Josep Borrell ndërmjetësues apo misionar i BE?

Opinione

Josep Borrell ndërmjetësues apo misionar i BE?

Nga: Prof. Dr. Zija Lleshi Më: 19 qershor 2023 Në ora: 20:10
Autori Prof. Dr. Zija Lleshi

Me sjelljet e veta Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi ka krijuar bindjen e përgjithshme se ai dëmton dhe është rrezik për demokracinë botërore. Vetë përzgjedhja e tij si emisar i BE në këtë dialog, në duetin Borrell - Lajcak, është kontradiktore si me ligjet statistikore e të probabilitetit ashtu edhe me ecurinë dhe frymën demokratike me të cilën duhet të udhëhiqet BE.

Bashkësia Evropiane, si bashkësi politike dhe organizëm politik ndërkombëtar (i përberë nga 28 shtete evropiane), shikuar në konceptimin matematikor përbëhet prej dy nënbashkësive matematikore jo të barabarta. Nënbashkësia matematikore e vogël dhe nënbashkësia matematikore e madhe. Nënbashkësia matematikore e vogël përbëhet nga pesë (5) elemente (shtete: Rumunia, Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Qipro, të cilat ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës), kurse nën bashkësia matematikore e madhe përbëhet nga 23 elemente, (shtete tjera të BE të cilat e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës). Përzgjedhja nga BE e Borrellit për anëtar të dytë të duetit si ndërmjetësues dhe emisar për dialogun Kosovë - Serbi nga po e njëjta nënbashkësi matematikore e vogël, nga e cila nënbashkësi edhe më herët tanimë ishte përcaktuar në atë duet antari tjetër, Mirosllav Lajcak, është në kundërshtim me ligjet elementare të probabilitetit dhe përmbysje e dhunëshme e tyre dhe e rastësisë. Kjo për faktin se në atë mënyrë përjashtohet nga konsiderata të jetë e barabartë dhe pjesë në përzgjedhje nënbashkësia e madhe, më shumë se katër (4) herë më e madhe se nën bashkësia e vogël, dhe me këtë diskriminohen shtetet tjera (23 të tilla) që i takojnë nenbashkësisë së madhe. Kështu jo vetëm që dëmtohet objektiviteti në përzgjedhje si dhe drejtësia e neutraliteti ndaj Kosovës dhe dialogut, por diskriminohet edhe vetë nën bashkësia e madhe 23 anëtarësh, e përjashtuar ashtu nga konsiderata e prezencës, statistikisht në favor të nën bashkësisë vogël pesë anëtarësh. Ky fakt nuk kërkon shumë logjikë të kuptohet se këtu është fjala ose për një moskujdesje katastrofale ose diçka e qëllimshme dhe mesazh i pa shkruar nga elementet e BE. Kështu dueti Borrell – Lajcak, janë përzgjedhur nga e njëjta nën bashkësi e vogël që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, sikur të ishte fjala për duet të këngës popullore apo zbavitëse, që dueti të mos ketë “disonacë të tingujve”.

Askush më mirë se vetë Borrelli nuk duhej ta kuptojë këtë “disonacë të tingujve” dhe këtë teori të lojës diplomatike. Respektivisht, Borrelli përpos që ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme i Spanjës, ai ka qenë edhe profesor i Universitetit të Madridit, në dy lëmenj shkencorë që kanë të bëjë, përpos tjerash, edhe me Statistikë dhe Probabilitet. Përzgjedhja e tij në dialog, në kundërshtim me të gjitha ligjet elementare të probabilitetit, sigurisht duhet ta ketë nxitur atë në përgjigje në shumë pyetje. Pse, bj. fj., pikërisht mua si ndërmjetësues? Pse të mos jetë dikush nga nënbashkësia e madhe kur nga nën bashkësia e vogël tanimë është një anëtar (Lajcaku)? Pse të dy anëtaret nga nën bashkësia e vogël? Pse nënbashkësia tjetër është edhe më e madhe edhe e diskriminuar?! Sa do të jem kredibil meqë të dy antarët ndërmjetësues vijmë nga nën bashkësia e vogël dhe nga shtetet që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës? Është ky ndonjë mesazh i pashkruar nga BE? Rastësi apo mesazh i qëllimshëm? Do të jem ndërmjetësues apo misionar me mesazh të caktuar e paraprak nga BE? -- Sigurisht, duhej të ketë gjykuar Borrell, se ky është një mesazh i pashkruar! Etj., Etj.. Dhe, përfundimi në gjykimin e tij duhet logjikisht të ketë dalë i qartë. Misioni si mesazh.

Borrelli është gjetur në ndikim të fuqishëm të dyfishët: nga Spanja dhe nga mesazhi i pashkruar i përzgjedhjes. Për më tepër edhe vetë dueti Borrelli – Lajcak kanë qenë paraprakisht të njohur për vizonin, bindjet personale dhe pre dispozicionin e tyre në përputhje të plot me ato të shteteve prej nga vijnë si ish ministra, pra, të shteteve që paraqesin bllokadë dhe refuzojnë të pranojnë pavarësinë e shtetit Kosovës.

Për duetin Borrell - Lajcak pa dyshim ka pasur rol në BE dhe ka ndikuar diplomacia e Francës. Interesi strategjik dhe gjeopolitik i Francës është që ajo të ketë ndikim në Ballkanin Perëndimor dhe kurrsesi të ketë ndikim BE apo NATO. Për të realizuar këtë qellim Franca është treguar e gatshme t´i ndihmojë Serbisë në hegjemoni në Ballkanin Perëndimor për t´u treguar si mik i Serbisë, e për të përdorur mandej Serbinë si xhandar francez në rajon dhe për të kontrolluar rajonin.

Edhe Miroslav Lajcaku, i Dërguari i Posaçëm i BE për Dialogun Kosovë-Serbi, si anëtar tjetër i duetit Borrell – Lajcak, si dy vëllezër ideor binjakë e komplementarë, ishte gjithnjë shumë aktiv në veprimtarinë e tij. Ai ka shkuar personalisht në veri dhe ka kontaktuar dhe ka biseduar me bandat kriminale serbe dhe është angazhuar të sensibilizojë Evropën e të kërcënojë Kosovën, për të bërë presion për krijimin e një asociacioni monoetnik në bazë të modelit të Republikës Srpska, që është përtej dhe shkel kushtetutën e Kosovës, sipas të cilës Kosova bazohet në principet e pakos së Ahtisaarit, e cila parasheh një Kosovë multietnike e qytetare si një shtet unitar, sovran, që ka integritetin e sovranitetin e vetë të plotë territorial, dhe që në themel dhe qëllimin e tij ka qytetarinë dhe jo etnitetin e popullatës.

Borrelli detyrën e tij misionare është duke e kryer rehatshëm me shumë seriozitet, përpikëri, përkushtim dhe besnikëri. Shteti prej nga është -- Spanja, duke mos e pranuar ende Kosovën si shtet të pavaraur, po e dëmton shumë Kosovën. Kështu Borrelli, nga perspektiva e trinomit Spanja, BE dhe Serbia, është akomomoduar shumë rehat dhe është konsekuent. Ashtu siç thotë populli: mirë me Hatën, mirë me Fatën, mirë me Latën ! Ndërkaq në fakt dueti Borrell-Lajcak duhej të kishin krejtësisht tjetër rol dhe objektivisht duhej të ishin lojal ndaj BE kurse neutral ndaj palëve negociuse.

Dihet nga trazirat edhe më të hershme të serbëve në veri të Kosovës se SHBA edhe BE bashkërisht kanë pasë dalur me deklaratën me të cilën u kanë kundërnë dhe demantuar vlerësimin e duetit Borell- Lajçak për ato ngjarje atëherë, me çka SHBA edhe BE me vendosshmëri të theksuar kanë shprehë frymën, idetë dhe parimet e demokracisë: “Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër, është e papranueshme”.

Prandaj i natyrshëm është reagimi i Këshilltarjës lokale e Bashkimit Evropian, (BE) Kati Schneeberger, e cila siç merret vesh nga burimet mediatike, e ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për qasjen ndaj Kosovës dhe e ka akuzuar Josep Borrellin se po përpiqet që të sanksionojë Kosovën ku ka pasur dhunë shumë të egër ndaj civilëve, ndaj gazetarëve dhe ku janë kidnapuar tre policë të Kosovës nga njësitë policore të Serbisë, kurse Serbinë e amniston edhe pse kryen krime jashtë territorit të Serbisë dhe ka kërkuar që Borrelli, nga detyra si Përfaqësues i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Siguri, të japë dorëheqjen menjëherë.

BE është një organizëm ndërkombëtar që gëzon një imazh dhe respekt të jashtëzakonshëm, është dritë, shpresë dhe dashuri për të gjithë paqedashësit e paqeruajtësit dhe prandaj pritet të rrezatojë drejtësi dhe objektivitet për të gjithë dhe të angazhohet për normalizim të raporteve Kosovë -Serbi, të ardhmen e tyre euro-atlantike si dhe ka obligim të pa evitueshëm dhe të pa diskutueshëm e përgjegjësi të vetë ndaj Evropës që të mbrojë imazhin, kredibilitetin dhe respektin që gëzon BE nga sfidat me të cilat ajo përballet dhe që e atakojnë.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat