Mendësia e çmendur e pseudo politikanëve dhe e pseudo analistëve në Kosovë!

Opinione

Mendësia e çmendur e pseudo politikanëve dhe e pseudo analistëve në Kosovë!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 3 mars 2023 Në ora: 16:49
Ismail Muçiqi.

Opinioni i gjerë në Kosovë ka kohë që është duke u përballur me një çmenduri të politikanëve, të pseudo analistëve dhe të një numëri të deputetëve të cilëve u mungon kultura elementare politike për t’i përfaqësuar qytetarët. Kjo më së miri po shihet dhe po vërtetohet këto ditë në rastin e planit franko gjerman i cili ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Shtetit të Kosovës dhe serbisë. Janë ngritë në këmbë duke llomotitur ata individ, përfaqësues të shtetit të Kosovës të cilët në vitin 2013 e nënshkruan në Bruksel asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Tani “lot krokodili” po derdhin edhe disa anëtarë të delegacionit që morën pjesë vite me radhë në dialogun me serbinë, qysh kur ishte krye diplomatja Eshten dhe më vonë Mogerini.

Mjerë një popull të cilit që nga mëngjesi e deri në mbrëmje i servohen temat politike të pakufishme. Po të kishte fare pak moral në politikë deputetët e opozitës të cilët u takojnë partive që udhëhiqen me dialogun dhe e dëmtuan Kosovën në të gjitha çështjet në raport me serbinë do të duhej që të skuqen dhe të turpërohen para qytetarëve duke kërkuar falje për gabimet dhe dështimet e tyre. E dëgjova Edita Tahirin duke argëtuar para ekranit televiziv me akuza më të ndryshme ndaj Albin Kurtit rreth dialogut të fundit me Vuçiqin. Shtrohet pyetja? A është kjo Edita Tahiri: ajo e cila ia solli Kosovës fusnotën?, duke ja lidhur duart dhe këmbët proceseve të integrimit të shtetit tonë në mekanizmat ndërkombëtarë. Kjo mendësi e botëkuptimit primitivë është duke i sjellur dëme shqiptarëve gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë.

Plani franko gjerman është projekt i fuqive të mëdha i SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë dhe i përkrahur nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian. Gjithmonë gjatë historisë fuqitë e mëdha kanë vendosur për fatin e popujve të vegjël. Andaj cili është ai shqiptar që nuk dëshiron që Kosova të bëhet shtet normal me sovranitet të plotë të barabartë me shtetet tjera të botës demokratike. Platformat që po i përmend Edita Tahiri nuk qojnë fare peshë në raport me situatën gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Bashkimit Evropian dhe të aleancës së NATO-së e cila është garantuese e sigurisë. Është turp dhe mjerim për kohën kur qytetarët e Kosovës po malltretohen, po bombardohen me lajme dhe tema më të ndryshme politike me plotë parashikime të pasakta dhe analiza të dështuara duke fajësuar rivalët politikë vetëm e vetëm për interesa personale, partiake të cilat shpërthejnë nga urrejtjet më të vrazhda me plotë patologji.

Askush në këto kohë të vështira nuk po mirët me problemin e ikjes dhe largimit të pjesës më vitale të popullit (të rinisë) e cila po largohet nga Kosova. Për ditë dëgjojmë se nataliteti në Kosovë ka ra dukshëm, se numri i nxënësve nëpër shkolla është gjithnjë e më i vogël. Se në shumë fshatra po mbyllen shkollat e shumë e shumë probleme tjera të cilat i ka vendi. Shtrohet pyetja? Kujt i duhet Kosova pa rini dhe pa njerëz?!. Këto janë problemet që duhet të merret politika dhe institucionet e shtetit e jo kush është tradhtar e kush patriot.

Folklorizmi me ndjenja të rrejshme patetike shqiptarët i ka përçarë gjatë historisë. Andaj askush më nuk ka të drejtë që këtë popull ta shantazhojë për interesa çfarëdo qofshin ato. Është momenti që klasa intelektuale të zgjohet nga gjumi dhe të aktivizohet në mënyrë që fati i qytetarëve dhe i shtetit të Kosovës mos të mbetet në duart e këtyre matrapazëve të padijshëm dhe të pa denjë qe tani politikën e kanë shndërruar në hajpak. Në fund po theksojmë se problemet dhe raportet me serbinë mund të zgjidhen vetëm atëherë kur shteti i Kosovës forcohet në të gjitha aspektet ekonomike dhe ushtarake dhe arrinë të bëhet rival i denjë në raport kundër hegjemonizmit serbomadh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat