“Zajednica” ose patatja përvëluese në duart e Albin Kurtit!

Opinione

“Zajednica” ose patatja përvëluese në duart e Albin Kurtit!

Prof. dr. Enver Bytyçi Nga Prof. dr. Enver Bytyçi Më 15 dhjetor 2022 Në ora: 11:51
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq

Diplomati i lartë amerikan, Gabriel Escobar, ishte për vizitë në Prishtinë dhe Beograd. Gjatë këtij turneu atij iu bashkua gjithashtu interlokutori europian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Gjatë qëndrimit të tyre në Prishtinë ata u takuan me personalitetet kryesore të Kosovës. Madje Escobar u takua dy herë me Kurtin. Takimi i dytë ishte padyshim rikthim për të marrë përgjigje për ndonjë dilemë të kryeministrit të Kosovës sa i përket opsioneve që janë diskutuar.

Betejë për territorin e Kosovës

Kërkesa për krijimin e asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u dha në formën e një ultimatumi nga ana e diplomatit amerikan. “Ose krijojeni ju, ose do ta krijojmë ne”, tha në një farë mënyre ai. Dhe kur foli për krijimin e një asociacioni të tillë, pa pjesëmarrjen e qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës, Escobar përmendi shoqërinë civile, sipërmarrjen e biznesit etj. Ndoshta ka patur në mendje partitë opozitare të Kosovës, përfshirë edhe Listën Srpska. Nuk është për t’u zhvleftësuar ajo se në këtë plan bën pjesë njëkohësisht kërkesa e tij që të dorëhequrit nga institucionet të pranohen nga zoti Kurti. D.m.th. që në vend të deputetëve që u betuan rishtazi të vijnë ata që ishin më parë.

Mënyra si zoti Escobar u shpreh la të kuptojë se i dërguari i Presidentit Biden për Ballkanin nuk ka patur biseda të ngrohta e mirëkuptuese me kreun e ekzekutivit të Kosovës. Pra, kjo çon në arsyetimin që Kurti e ka kundërshtuar idenë e krijimit të asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por a ka të drejtë kryeministri dhe drejtuesit e tjerë të institucioneve ta kundërshtojnë këtë lloj asociacioni? Nëse një politikan i përmbahet projektit me të cilin ai ka marrë votëbesimin e qytetarëve, atëherë ai duhet të ketë qëndrimin e tij, bazuar në këtë votëbesim.

Kurti në fushatë elektorale ka kundërshtuar kategorikisht atë që e quante „Zajednica”. Për “Zajednicën” ai „kalli“ sallën e parlamentit. A është e mundur që tani po i njëjti politikan i Kosovës të rikthehet e të bëjë atë që bënë kundërshtarët e tij politikë e të mundur prej tij dhe Vjosa Osmanit? Unë besoj se është e pamundur! Nga pikëpamja politike kërkesa ultimative e zotit Escobar për Albin Kurtin si politikan është asgjësuese.

Por krijimi i një asociacioni, çfarë e kërkon Beogradi, është thellësisht asgjësues edhe për shtetësinë e Kosovës. Beteja për territorin e Kosovës, nëse krijohet një asociacion i tillë, bëhet edhe më e ashpër në veri të vendit. Në vend që të vijë zgjidhja e këtij konflikti çfarë është sot, asociacioni bëhet pikë-nisje e një konflikti të ri e afatmesëm, deri në asgjësimin e këtij territori dhe aneksimin e tij prej Serbisë. Këtë e dinë edhe naivët. Sigurisht që e di Gabriel Escobar.

Atëherë pse u dha ky ultimatum? Ndoshta kemi të bëjmë me një premtim të diplomatëve amerikanë dhënë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për formimin e “Zajednicës”! Dhe kjo me shumë gjasa do të ketë ndodhur, derisa këtë kërkesë e artikulon vazhdimisht edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill. Megjithatë gjykoj se nëse ka një premtim të tillë, edhe ai e ka një shkak. Pra, lind pyetja enigmë, pse amerikanët i kanë premtuar presidentit Vuçiq për diçka që është në kompetencën e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës? Aq më tepër kur ata e dinë se kjo qeveri ka ardhur në pushtet për shkak të luftës së Vetëvendosjes kundër “Zajednicës”?!

Nuk mund të hamendësojmë aq shumë. Megjithatë, duhet besuar se amerikanët në këmbim të paqes dhe stabilitetit në Kosovë e në rajon janë të gatshëm të sakrifikojnë diçka thelbësore nga territori kosovar. Në rastin konkret territorin e veriut të vendit. Kjo është më e keqja që mund të ndodhë. A janë të gatshëm ta pranojnë këtë të keqe qytetarët e Kosovës?! Kjo mund të merret vesh, nëse shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme politike, përmes votës së tyre, se kë votojnë ata. Nëse votojnë shoqërinë civile, apo përfaqësuesit e sipërmarrjes dhe biznesit, atëherë zoti Escobar mund t’i përdorë ata, pasi të vijnë në qeveri, që ta formojnë “Zajednicën”.

Ultimatumet duhet adresuar në Beograd

Ndoshta zoti Escobar e ka patur fjalën për opozitën, si alternativë tjetër për ta sjellë në pushtet dhe për ta formuar një Republikë Srpska në Kosovë. Atëherë qytetarëve u duhet thënë hapur se zgjedhjet po bëhen për këtë arsye, për ose kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nëse ata votojnë pro „Zajednicës“, dmth do të votojnë opozitën, në të kundërtën do ta votojnë mazhorancën e sotme. Unë nuk shoh zgjidhje tjetër për të deshifruar atë që diplomati i lartë amerikan artikuloi në Prishtinë. Nuk shoh as alternativë tjetër që e zgjidh ngërçin që ekziston. Se kush ka të drejtë, Kurti apo Escobar, këtë duhet ta vendosin pra qytetarët. Me votë.

Nëse i kërkohet Albin Kurtit një gjë për të cilën ai është betuar kundër saj, atëherë ai ose duhet të dalë nga politika, ose duhet ta pranojë e të llogarisë që në zgjedhjet e ardhshme të ikë nga pushteti me shumë turp, ose ndryshe duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme politike pikërisht për t’i dhënë përgjigje kërkesës – ultimatum të Gabriel Escobarit. Patatja e nxehtë e përvëluese tashmë është në duart e kryeministrit Kurti. Pas asaj deklarate të zotit Escobar nuk shihet ndonjë opsion tjetër qëndrimesh.

Për mua ultimatumet duhen adresuar në Beograd dhe jo në Prishtinë. Pazotësia për ta bind ose detyruar një kriminel, si Aleksandër Vuçiqi, që të heqë dorë nga krimet që vazhdon të kryejë edhe sot në Kosovë, nuk është argument për t’i bërë presion qeverisë Kurti për të shkatërruar me duart e tij shtetin dhe shtetësinë e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat