Lutje për Dardaninë

Opinione

Lutje për Dardaninë

Nga: Ramazan Bekteshi Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 07:30
Ramazan Bekteshi

O lutjet e mia, sonata drithëruese, tinguj alegro që rrokulliseni poshtë timpanit tim, duke pushtuar mendjen time, përplasur në mërgim. O hir i ynë, ma paqëso shpirtin tim të shqetësuar për atdhe. Prano 101 lutjet e mia për Dardaninë, lutje nevoje, lutje dëshpërimi, lutje shpirti, dhe lutje kushtrimi!

Zoti ynë, nuri i qiejve dhe tokës, sot kam ardhur te Ti të lutem shqip për hallin e popullit tim, për politikanët që vazhdimisht na lëndojnë, me mendime të mangëta dhe vepra të liga, Ty të lyp mëshirën edhe për ata. O Zot, për lavdinë e emrit tënd, e shpëto Dardaninë nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm, nga aleancat e fshehta e të frikshme. Jepu dardanëve fuqi të bashkohen në finalen e madhe. Të falënderojmë o zot, që na bekove me dy shtete shqiptare, fal Amerikës.

O Zot i shtatë yjeve, të lus të bekosh ushtrinë tonë, policinë tonë vigjilente, që kalon nëpër situata dramatike në veri, e sulmuar nga grupe të krimit të organizuar, të përkrahura edhe nga Moska e Beogradi. Policinë tonë sypatrembur që lufton krimin, që zbulon plantacione substancash të ndaluara, zbulon ‘miniera’ të kripto-monedhave, që pamëshirshëm e vjedhin energjinë tonë të pakët elektrike që nga 2010-ta.

Zot i plotfuqishëm, mbret i qiellit, i mëshiro edhe shpirtrat e mëkatarëve, atyre që nënshkruan tradhtinë e madhe, ‘Zajenicën’, dhe përkrahësit e tyre që s’e kanë ndërruar mendjen edhe sot e kësaj dite, “pendohuni sepse mbretëria e qiejve është afër”!

Ati ynë, i mëshiro edhe ata, mendjelehtët, që u mashtruan me liberalizim vizash dhe falën tokën e shenjtë Dardane në kohë paqe. I mëshiro edhe Grenellistët, ata që humbën çantën e dialogut në Bruksel, ata që venin thika mbi harta, dhe ata që u mbytën në Ujman.

Zoti ynë, nuri i qiejve dhe tokës, po të lutem me përvujtëri, i dekurajo, dhe ua pastro mendjet e mjegulluara, atyre që Escobar-i i quan “Alternativë”, me përkrahjen e të cilëve planifikon të jetësojë edhe një Republikë serbe në Dardani.

Mëshiruesi ynë, të lutem për lirinë e luftëtarëve tanë, që mbahen padrejtësisht nga një gjykatë e padrejtë, në Hagë, një gjykatë, që çuditërisht e votuan dhe e nënshkruan me dorën e vet, (ata që presin drejtësinë) duke mos dashur tua prishin ndërkombëtarëve, atyre, që shpeshherë janë në anën e agresorit.

O Perëndi, froni i hirit dhe mëshirës, largoja mjegullat nga koka Kryeministrit shqiptar, pastroja atë shpirt të mbushur plot demonë, udhëzoje të dashuroj vëllain e jo armikun, drejtoje udhës mbarë, “shpëtoje” nga aferat me spiunë rusë, duke e lënduar Shqipërinë e Dardaninë, për miqtë e tij serb e rusë.

O Zot i qiejve, mbroje kushtetutën e Kosovës e cila e përcakton vendin tonë si Republikë laike dhe neutrale në çështje të besimeve fetare. Ruaje Republikën tonë nga fanatikët fetarë, ata që shiten dhe vriten për kauza të huaja, por jo për Kosovë e Shqipëri. Pastroji krerët, shtova dashurinë për gjuhë, komb e vatan, ruaje tolerancën fetare e vëllazërore, i ruaj kufijtë e Kosovës sovrane, të pandryshueshëm e të pacenueshëm e pa asociacion mono-etnik.

O Zot i Lindjes dhe Perëndimit, o At i ynë i shenjtë të lutem fort, ta udhëzosh Vatikanin, edhe pse natë e ditë predikon paqe dhe dashuri, por as pas 24 vitesh, atë që predikon nuk e solli edhe në Dardani, kjo tokë që i fali krishterimit aq shumë.

O Allah i madhërishëm, drejtoje në udhë të mbarë edhe Ligën Arabe që edhe pas 24 vitesh shumica e këtyre shteteve s’e njohën pavarësinë tonë, bilës, disa nga këto kanë miqësi të afërte me hasmin tanë. Kosova, s’do të duhej të joshej me investime për faltore në këmbim të indoktrinimit me kultura, filozofi dhe sektarizma jo shqiptare. Besimi është personal, dhe duhet te mbrohet liria e tij, por assesi të lejohet të sundoj besimi shtetin.

O zot i shtatë qiejve, të lutem edhe për “Botën e shtatë”, për gazetarët tanë, për ata që kanë dalë nga rruga dhe etika e një gazetarie të drejtë e të paanshme, ato TV studio që për mision e kanë propagandën dhe jo informimin e drejtë, si dhe nxitjen e armiqësisë ndër vëllazërore, në vend të pajtimit, te frikshme i kanë financimet disa prej tyre.

O hiri ynë, të lutem zgjoje nga gjumi akademinë tonë përtace, akademinë shterpe, që sundohet nga një grup që supozohet të jetë ‘ndërgjegjja’ e kombit, një akademi pa vizion, e rraskapitur nga dembellëku.

O zot i qiejve, e beko universitetin tonë që këto ditë festoi ditëlindjen e 53-të, e që ishte një tempull i dritës dhe emancipimit, por sot e kanë sjell buzë greminës, me hiper-prodhim e pa kriter, dhe me një renditje poshtëruese.

O Zot, i vetmi dhe i përjetshmi, me përulësi të lus, të vesh duart tuaja mbi trupin e Kosovës dhe Shqipërisë për shërim e pajtim, le të na udhëheqin liderët me zemra të ngrohta e mendje të ndritura, ata që e nderojnë dhe s’e abuzojnë emrin e shenjtë të shtetit e të lirisë. Jepi Albinit dhe Vjosës hir dhe kurajë që të na udhëheqin rrugës së shpresës dhe finales së madhe.

O shpëtimtari ynë, dhe më në fund fare, pas kësaj stuhie të furishme mendimesh për lutje, që u mbështollën ne kokën time sa kohë, fale edhe shpirtin tim, që shpesh ankohet edhe me vonesën Tënde, në këto kohë të mjegulluara, sepse tani më s’e di se ç’ jam duke shkruar, një lutje apo një mallkim, një elegji apo një alegori për injorancën e politikanëve të vendit tim dhe kakofoninë e tyre “ad hominem”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat