Serbia synon atë asociacion që shpie në disociacion dhe mandej përfundimisht në riokupim dhe aneksion

Opinione

Serbia synon atë asociacion që shpie në disociacion dhe mandej përfundimisht në riokupim dhe aneksion

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 22:07
Autori Prof. Dr. Zija Lleshi

Kur flitet për ”Asociacionin e komunave me shumicë serbe” të pashmangshme janë disa karakteristika të veçanta nga memoria historike por edhe ato karakteristika nga gjendja e tanishme e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Së pari dallohet fakti se pakica etnike serbe në Kosovë i gëzon të gjitha të drejtat ndërkombëtare që bazohen në LNDLNj si dhe të drejtat shtesë tjera të destinuara për pakica, që rezulton si ”diskriminim pozitiv”, dhe se pakica etnike serbe në Kosovë kanë të drejta më të mëdha se çdo pakicë etnike tjetër në botë. Por Serbia është akoma e pa kënaqur.

Kjo të bënë të gjykohet se Serbia në këtë rast nuk mendon posaçërisht për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë, por Serbisë i dhemb fakti se Kosova sot është e lirë dhe shtet i pavarur. Nuk ka mundësi më ta shfrytëzoj Trepçën dhe Ujmanin. Kjo është dhembja më e madhe e saj. Kjo e vërtetë i dhemb pa masë Serbisë. Kjo e vërtetë Serbinë nuk e lërë, siç thuhet në popull, të bëjë gjumë të rehatshëm. Kurse të nesërmen përpiqet të keqpërdorë pakicën e vetë etnike si mjet politik për de stabilizim, trazira, tensione, barrikada, konflikte etj. që të tregojë botës kinse Kosova shtet i pavarur dhe sovran nuk mund të jetë shtet stabil. Serbia, në hegjemonizmin e vetë, ka etje ekspansioniste të pashuar gjithnjë për territore të reja. Për territore të reja e më të reja. Për këtë Serbia brengoset në mënyrë permanente. Serbia është e dehur me okupimin dhe kolonializmin e Kosovës dhe nuk pajtohet me çlirimin e Kosovës dhe fundin e marrëdhënieve koloniale të Serbisë të shprehura edhe më herët në revoltën gjithë popullorë të shqiptarëve me parullën “Trepça punon – Beogradi ndërtohet”. Formimin e asociacioneve Serbia e mendon si formë e re e planeve të veta të vjetra hegjemoniste e koloniale dhe gllabërimin e territoreve të reja.

Për asociacionin ka folur edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prej nga kuptohet që si bazë ai thekson respektimin e Kushtetutës Kosovës dhe Ligjin e Kosovës si dhe nuk mund të ketë asociacion të atillë mono etnik në Kosovën multietnike, të këtillë të formuluar edhe sipas Ahtisaarit. Prandaj në Kosovën multietnike duhet të dominojë e të jetë sa më funksional bashkëpunimi multienik ndër komunal dhe fqinjësor. Kjo është ideja, fryma dhe detyra primare e asociacionit; pra, bashkëpunimi ndër komunal e fqinjësor në të gjitha fushat si dhe në mënyrë të veçanta bashkëpunimi multikulturor dhe ai interkululturor, që është po ashtu një dimension i veçantë i bashkëpunimit të tërësishëm.

Mirëpo (mini)komunat me shumicë serbe në Kosovë, për të cilat bëhet fjalë, nuk e kanë elementin e kompaktësisë territoriale e gjeografike dhe janë të shpërndara andej e këndej, si mini-territore dhe madje disa të shpërndara që nga veriu deri në jug të Kosovës, si dy pika më ekstreme të shpërndarjes. Prandaj “Östbelgijen” (“Belgjika e lindjës”), për të cilën flitet të jetë si model për Kosovën, e ku ajo pakicë etnike gjermane atje është krejtësisht kompakte dhe homogjene e koncentruar ekskluzivisht në lindje të Belgjikës, në kufi me Gjermaninë, është shembull i kundërt për pakicën etnike serbe në Kosovë nga perspektiva e kompaktësisë dhe fqinjësisë territoriale, gjeografike dhe etnike, si parametra qendror të mundësisë reale praktike frytdhënëse për bashkëpunim e lidhje ndër komunalë, dhe më tepër mund të tregoj se sa shumë ndryshon rasti Östbelgien me komunat me shumicë serbe në Kosovë të shpërndara gjithandej, sesa të ketë ndonjë analogji e të shërbejë si model për Kosovën. Në aspektin konstitucional po aq nuk ka analogji dhe është i theksueshëm dallimi sepse Belgjika është shtet federal, kurse Kosova ka rregullim shtetëror unitar. Dihet se shembujve të kundërt nuk mund të iu shërbej i njëjti model.

Kjo mungesë e elementit qenësor të nevojshëm të kompaktësisë etnike, territoriale e të fqinjësisë dhe shpërndarja e gjerë gjeografike e komunave me shumicë serbe në Kosovë do ta bënte atë asociacion krejtësisht jofunksional dhe me këtë edhe krijimin e tij të paarsyeshëm. Në anën tjetër kuptohet se askush nuk mund të ngritet mbi Kushtetutën. Prandaj këtë nuk e dëshiron as Kryeministri i Kosovës. Më në fund edhe çdo vendim i rastit, qoftë edhe për asociacione, që nuk e respekton Kushtetutën dhe ligjin e Kosovës, më pastaj Kushtetuta e shpallë atë vendim të pavlershëm. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese ( § 83/4) lejon në Kosovë asi asociacioni që ” është në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje lokale dhe ligjin e Kosovës”. Çdo hap mund të lejohet vetëm në përputhje me këtë aktvendim.

Faktet historike hedhin dritë të mjaftueshme në këtë problematikë dhe karakteristikat kryesore përcjellëse historike të asociacionit. Serbia në thelb të politikës vetë e ka hegjemonizmin që nga koha e “Pashallëkut të Beogradit “ (aboluar më 1878) me kryeqytet Smederevën. Që nga ajo kohë Serbia në hegjemonizmin dhe ekspansionizmin e shfrenuar të vetë është zgjeruar në jug të Ballkanit, duke krye gjenocid e terror në popullin autokton shqiptar të cilin e ka takuar aty dhe duke i dëbuar nga tokat e tyre stërgjyshore dem baba dem. Luftonte Serbia dhe e dëbonte Perandorinë Otomane, pushtuesin e vjetër të shqiptarëve autokton dhe të atyre tokave. Luftonte Serbia dhe kryente terror dhe gjenocid edhe dëbonte sa më shumë edhe vendasit autokton shqiptarë, që Serbia vetë të shtrihet dhe të pozicionohet si pronare e vetme në tokat e reja, tani të zbrazëta apo gjysmë të zbrazëta, e për atë pakicë shqiptare akoma të mbetur aty, të u imponohet si pushtues i ri me tërë rrezikshmërinë dhe egërsinë e vetë. Atëbotë Serbia nuk mendonte për asociacione sepse e kishte pushtuar tërë atë territor ku banonin shqiptarët meqë më herët serbët banonin vetëm në Pashallukun e Beogradit, ku po ashtu kishte shqiptarë akoma më herët.

Për shqiptarët atëherë u dëshmua se pushtuesi i ri serb ishte edhe më i egër e më barbar sesa pushtuesi i vjetër otoman sepse kryente pastrim etnik. Pushtuesi i vjetër otoman së paku nuk i dëbonte shqiptarët nga tokat ku banonin. Po ashtu as nuk kryente terror në shkallë ashtu të lartë e gjenocid. Egërsia e Serbisë me barbaritë dhe terrorin e saj arrinte deri në shkallë të gjenocidit ndaj shqiptarëve autokton. Kjo strategji e Serbisë e gjenocidit dhe dëbimit të shqiptarëve autokton nëpërmjet gjenocidit ka vazhduar gjithnjë edhe në të gjitha luftërat e më vonshme në Ballkan, (Dr. Mijo Milas: Gjenocidi i parë në Evropë është gjenocidi që Serbia gjatë vitëve 1912-1913 ka krye ndaj shqiptarëve”) dhe mandej në luftërat botërore. Autoktonia e shqiptarëve është halë në sy të Serbisë dhe po t´ia përmendni Serbisë autoktoninë e shqiptarëve është sikur t´i tregosh djallit kryqin.

Kështu Serbia ka arritur deri te kufirit e sotëm me Kosovën. Kurse tani, në mungesë të luftës ku tradicionalisht ka krye gjenocid ndaj shqiptarëve dhe dëbim nga territoret ku banonin shqiptarët autokton e njëherit zgjerim të vendit, Serbia përpiqet që nëpërmjet të asociacionit të shkëput një pjesë të Kosovës (disociacion) dhe të ia bashkëngjit më vonë Serbisë (anekson). Serbia kërkon territorializim (kufij) për pakicën etnike serbe – jo të drejta etnike sepse ato i kanë. Serbia botërisht flet për asociacion, por në fakt thellësisht dhe shpirtërisht e politikisht mendon për disociacion që të arrijë në ri okupim dhe në aneksion!

Edhe kur pakicës etnike serbe në Kosovë u garantohen ndërkombëtarisht të gjitha të drejtat në bazë të LNDLNj, Serbia megjithatë është e pakënaqur; edhe kur pakicës etnike serbe u garantohen të drejta shtesë si pakicë etnike në formë të “diskriminim pozitiv”, Serbia prapë mbetët e pakënaqur; madje edhe sikur anëtaret e pakicës etnike serbe në Kosovë të shpallën mbret e mbretëresha dhe princa e princeza në Kosovë – Serbia gjithnjë do të është e pakënaqur sepse Serbia kërkon territore. Ajo kërkon vetëm territore, territore, territore, ...e përkufizime territoriale -- qoftë edhe nën maskën e asociacioneve. E, atëherë Serbia do të është e kënaqur! Por edhe atëherë jo e kënaqur përgjithmonë, por aq gjatë dhe vetëm deri te herët e ardhshme tjera e territore akoma më të reja.

Në Kosovën e pavarur, “Asociacioni i komunave me shumicë serbe” ka karakteristikë të veçantë krahasuar me asociacione të tilla në botë. Këtu palët gjatë historisë nuk janë kombe e shtete mike në të dy anët e kufirit të përbashkët, sic janë tradicionalisht rastet e tilla në botë. Ky është rast i jashtëzakonshëm. Këtu bëhet fjalë për asociacion të pakicës etnike serbe kombi amë i të cilës, të ardhur fillimisht nga Karpatet, mandej që nga koha e “Pashallëkut Beogradit” e këndej ka krye shumë herë gjenocid periodik e suksesiv më gjatë se një shekull mbi shqiptarët autokton që i ka takuar në ato toka. Rast i pakrahasueshëm në botë. Ky është fakti tragjik konfidencial më karakteristik, e më specifik dhe më senzitiv i këtij asociacioni për të cilin serbët kanë pretendime ta krijojnë.

Prandaj lidhur me asociacionin, për të cilin ka folur ambasadori i USA në Kosovë zt. Jeffrey M. Hovenier, mandej Kryeministri Albin Kurti si dhe përfaqësuesë tjerë nga shteti mik SHBA, Escobar, mandej edhe Derek Chollet, Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA dhe faktorë tjerë ndërkombëtarë paraqitet rreziku i madh që nëpër mjet asociacionit të vijë deri te disociacioni dhe shkëputje e një pjese të territorit të Kosovës për të iu bashkangjitur më vonë Serbisë (aneksion), që është metoda hegjemoniste serbe e ”dyerve të vogla”, preteksti, mashtrimi, brengu, plani, lufta, ëndrra dhe shpresa më e madhe e Vuciqit (metodë e re kjo me të cilën Vuçiqi aspiron ta tejkalon, sipas tij, “Milosheviqin e mirë, por që kishte metodë të keqe”) si dhe e Serbisë deri tani; apo, në rastin tjetër, që të ketë një minisërbi brenda shtetit të Kosovës si një tjetër Republika Srbska që e pengon funksionalizimin e shtetit ose e kërcënon vetë ekzistencën e tij.

Por, momenti i njohjes dhe pranimit të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, si hap i parë, do të ishte vendimtar dhe fundi i ëndrrës disociative dhe aneksioniste të Serbisë dhe sjellë situatë dhe veprime logjike në hapin tjetër, edhe për diskutim për asociacionin brenda kornizës kushtetuese dhe ligjeve të Kosovës nëse, pas të gjitha analizave dhe argumenteve si dhe interferencave nga jashtë me miq tanë ndërkombëtarët, mbi peshon arsyesh mëria dhe nevoja për asociacion të tillë të komunave me shumicë serbe, ( gjithsesi pa kompetenca ekzekutive), për çka ka dyshime të argumentuara për nevojën për një asociacion të tillë, kur merret parasysh edhe fakti i “diskriminimit pozitiv”, tanimë ekzistues dhe favorizues për pakicën etnike serbe në shtetin e Kosovës i cili i plotëson dhe i tejkalon të gjitha ligjet dhe format për të drejtat e pakicave etnike. Prandaj këtu nuk janë në pyetje të drejtat e pakicës etnike serbe në Kosovë, por pretendimi dhe synimi i Serbisë për shkëputje të këtij territori më vonë.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat