimit me BE-në, përballë Rusisië Putiniste, gjendej në një pozitë të palakueshme dhe t ‘rrënuar gati tërësisht, dhe për habinë e të gjithëve, vendimi anakronik i Kurtit për shkallëzimin e zbatimit të vendimit për targat, e nxjerrë Vuçiqin nga ky pozicion i zymtë dhe e vë Kosovën si targat të presionit dhe si palë t ‘papërgjegjshme karshi BE-së, NATO-së dhe Amerikës të cilët janë të impenjuar në një betejë të madhe gjeopolitike, kundër Rusisë së Putinit dhe agresionit të saj në Ukrainë.

A ka Kurti kapacitete dhe potenciale shtetërore-menaxhuese ta përballoj destruktivitetin serb dhe peshën e zhvillimeve politike duke refuzuar dhe injoruar partnerët strategjik ?

Padyshim se Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Kurti, nuk janë në gjendje të menaxhojnë krizën e shkaktuar nga Serbia në radhë të parë, por dorën në zemër edhe me fajin e vet duke i vënë ulje zjarrit, në vend që të ndodhte e kundërta dhe me partnerët tanë të cilët i kemi këtu dhe kujdesën për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë dhe jo vetëm.

Çfarë mund të afektoj eskalimi i gjendjes në veri, me refuzimin e serbëve lokal t'i binden autoriteteve shtetërore pas shqiptimit të dënimeve pas 21 nëntorit të këtij viti ?

Unë nuk pres konflikt të armatosur ; Kosovë vs Serbi, kur dihet se këtu janë paqeruajtësit e NATO-së dhe Misioni i EULEX-it, por ndërhyrja e tyre për paqëtimin e situatës e sjellë Kosovën dhe Institucionet e saja kushtetuese në një pozicion zmbraps duke u detyruar që hapësirën e një rajoni të trazuar ta marrë n ‘kontroll një mision i tejkaluar ndërkombëtarë dhe neutral ndaj palëve, e për pasojë edhe trajtimi i Veriut të vendit do ishte një formë protektorati, fakt ky që i intereson Serbisë dhe është interes i saj, por assesi edhe i yni si shtet i pavarur !

Kryeministri Kurti, me apo pa vetëdijshëm, po rrezikon integritetin dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës, përveç nëse SHBA-të në krye të NATO-së, parandalojnë përshkallëzimin e situatës dhe keqësimin e gjendjes n ‘veri, duke qenë të gatshëm të marrin mbi supe implementimin e të gjitha vendimeve të Kryeministrit Kurti, edhe atëherë kur këto vendime nuk janë n'korelacion me interesat e perëndimit n'Kosovë dhe n ‘Ballkanin perëndimor, në çka unë dyshoj me të drejtë.

Boshllëku i krijuar në veri, pas sabotimit të të sistemit kushtetues nga ana e serbëve lokal atje, përfshi dorëheqjet e katër kryetarëve të katër Komunave me shumicë serbe, si dhe tërheqja e "Listës Serbe" nga Parlamenti i Kosovës si përgjigje ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për targat, kuptohet të dirigjuar e të instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar, nuk besoj se mund të kompensohet me makinacione dhe arnime hibride kur kihet parasysh gjendja faktike e pakicës serbe atje dhe presionet e jashtëzakonshme nga Serbia me një skenar të definuar e t ‘rafinuar deri n ‘detaje për ta sabotuar e bankrotuar shtetin e pavarur të Kosovës.

Nxjerrja e veriut jashtë juridiksionit kushtetues të Republikës së Kosovës për shkak të tensioneve në rritje atje dhe pafuqisë së Qeverisë së Kosovës për ta menaxhuar dhe mbajtur nën kontroll, kuptohet po që se paraprakisht nuk pezullohet vendimi për targat dhe gjendja kthehet në pozicionin fillestar, rrezikon definitivisht ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, madje pa pasur nevojë as për Asociacion të Komunave me shumicë serbe, konform Marrëveshjes se 13 prillit 2013, të ratifikuar edhe n ‘Parlamentin e Kosovës.

Çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Kurti që të evitohet përkeqësimi i gjendjes në veri, para se të vihemi para aktit të kryer si institucione dhe si shtet?

Menjëherë të pezulloj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave, duke përfillë kërkesën e partnerëve tanë strategjik, dhe duke treguar lidership për hir të interesit nacional-shtetëror të Republikës së Kosovës, dhe po ashtu të inicoi në Qeverinë e Republikës së Kosovës draftimin e projekt-Statutit të AKS-së, sipas Marrëveshjes së parë të 2013-tës dhe Aktgjykimit këshill-dhënës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila do bënte filtrin e Statutit brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Po që se z.Kurti, nuk tregon lidership në këtë temë, tanimë kapitale për Kosovën, Ballkanin perëndimor dhe vet perëndimin, atëherë këtë adresim do ta marrë përsipër BE & SHBA-të, me një projekt: Merre ose leje, dhe për të cilin nuk ka garanci se i njëjti do të jetë në harmoni me interesat tona shtetërore !

Uroj që kjo të mos ndodhë, ngase pasojat do ishin afatgjate dhe jo vetëm!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat