Lista Serbe ftesë Ramës, për një vizitë në veriun e Kosovës!

Opinione

Lista Serbe ftesë Ramës, për një vizitë në veriun e Kosovës!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 11 gusht 2023 Në ora: 15:55
Sherif Ramabaja

Mjaftoi një intervistë e kryeministrit Rama, për një gazetë italiane, që Lista Serbe ta ftojë për vizitë në Veriun e Kosovës.

Për t´i sqaruar lexuesit duhet treguar edhe arsyen e ftesës: Kurti është paraqitur kokëfortë në relacion me Veriun e Kosovës, kishte deklaruar Rama.

Pastaj kishte thënë se nëse vazhdon tutje kështu, paraqitet rreziku që Veriu i Kosovës të kthehet në një Donbas të vogël.

Me publikimin e intervistës, Lista Serbe kishte organizuar takim të menjëhershme dhe doli me qëndrimin unanim:

Ne si komunitet serb në Veriun e Kosovës e falënderojmë kryeministrin Rama për korrektësinë e tij dhe interesin e vazhdueshëm të tij, për një zgjidhje të çështjes së komunitetit tonë në veri.

Vlerësimi i tij përshkruan realitetin e gjendjes në të cilën ndodhemi, prandaj ne kërkojmë që Prishtina ta ndaloi dhunën menjëherë ndaj nesh, në mënyrë që situata të mos eskaloi, duke dalë jashtë kontrollit.

 Këtë e kemi bërë me dije që nga fillimi, po Kurti me qëndrimin e tij, së pari me teneqet, e pastaj edhe me masat e tjera, ka dëshmuar se ai nuk është për një zgjidhje paqësore, por për luftë.

Këtë e ka thënë rregullisht edhe kryetari ynë Vuçiqi, Bërnabiç – ka, Dacic, Gjuric, Shesheli, Vulin, Baton Haxhiu dhe Klan Kosova, nëse nuk gabojmë edhe Dr. Shefqet Krasniqi.

Prandaj ne pa hamendje zotit Rama i dërgojmë ftesë, që ta vizitoi Veriun e Kosovës dhe të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen aktuale dhe realitetin.

Ne i premtojmë se do ta presim me të gjitha nderimet shtetërore dhe me të gjitha ushqimet më të mira që posedon populli serb, duke mos munguar edhe pija jonë origjinale Slivovica, por edhe djathë bio të gomaricave tona.

Zoti Rama është gjithherë i mirëseardhur në mesin e popullit tonë. I premtojmë  një pritje madhështore, e jo t´ia anulojmë takimin ashtu siç ia bëri Kurti.

Në mesin tonë para dy muajsh e kishim edhe zotin Grenell, prandaj një pritje të tillë të përzemërt, duke i njohur meritat e tij, do ta organizojmë edhe për zotin Rama.

Kryeministri Rama e ka dëshmuar veten se është një politikan bashkëkohor, duke e ftuar edhe popullin serb në plazhet e Shqipërisë. Sot me krenari dëshmojmë se pjesëtarët e popullit tonë e kanë pushtuar bregdetin shqiptar. Kjo dëshmohet edhe me muzikën serbe, që dëgjohet me kërshëri në bregdetin dhe në mesin e popullit shqiptar.

Marrëdhënie të tilla miqësore mes dy popujve tanë, kishim vetëm edhe në kohën e Esad Pashës, por nacionalistët shqiptar e vranë, vetëm që ne mos të bashkoheshim.

Me ardhjen e zotit Rama në krye të shtetit shqiptar, për fat të popujve tanë, ajo kohë po lulëzon sërish. Për këtë ne i jemi mirënjohës dhe lutemi që sa të jetë gjallë, të jetë gjithnjë i pari i Shqipërisë. Këtë e meritojnë popujt tanë. Këtë e meriton Serbia, populli serb, Ballkani dhe Evropa. Ne do t´i lutemi zotit tonë Sveti Sava, që të kujdeset për shëndetin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat