Pasqyra e zezë e shoqërisë jotolerante!

Opinione

Pasqyra e zezë e shoqërisë jotolerante!

Nga: Zejnullah Jakupi Më: 12 gusht 2023 Në ora: 13:04
Zejnullah Jakupi

Deklarata e Volterit, Pamleti i tij lidhur me Tolerancën u botua në vitin 1763 që i bënte thirrje njerëzimit për tolerancë, atëherë sikur edhe sot (shih ngjarjet në Prizren dhe gjithandej) ku nuk ka mirëkuptim për shfqjet kulturore, ku nuk ka mirëkuptim për mendim ndryshe, ku rrahen gazetarët pse raportojnë në mënyrë kritike. Në këtë kohë kritike duhet reflektim dhe luftë kundër fanatizmave dhe bestytnive shpërthyese. Është koha për ta lexuar Volterin, sërish!

Polemika e tij për tolerancën është është vendosur si memorial në shumë rrugë të Francës së bashku me lapsa dhe stilolapsa dhe është kthyer në një shkollë për ta lexuar dhe rilexuar. Volteri (1694-1778), në të vërtetë François-Marie Arouet, ishte një nga filozofët më me ndikim francez. Me veprat e tij arsyes dhe tolerancës, ai i hapi rrugën Revolucionit Francez. Ai konsiderohet si protagonisti më i rëndësishëm i iluminizmi evropian.

Nga ky pamflet kuptojmë se nuk na duhen as „diktaturat katolike“, por as „islami politik“. Nuk na duhet shndërrimi i fesë në tirani.

Një gazetar në Prizren, sikur në kohën e Volterit, kërkohet të dënohet në publik (po të kishin mundur do e kishin rrahur me një mijë kamxhik). Nesër do të bëhet fajtore një nxënëse për vullnetin e saj për arsimim, për të qenë e barabartë me burrin e saj, do kërcënohet me vdekje, do të detyrohet për martesë. Politikanët do të gjykojnë mendimin ndryshe, qeverisjen e kundërsharëve politikë si dikataturë, do tërkohet të rrëzohen nga pushteti edhe pse populli ju ka dhënë votën për të qeverisur me vota të lira dhe demokratike. Do të akuzohen dhe do të sillen në gjykata në emër të Zotit, në emër të turmave të urryera, që janë refuzimi i arsyes, në emër të „Ligjit të Perëndisë“ si zëvendësues i atij të njerëzve. Llogaritë politike do të bëhen nën petkun e dhembshurisë, ashtu do bëhen edhe dënimet mizore.

Krim, vrasje, thirrje për likujdim, për hakmarrje po konsumojmë nga "kronikat e zezë". Ky është një term i përdorur në gazetari për të përshkruar lajmet policore që përfshijnë ngjarje të dhunshme, kriminale, (vrasje, grabitje, aksidente të rënda, dhe ngjarje të tjera si, sulme terroriste, krim të organizuar që ndodhin në një qytet, në një klub nate, diskotekë, lagje, siç ndodhën kohët e fundit.

Duhet të mësohemi edhe me to. Shoqëria demokartike është në thelb „konfliktuoze“ dhe konfliktin e ka mekanizëm për amortizim. Nuk ka vend për perfeksionim. As shoqërinë nuk mund ta bësh „Një“, masë dirigjuese me telekomandë.

Edhe gazetaria e kohëve moderne udhëhiqet po nga ata faktorë që kërkon sensacionin, negativitetin, kërkon tema sensacionale, të pazakonshme dhe natyrisht faktorë dhune dhe klikimet rriten kur raportohet lidhur me krimin, vrasjet, e të cilat në ´endefekt´ bëhen prioritet për tu raportuar. Ky është realiteti global medial.

Jo vetëm tek ne, në arealin shqiptarë, por kudo tjetër, lajmet e kronikës së zezë ndikojnë te emocionet e audiencës. Media i përdor këto lloj lajmesh për të tërhequr vëmendjen e publikut, por gjithashtu ka debate rreth se sa i shëndetshëm është konsumimi i një sasi të madhe të lajmeve të tilla dhe se a duhet tu jepet hapësirë e stërmadhuar në media, sepse konsumimi i lajmeve të kronikës së zezë mund të kenë ndikim negativ në shoqëri. Lajmi është bërë mall, që shitet e blihet në tregun medial dhe shumë pak flitet për etikën e tij.

Nga raportimi tek thashethemet

Kur dikush e thotë për dikë një të pavërtetë në mënyrë të vetëdijshme, ai lajm, nuk është lajm, sepse nuk e ka as burimin e verifikuar, por është më shumë një thashetheme (këto i bëjnë zakonisht akterët politikë) që nuk kanë qenë fare në vendin e ngjarjes. Ata, shpifin dhe e dijnë se pohimi i tyre nuk është i vërtetë dhe pavarësisht asaj, ata e përhapin një thashetheme. Ata që e bëjnë këtë - quhen shpifës.

Kur dikush e shqipton – e thotë një paragjykim- do të thotë se ai vlerëson ose vendos vetvetiu- i jep të drejtë vetvetes të vlerësojë dikë, siç dëshiron ai. Nuk mund të ketë një mendim „masovik“ për shfaqjen në Prizren, sepse atëherë do jemi shoqëri diktatoriale. Atëherë ne nuk do të flasim dhe mendojmë me kokat tona, por masa do të fliste për ne. Në këtë rast, ai që e merr në dorë vlerësuesin- predikuesin special, ai quhet paragjykues. Për shembull: Në Debat Plus (TV-Dukagjini) Lirim Mehmetaj potencon se „kryeministri Albin Kurti është një ´mashtrues´“.

Një shpifje të tillë e kanë përsëritur me dhjetra herë edhe deputeti Abelard Tahiri, drejtuar kryeministrit Albin Kurti. Akuza të tilla i ka shqiptuar dhe po i shqipton vazhdimisht edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. Shpifjet e tilla në forma të thashethemeve janë bërë fiskulturë e përditshme „komunikimi“, të cilat i bënë çdo ditë spektri opozitar drejtuar qeverisë dhe kryeministrit. Tí thuash një kryeministri „mashtrues“ është baraz si ta quash hajn (gjermanisht: Betrüger) njëri i keq që vjedh paratë e klientëve në Bankatomat përmes metodës „skimming“, ose një njeri që t´i vjedh paratë në gjep, që të fyen para syve, ai që falsifikon dokumenet etj.

Kundër një pohimi të tillë pa qenë në gjendje, aty për aty, ta vërtetosh- duhet të jetë si baraz me një kërcënim- kanosje. Njëashtu duhet të ndalohet t´i themi dikujt tradhtar – do të duhej të ndalohet me dekret. Shqiptimi mund të bëhet vetëm gjatë ofrimit të fakteve në gjyq dhe jo ad hoc. Shprehja e tillë pa ofruar fakte për akuzën duhet të jetë vepër penale që do të duhej të bie në domenin e shpifjes dhe fyerjes. Në këtë rast, jashta gjyqit, nëse nuk vërtetohen, ato mbeten të pavërtetuara dhe klasifikohen si thashetheme, shpifje, denigrim i personalitetit të një personi juridk apo natyror.

Thënia më emblematike për thashethemet mund të shprehet me sa vijon: „Thashethemet shpiken nga njerëzit xheloz, smirëzi, shpërndahen nga budallenjët dhe besohen nga idiotët“.

Një thashetheme tipike nga kronikat policore- lidhur me vrasjet të fundit në Kosovë, u shqiptua këto ditë nga kryetari i AAK-së z. Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në Facebook (raportuar në RTK – shih Lajmet Qendrore të datës 10.08.2023), i cili akuzoi Qeverinë „për qasje të gabuar, e cila sipas tij është arsye e vrasjeve të shumëfishta të ditëve të fundit në vend“.

Me këtë z. Haradinaj ja apostrofon „dështimin“ Qeverisë së Albin Kurtit. Por duhet thënë se për çdo ngjarje kriminale nuk mund t´i hidhet faji kryeministrit Kurti. Sulmet verbale ndaj qeverisë Albin Kurtit (edhe pse kjo është deri tani qeverisja më e mirë) me një imazh pozitiv, nuk kanë të ndalur. As këtu nuk ka tolerancë politike.

Nuk kalon ditë pa patur „ankesa“, komunikata për shtyp, akuza nga opozita, për „afera korruptive“. Po ashtu, opozita e akuzon Qeverinë për „tradhti kombëtare“ (rasti i përgjimeve). Synimi është: ta paraqesin Qeverinë e Kosovës sa më dobët, të shthurrur, një qeveri jo stabile që nuk di të udhëheq me shtet, që dështimet, edhe të policisë, t´i faturohen Ministrisë së Brendshme dhe ministrit z. Xhelal Sveçla.

Lajmet që flasin për zënka private në lokale, kafene (lokale nate) ku shpesh po ndodhin vrasje, janë shqetësuese. Lajmet policore gjithnjë po bëhen temë e politikës ditore. Luftimi i krimit mbetet detyrë e policisë, por nayrisht duhet të ndihmohet nga qytetarët.

Kontrollimet në lokale të caktuara private (para policisë) duhet t´i bëjnë ata që janë pronarë të lokaleve, që bëjnë organizimin e koncerteve, ndejave etj., dhe të cilët duhet të mbahen përgjegjës nëse ndodhë ndonjë ngjarje e tillë. Ata duhet të japin përgjegjësi. Dhe, natyrisht gjithsesi duhet të ketë masa të shtuara të kontrollit të policisë rrugore dhe kontroll në lokale, të shpeshtuara.

Rastet e tilla, të vrasjeve, shpresohet që mos jenë të motivuara politikisht. Ato janë ngjarje që natyrisht ndodhin, si në çdo vend, pra edhe në Kosovë edhe pse Kosova e ka policinë më të mirën në rajon. Por, siç po duket, sulmet me maska janë sulme terroriste dhe duhet të luftohen sa më shpejtë dhe ashpër. Ka gjasë që dikush iu „gëzohet“ ngjarjeve e tilla, qoftë edhe ato në familje, që pastaj të bëhet „i brengosur“, për patur material për kritikë të përgjithshme ndaj institucioneve.

Ka gjithashtu tendenca që ngjarjet e tilla të bëhen publike në masmedia, të vijnë në prime time në lajme, edhe pse gazetaria policore (ajo e kronikave të zeza) është rubrikë lokale, por nuk përjashtohet mundësia që lajmet e tilla të vijnë edhe në Prime Time, siç edhe ndodhi me ngjarjet e fundit, të cilat u dhanë në të gjitha TV-të kombëtare si top temë.

Me ketë rast duhet tolerancë, të mos mundohemi të përfitojmë vëmendje për ngjarjet e tilla duke i dramatizuar ato përmes reagimit publik në konferenca për media, të cilat shpesh janë shumë të cekta e pa ndonjë përgatitje të detajuar dhe investigative.

Pavarësisht këtyre ngjarjeve që po ndodhin (kanë ndodhur edhe në qeveritë tjera më parë), qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të shtrëngojë masat dhe ta luftojë kriminin e organizuar në mënyrë që në vend të ketë sa më pak ngjarje skandaloze dhe vrasje trishtuese nëpër kafene e bare të natës.

Shqiptimet e dënimeve për dhunën fizike dhe verbale

Kohët e fundit ishim dëshmitarë të dryshimeve pozitive në fushën e gjyqësisë dhe shqiptimin e dënimeve në kohën rekord, ndaj kryesëve të veprave penale. Publiku i gjerë e përcolli Live shqiptimin e dënimit ndaj dy protestuesëve serbë nga veriu i Kosovës) të cilët u dënuan me 6 muaj burg, e që ju dha mundësia t´i zëvendësojnë duke e paguar kohën e burgimit me para në shumën prej 9 000 euro dhe natyrisht u dëbuan nga shteti i Kosovës.

Gjykime dhe shqiptim dënimesh u shqiptuan edhe ndaj mërgimtarëve dhe kërcënimeve të tyre verbale të bëra në rrjetet sociale.

Për këtë janë dënuar dy mërgimtarë me gjoba nga 2000 deri në 5000 euro se kanë fyer dhe kërcënuar deputeten aktuale të PDK-së, Ganimete Musliu dhe ish- Kryeministrin Abdullah Hotin e LDK-së. Natyrisht se këta mërgimtarë, dhe jo vetëm ata, duhet të përgjigjen për kërcënimet e tyre, që ta kuptojnë se ligji duhet rrespektuar. Fyerjet, shpifjet dhe kanosjet, duhet t´i pushojnë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, analistët politikë, gazetarët etj, siç ishin rastet e lartpërmendura, të cilat shprehje klasifikohen si shpifje.

Shpifja përfshin dhënien e informacionit të rreme, pa baza ose të padrejta për të dëmtuar reputacionin, nderin ose imazhin e kryeministrit dhe të Qeverisë. Shpifjet e tilla mund të shkaktojnë dëme serioze dhe ndikojnë në marrëdhëniet e njerëzve, opozitës dhe pozitës. Këto shpifje janë paetike dhe të papranueshme në një mjedis politik-demokratik dhe shoqëror. Shpifjet e tilla janë një akuzë e pa pasubstancuar, propagandë e qëllimshme për të dëmtuar qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti, e cila u përhap në këtë rast fillimisht përmes rrjeteve sociale dhe pastaj u citua në mediet klasike.

Rekomandimet përfund

Është e rëndësishme të kemi më shumë tolerancë politike fetare, ideologjike dhe të ndërgjegjësohemi për rrezikun që shpifjet, hasmëritë, kundershtitë paraqesin për reputacionin dhe besueshmërinë, dhe të ndalojmë përdorimin e tyre. Në një mjedis profesional, shoqëror, përhapja e shpifjeve, e mosdurimit të mendimit ndryshe mund të çojë në pasoja ligjore, ngatërresa, urrjetje politike, etnike, fetare, kulturore dhe humbje të besueshmërisë në vlera demokratike dhe shkakton nxitje të urrjetjes dhe të kanosjes ndaj një personi fizik, natyror apo edhe ndaj institucioneve të shtetit.

Për të parandaluar shpifjet dhe mosdurimet e tilla, religjioze, politike, etnike etj, dhe, për të ruajtur një mjedis të respektit dhe besueshmërisë, është e rëndësishme të bëhemi pjesë e një komunikimi tolerant, të ndershëm dhe të përdorim burime të besueshme për të konfirmuar informacionin para se ta ndajmë me të tjerët. Gjithashtu, nëse hasim në shpifje ose informacion të dyshimtë, është mirë të komunikojmë me burime të besueshme dhe faktike për të sqaruar situatën përpara se të vazhdojmë përhapjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat