Si ndërlidhen marrëdhëniet ndërkombëtare me jetën e përditshme të çdo njeriu?

Opinione

Si ndërlidhen marrëdhëniet ndërkombëtare me jetën e përditshme të çdo njeriu?

Nga: Nijazi Halili Më: 30 prill 2023 Në ora: 08:59
Nijazi Halili

Për shembull, duke filluar ndoshta me leximin e një gazete apo artikulli të caktuar, apo duke dëgjuar lajmet e mbrëmjes, mund të bëhemi të vetëdijshëm për ngjarjet ndërkombëtare që mund të duken shumë të largëta për nga ndikim në jetën tonë të përditshme. Por, në të vërtetë, këto ngjarje të tilla si: një shpërthim a sulm terrorist në ndonjë shtet të caktuar, një përleshje ndërkufitare në mes shteteve diku në botë (p.sh. në mes të Indisë dhe Pakistanit në zonën e Kashmirit), shpërthimi i një epidemie endemike, vdekja nga uria e njerëzve në ndonjë vend të varfër të Afrikës, takimi i shteteve më të fuqishme të botës (G-8) në Francë, luhatjet e forta në tregun valutor në Japoni, shkatërrimi i fushave të grurit në Kanada, zgjidhja e një konflikti në mënyrë paqësore, shpëtimi i jetës së disa njerëzve të pambrojtur, një akt solidar bamirësie, lindja e një organizate terroriste, etj, etj, mund të na duken si krejt të largëta dhe që nuk ndërlidhen me jetën tonë të përditshme.

Megjithëkëtë, këto ngjarje, në dukje të largëta, mund të bëhen me shpejtësi të ndërlidhura ngushtë mes tyre dhe shumë të rëndësishme për çdonjërin prej nesh e madje edhe për të gjithë. Pra, një ndryshim i lehtë i rrjedhës së lajmit menjëherë i transformon ato ngjarjet “kinse të largëta” në çështje shqetësimi të menjëhershëm. Ne për shembull, fillojmë të shqetësohemi se mos ndoshta do të pësojë krizë financiare vendi yne pasi që në botë sot ka një krizë të përgjithshme financiare, apo të shqetësohemi se ndoshta shpejtë do të kërcënohemi nga një virus epidemik apo nga një sulm terrorist i një grupi ekstremistësh. Këta janë vetëm disa shembuj të pakët, por që gjithsesi që tregojnë se sa të ndërlidhura janë veprimet në mes shteteve dhe sa e ndërvarur është jeta jonë e përditshme me gjithë çfarë ndodhë në politikën botërore. 

Duhet ta kemi të qartë se zakonisht zhvillime të tilla vijnë si rezultat i vendimeve që i marrin qeveritë e caktuara e jo qytetarët e zakonshëm. Sidoqoftë, këto veprimtari gjithnjë e më shumë priren të përfshijnë aktorë të ndryshëm, mbi disa prej të cilëve ju ndikoni në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kjo do të thotë se ju në mënyrë të pashmangshme mund të bëheni pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare madje edhe në qoftë se udhëtoni në një vend të huaj, blini  mallra të prodhuara jasht, apo punoni në një korporatë shumëkombëshe.

Mund të jeni anëtarë i një organizate jo-qeveritare si p.sh, Amnesty International, Gjysëmhëna e Kuqe apo Kryqi i Kuq, ku me bashkanëtarët tuaj anë e mbanë globit ju mund të përpiqeni të ndikoni si në agjendën lokale, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Qyteti ose shteti juaj mund të jetë duke u përpjekur në mënyrë aktive ti joshë investimete e huaja private në mënyrë që të përmirësohet mirëqenia socio-ekonomike e banorëve të atij qyteti apo shteti.  Marrëdhëniet ndërkombëtare në kohën tonë kanë marrë një zhvillim të paparashikuar. Kjo nuk lidhet aq shumë me dëshirën e njerëzimit për të ecur përpara sesa për nevojën egoiste për të patur çdo moment përmirësimin e kushteve të jetës dhe vetëkontrollin për të trajtuar qëniet njerëzore të varura nga nevoja për tu përmirësuar.
Mos të harrojmë se çdo shtet i madh apo i vogël në çdo vend të botës, me gjithë dëshirën e madhe për të bërë sa më shumë, madje më shumë nga sa i ka mundësitë, duhet të bashkëpunojë me shtetet e tjerë. Sigurisht që është më tepër e lehtë për t’u thënë sesa për tu bërë. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Çdo komb, çdo popull dhe çdo shtet ka mentalitetin e vet dhe qëllimet e veta. Shumë herë ndodhin raste kur dy njerëz nuk merren vesh njëri me tjetrin, mund të imagjinojmë se ç’mund të bëjnë dy shtete me miliona banorë.

Marrëdhëniet ndërkombëtare (MN), si fushë studimi në kuadër të shkencave politike, kanë të bëjnë me raportet midis qeverive të shteteve dhe me faktorët tjerë në politikën ndërkombëtare, si organizatat e ndryshme ndërqeveritare, joqeveritare, regjionale, globale por edhe me korporatat e shumta multinacionale. Këto përfshijnë një mori ndërmarrjesh dhe veprimtarish, mes vendesh dhe organizatash të ndryshme: siç janë diplomacia, marrëdhëniet ekonomike e tregtare, aleancat në fushën e sigurisë, pjesëmarrjen në organizatat ndërqeveritare, shkëmbimet kulturore e akademike dhe në shume fusha tjera.

Së brendshmi, hapësira e fushës së studimit të MN mund të përcaktohet nga dy nënfusha: Njëra ka të bëjë me çështjet e luftës dhe paqes apo fusha e sigurimit ndërkombëtar, kurse tjetra me studimin e anës politike të veprimtarive ekonomike apo ekonomia politike ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat