Të bojkotohen publikisht disa televizione të neveritshme në Kosovë!

Opinione

Të bojkotohen publikisht disa televizione të neveritshme në Kosovë!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 16 prill 2023 Në ora: 14:29
Ismail Muçiqi

Është një thënie e popullit: “Më i keq është shtisi (nxitësi) se bërësi!..” Jemi dëshmitar të temave dhe debateve nëpër televizionet tona të cilat me politikën redaktuese dhe editoriale janë duke i shkaktuar dëme shoqërisë kosovare. Mjerisht televizionet kanë marrë rolin e prokurorëve dhe gjyqtarëve e kjo po shihet përmes debateve më të ndryshme politike me plotë të pavërteta, debate banale pa asnjë vlerë duke e helmuar opinionin.

Televizionet private të cilat u themeluan shkel e shko!, pa struktura kadrovike të gazetarëve, ku u punësuan pa dije dhe integritet një numër i individëve të cilët janë jashtë rrjedhave dhe intelektit të gazetarisë. Ky soj i njerëzve që flasin në emër të informimit janë shndërruar në arenë të nxitjes, së urrejtjes ndërmjet njerëzve, duke i futur në konflikt edhe familjet nëpër vendbanimet e ndryshme të Kosovës.

Kjo dukuri është e pa tolerueshme dhe e papranueshme për qytetarët e këtij vendi. Më duhet tu kujtojë këtyre pseudo intelektualeve se gjatë aksionit gjithëpopullor për pajtimin e gjaqeve në vitin 1990 mjetet e informimit në Kosovë kanë qenë shtyllat kryesore që e kanë ndihmuar aksionin duke bërë emisione, kronika dhe reportazhe afirmative për ti bashkuar njerëzit në interes të shtetit dhe kombit. Ky ishte aksioni më historik i shekullit të kaluar të shqiptarëve të Kosovës. Kjo ishte arma më e fortë kundër armiqve të Shqiptarëve ku u pajtuan me qindra mija gjaqe dhe ngatërresa për hirë të kauzës së madhe (për shtetin). Tani pas 33 viteve dikush përmes mjeteve të dyshimta (private) të informimit po do me rikthye (vëllavrasje) duke i thirrur familjarët nga shtëpitë e tyre për tu kyçur në debatet nxitëse me përmbajtje konfliktuoze se kush kënd e ka torturuar (vra) apo dëmtuar gjatë luftës në Kosovë.

Kjo mënyrë nxitëse e informimit dhe komunikimit përmes ekraneve televizive paraqet rrezik për qërim hesapesh ndërmjet njerëzve dhe familjeve, me qëllim apo mosdijes profesionale. Kësaj dukurie është duke i paraprirë televizioni “Dukagjini” me emisionin: “Debat Plus” me Ermal Pandurin dhe televizioni “TV10” me Kushtrim Sadikun. Qytetarët e Kosovës ende jetojnë me traumat e luftës që ua shkaktoj serbia. Qytetarët kanë halle të veta duke u përballur me kriza ekonomike, me mungesë të mirëqenies sociale, me problemet shëndetësore, me papunësi e me padrejtësi kudo në jetën e përditshme. Andaj derisa organet kompetente: Komisioni i Mediave, Këshilli i Etikës dhe Rregullativa Ligjore për Mjetet e Informimit në Kosovë heshtin atëherë qytetarët duhet të reagojnë duke i bojkotuar këto mediume të cilat kanë kaluar çdo normë dhe kod në interes te informimit të qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat