Sa herë Amerika e shpëtoi dhe e ndihmoi kombin shqiptar nga zhbërja fizike si dhe nga armiqtë e tij shekullor?

Opinione

Sa herë Amerika e shpëtoi dhe e ndihmoi kombin shqiptar nga zhbërja fizike si dhe nga armiqtë e tij shekullor?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 9 qershor 2023 Në ora: 14:27
Autori Rexhep Elezaj

Nuk ka asnjë dilemë, se kombi shqiptar, gjegjësisht Shqipëria dhe Kosova i determinohen moralisht dhe politikisht kombit dhe shtetit të madh amerikan, sidomos për shpëtimin e tyre nga zhbërja etnike dhe fizike, nisur nga fillimi i shekullit 20-të dhe deri me 10 qershor 1999, kur me ndihmën dhe përkrahjen e Amerikës, përveç se Kosova do të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga robëria e egër dhe qindra vjeçare serbe, mbase me bombat amerikane mbi Serbinë fashiste dhe gjenocidiale do të formohet shteti i dytë shqiptar në Ballkan, Republika e Kosovës, shtet i lirë, sovran dhe i pavarur.

Por, t’i shkojmë radhazi kësaj historie të ndritshme në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane;

Së pari, ishte presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson (1856 – 1924), njeriu i cili do ta shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi, kur në Konferencën e Paqes në Versajë (1919-1920) e kundërshtoi rreptë kompromisin “Anglo-franko-italian”, me të cilin Shkodra dhe Shqipëria e Veriut do viheshin nën pushtimin e mbretërisë Serbo-kroato-sllovene (SKS).

Pra, presidenti W. Willson ka qenë një mik i madh i shqiptarëve, i njohur për shprehjen e tij epike në Versajë; “Një votë kam edhe atë do t’ia jap Shqipërisë, sepse Shqipëria duhet të ekzistojë..” !

Së dyti; Gjatë sundimit të parë të presidentit Harry S. Truman (1884 – 1972), senatori pro grek, Papen, kishte bërë një rezolutë të cilën e plasoi në Kongresin amerikan përmes të cilës ai kërkonte që Korça, Gjirokastra dhe Saranda t`i jepeshin Greqisë, madje të cilën Senati e kishte votuar, por të cilën Rezolutë nuk e nënshkroi presidenti H. Truman, e cila nuk pati më asnjë vlerë për Greqinë, dhe për këtë shkak ajo kurrë nuk e shfuqizoi kurrë “Ligjin e luftës” ndaj Shqipërisë.

Së treti, ishte presidenti amerikan George H. W. Bush (1924 – 2018), ai i cili në prag të Krishtlindjeve në vitin 1992 i vendosi regjimit kriminal të S. Millosheviçit “Vijën e kuqe”, duke ia bërë të qartë, se Amerika kurrë nuk do e lejon një Bosnje të dytë me shqiptarët e Kosovës, gjë që kjo shqiptarëve u dha shpresë dhe forcë për jetë si dhe për luftën e tyre për liri dhe pavarësi.

Së katërti, intervenimi ushtarak i NATO-s me bomba kundër Serbisë, për shkak të gjenocidit të saj në Kosovë, i udhëhequr nga ushtria amerikane dhe i filluar me urdhër të presidentit Bill Clinton që do zgjasin 78 ditë ( 24 mars 1999 – 10 qershor 1999), përveç se ishte shpëtim i 2 milion shqiptarëve nga zhdukja e tyre fizike, ishte në fakt, çlirim i tyre nga pushtimi barbarë serbmadh 300 vjeçar, për më shumë, ishte një veprim që do çonte pa kthim në formimin e shtetit të dytë të pavarur shqiptar në Ballkan. Para se të jepte urdhër për bombardimin e Serbisë fashiste, presidenti Bill Clinton kishte deklaruar; “Dua që sa më parë edhe shqiptarët e Kosovës të jetojnë të lumtur me fëmijët dhe familjet e tyre si dhe të çlirohen nga pushtimi serb. Ata e meritojnë lirinë dhe pavarësinë”!

Së pesti, ishte vizita në Shqipëri në qershor të vitit 2007 e presidentit të SHBA-ve, George W. Bush, i cili në Tiranë tha troç; “Mjaftë është mjaftë, Kosova është e pavarur”, dhe kështu me radhë, ndihmë pas ndihme dhe siguri të plotë të shtetit dhe pavarësisë së Kosovës.

Pra, Kosova e sotme e pavarur dhe sovrane është fryt i vizionit të qartë pro-perëndimor të shqiptarëve në krye me presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugovën, është pikërisht një projekt i përbashkët me miqtë tanë amerikan, pa ndihmën e të cilëve kurrë nuk do të kishte një shtet të ri në Ballkan, e që quhet Republika e Kosovës.

Dhe në fund, por jo përfundimisht, kushdo që nuk i pranon këto fakte të gjalla në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në fakt është miop politik që nuk e njeh të vërtetën historike të miqësisë së shqiptarëve me popullin dhe shtetin amerikan. Dhe, kushdo që i kundërvihet këtij realiteti, ai e kërkon ripërsëritjen e historisë tragjike të Kosovës, e kërkon kthimin e saj në një skllavëri të re ruso-sllavo-ortodokse si dhe imponim të autoritarizmit të tij monist të tipit stalinist ruso-serbo-sllav..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat