Përballja me të kaluarën, “Vergangenheitsbewältigung”, ishte një vlerë dhe guxim i madh njerëzor i kombit gjerman!

Opinione

Përballja me të kaluarën, “Vergangenheitsbewältigung”, ishte një vlerë dhe guxim i madh njerëzor i kombit gjerman!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 6 mars 2023 Në ora: 12:38
Rexhep Elezaj

Përballja me të kaluarën sipas kuptimit të etimologjisë në gjuhën gjermane, “Vergangenheitsbewältigung”, është një shprehje e vjetruar, por gjithnjë e diskutueshme në diskursin publik, se si populli gjerman është ballafaquar me të kaluarën e tij tragji-komike në shekullin 20-të, veçanërisht në trajtimin e pasojave të nacional-socializmit, si një argument kritik dhe psikologjik i përballimit me një pjesë të ngarkuar të historisë së re me probleme specifike.

Përballja me të kaluarën në gjenezën e tij në gjuhën gjermane, “Vergangenheitsbewältigung”, është një shprehje me të cilën përshkruhen proceset e denazifikimit në letërsinë, shoqërinë si dhe kulturën gjermane pas vitit 1945. Pra, fjalori gjerman e përkufizon Ballafaqimin me të kaluarën, si debat publik brenda një vendi për një periudhë problematike të historisë së re në Gjermani, në veçanti rreth “nacional-socializmit", ku si një çështje "problematike" i është referuar ngjarjeve traumatike që ngritën pyetje të ndjeshme për fajin kolektiv të një populli.

Siç dihet, nazistët promovuan idenë e një kombi të pastër dhe të madh gjerman, duke dashur të zgjerohen në zonat ku gjermanët etnik ishin vendosur më herët në histori. Ata e pushtuan dhe kontrolluan pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke shkaktuar dhunë dhe krime ndaj grupeve të ndryshme sllave, hebrenjve, komunistëve, robërve të luftës, etj., me motivin se populli gjerman (Volksdeutschen) duhet t’i përgjigjet përpjekjes naziste për t’i kthyer tokat lindore ku jetonin gjermanët etnik.

Në Gjermani fillimisht shprehja, Përballje me të kaluarën, i referohej zemërimit dhe pendimit për krimet e luftës të bëra nga forcat e armatosura të Rajhut gjerman, nga 1921 deri në 1945, pra për Holokaustin si dhe ngjarjet e ngjashme në fillim dhe në mes të shekullit të 20-të, duke përfshirë Luftën e Dytë Botërore, gjithnjë në kërkim të identitetit të ri gjerman, dhe kjo fjalë e përbërë i referohej procesit psikologjik të denazifikimit.

Pas ribashkimit në vitin 1990 të ish-Republikës Demokratike gjermane me Republikën Federale të Gjermanisë, si dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik me 1991, Ballafaqimi me të kaluarën i referohej edhe ballafaqimit me komunizmin gjermano-lindor.

Cili ishte zhvillimi historik i këtij procesi?

Përballja e gjermanëve me të kaluarën nënkuptonte përpjekjen për ta analizuar dhe trajtuar atë nga këndi human dhe objektiv, veçanërisht Holokaustin, për të mësuar se si duhej të ballafaqohej me historinë e vetë, dhe se fokusi i të mësuarit ishte në harmoni me vërejtjet e shpeshta të filozofit, George Santayana, se "disa që e harrojnë të kaluarën, për dreq, ajo u përsëritët"..!?

Madje, edhe termi i përdorur gjithashtu në anglisht, e i sajuar në Gjermaninë perëndimore pas vitit 1945, i referohet në mënyrë specifike mizorive të kryera nga nazistët, por edhe shqetësimeve historike bashkëkohore lidhur me shkallën e gjerë me të cilën Nazizmi komprometoi shumë kultura, së pari atë gjermane, duke i kooptuar në atë sistem edhe institucionet fetare dhe politike.

Prandaj, ky term ndërlidhet drejtpërdrejtë me përgjegjësinë konkrete të popullit gjerman, meqë rast Gjermania perëndimore i mori përsipër detyrimet (dëmet) ligjore të Rajhut, si dhe përgjegjësinë e gjermanëve si individë për gjithë atë që ndodhi "nën diktatin e Hitlerit", por duke shtruar njëkohësisht pyetjet rreth legjitimitetit të nazizmit në një shoqëri ku iluminizmi u shemb përballë ideologjisë naziste.

Pas denazifikimit:

Historikisht, Ballafaqimi me të kaluarën është parë si "hapi tjetër" logjik pas denazifikimit, ashtu sikurse edhe nën pushtimin e aleatëve (Alliierten Besatzung), por njëjtë edhe nga qeveria e CDU-së e Konrad Adenauerit, proces i cili filloi në fund të viteve 1950-ta dhe në fillim të 1960-tave. Kështu që pasi u zëvendësuan institucionet dhe strukturat e pushtetit të nacional-socializmit, qëllimi i gjermanëve liberalë ishte të pajtoheshin me fajin e historisë së re gjermane, ngase Ballafaqimi me të kaluarën karakterizohej si mësim nga e kaluara, duke pranuar sinqerisht se një e kaluar e tillë ekzistonte në të vërtetë, si dhe duke bërë përpjekje që t’i korrigjonin gabimet e bëra sa më shumë që të jetë e mundur, por edhe përpjekjet që të largohen sa më shpejtë nga ajo e kaluar e zymtë.

Roli kishave:

Kishat gjermane ishin me numër pakicë, por ato luajtën rol të rëndësishëm në rezistencën kundër nacional-socializmit, duke bërë veprime kyçe në këtë proces. Në veçanti ato zhvilluan një teologji unike gjermane “te të penduarit”, ku për shembull, Kirchentagu Lutherian dhe Katoliken-Tag e kanë përhapur kundërshtinë anti-naziste si lajtmotiv i të rinjve të krishterë nëpër mitingjet e rregullta dhe masive të kishës.

Ballafaqimi me të kaluarën është shprehur në shoqërinë gjermane edhe përmes shkollave të saj, ku në shumicën e landeve programi mësimor ishte i autorizuar nga shteti, i cili i ofronte çdo fëmije nga klasa e pestë mësime të përsëritura mbi aspektet e ndryshme të nazizmit në orët e historisë, politikës si dhe fesë.

Edhe udhëtimet shkollore dhe ekskursionet me nxënës destinacion kishin kampet e përqendrimit, ndërsa të mbijetuarit hebrenj të Holokaustit shpeshherë ftoheshin në shkolla si ligjërues, megjithëse me kalimin e kohës këto veprime zbeheshin, ngase brezi i tyre po plakej.

Në filozofi:

Ndërsa filozofi gjerman i sociologjisë, Theodor Adorno, mbante leksione, se "çfarë do të thotë të ballafaqohesh me të kaluarën, dhe se “çfarë nënkupton fakti të pajtohemi me të kaluarën", një temë kjo që ndërlidhej me të menduarit e tij ndaj “Aushvicit". Ai, mbajti leksion me 9 nëntor 1959 në një konferencë pedagogjike në Wiesbaden, në kohën e një vale të re sulmesh anti-semite, ndaj sinagogave dhe institucioneve të komunitetit hebre në Gjermaninë perëndimore. Madje, Adorno e hedh poshtë frazën, "Riparimi i së kaluarës", si mashtruese dhe këtë e argumentoi duke thënë, se kjo frazë e maskonte mohimin e Holokaustit, në vend se të nxiste llojin e vetë-reflektimit kritik, ashtu siç e kërkonte teoria Frojdiane për të "arritur marrëveshje” me të shkuarën..!

Leksioni i Adorno-s shihej edhe si kritikë eksplicite ndaj punës së Martin Heideggerit, ku lidhjet formale të tij me NSDAP (Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei), (Partia e punës nacional-socialiste-gjermane) ishin të njohura. Heidegger, përveç rolit të tij si anëtar i Partisë Naziste, u përpoq të ofronte një koncept historik për Gjermaninë, si një nocion filozofik i origjinës dhe fatit gjerman, i cili më vonë do fliste për "Perëndimin" si nocion problematik.

Në sferën kulturore:

Në sferën kulturore, Ballafaqimi me të kaluarën lidhej me prirjet krijuese në letërsinë gjermane, autorë të njohur të së cilës janë, Günter Grass dhe Siegfried Lenz, ndërsa romani i Lenz-it, “Mësimi gjerman dhe trilogjia “Danzig” e Grassit, që të dyja këto flasin për fëmijërinë e tyre nën nacional-socializmin. Madje, se ngritja e memorialeve publike për viktimat e Holokaustit është një kujtesë e dhimbshme, dhe se si Gjermania u pajtua me të kaluarën. Kampet e përqendrimit si Dachau, Buchenwald, Bergen-Belsen dhe Flossenbürg, janë gjithnjë të hapura për vizitorët, ku shumica e qyteteve mbajnë pllaka në mure që shënojnë vendet ku kanë ndodhë mizoritë tragjike nga nazistët.

Kur selia e qeverisë gjermane u zhvendos nga Boni në Berlin në vitin 1999, ishte planifikuar ngritja e "Memorialit të Holokaustit", si pjesë e re e administratës shtetërore në distriktin Berlin-Mitte, i projektuar nga arkitekti Peter Eisenman i cili u hap me 10 maj 2005. Emri i këtij memoriali, “Memorial i Holokaustit”, është domethënës dhe nuk është e lehtë të përkthehet, "Kenotaf i Holokaustit", që ka kuptim, por ajo që dallohet në këtë memorial mbart kuptimin e "këshillimit, apelit, ose "paralajmërim" të kujtueses nga e kaluara, etj.

Kjo vepër e ngritur në Berlin njihet si “Përkujtim i hebrenjve të vrarë të Evropës”, për çfarë ka pasur edhe polemika, pikërisht për shkak e këtij emri si dhe theksit të tij ekskluziv vetëm ndaj viktimave hebreje. Dhe, siç e ka pranuar Eisenman në ceremoninë e hapjes kur tha se, “Është e qartë se nuk do t'i kemi zgjidhur të gjitha problemet - arkitektura nuk është ilaç për të keqen - as nuk do t'i kënaqim të gjithë të pranishmit sot, por ky nuk mund të ketë qenë qëllimi ynë." !

Krejt në fund dhe jo përfundimisht, shtrohet pyetja e domosdoshme; a do e merr guximin populli serb që të ballafaqohet ndonjëherë me të kaluarën e tij kriminale dhe gjenocidale, regjimet e të cilit vetëm në dekadën e fundit të shekullit 20-të, bënë krime monstruoze ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, duke vrarë dhe masakruar afër një milion njerëz të pafajshëm, për shkakun e vetëm se ata nuk ishin serbë, si dhe me synimin nazist për krijimin e Serbisë së madhe..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat