Nga kush, dhe pse po shantazhohet opozita në Kosovë?

Opinione

Nga kush, dhe pse po shantazhohet opozita në Kosovë?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 16 gusht 2023 Në ora: 14:16
Rexhep Elezaj

Vetëm injorantët dhe qëllimkëqijtë nuk e dinë, apo bëhen sikur nuk e dinë, se nuk ka pluralizëm parlamentar dhe as sistem demokratik në botë i cili mund të funksionojë pa opozitë parlamentare, qoftë ajo e madhe apo e vogël në numër, siç është rasti me opozitën parlamentare në Kosovë, e cila është pjesë e pandarë e parlamentarizmit kosovar, dhe i cili po i mbushë 15 vite angazhim në ndërtimin e rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Pra, në çdo vend demokratik në Evropë dhe botë me sistem dhe rend demokratik parlamentar, ka opozitë, pa të cilën nuk mund të funksionojë asnjë parlament shtetëror, përndryshe nuk do quheshin vende demokratike, veçse moniste dhe diktatoriale, siç është sot Kina, Rusia dhe Koreja e veriut, ku siç dihet nuk ka opozitë dhe as demokraci njerëzore. Pra, janë vende ku me individin dhe popullin sundon një parti dhe një lider autokrat, në dorën e të cilit qëndron i tërë fati i një shteti dhe një populli.

Prandaj, linçuesit dhe sulmuesit e pacipë të cilët çdo ditë po gjuajnë gurë e dru mbi opozitën e Kosovës, duke e etiketuar si bashkëpunëtore të Serbisë, si opozitë të coftë dhe të dobët, e cila, gjoja po e minon rendin kushtetues të Kosovës, dhe si një opozitë antikombëtare në shërbim të Edi Ramës, që gjithnjë sipas tyre, është opozitë pro-serbe dhe në shërbim të Rusisë etj., në fakt këta janë bythë-lëpirësit e pushtetit aktual, të cilët për të mbetur në postet që kanë, ose për të përfituar nga pushteti ndonjë asht për ta lëpirë në errësirë, pa asnjë dyshim, janë antikombëtare, janë elementi më përçarës politik dhe më destruktiv sot në shoqërinë kosovare, të cilët gabimet dhe mossukseset vetanake po tentojnë t’ia veshin opozitës aktuale, LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, të cilat, sidomos LDK-ja, ka qenë dhe është parti institucionale dhe shtet-formuese e shtetit të Kosovës. Pra, edhe këto tri parti kanë dhënë kontribut të madh për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, të cilin nuk mund t’ua mohojë askush, pa marrë parasysh gabimet dhe keqpërdorimet e mundshme që ato i kanë bërë kur ishin në pushtet.

Kjo për faktin, sepse as nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë ndonjëherë në botë parti puro-nacionale, parti pa gabime dhe qind për qind (100%) të pastra nga korrupsioni ose arti ideale kombëtarisht. Andaj, si gjithkund në botë, pozitës në pushtet në Kosovë duhet t’i interesojë shumë më tepër që të ketë opozitë sa më të fortë, sa më aktive dhe sa më shumë kritikuese, e jo opozitë të heshtur si mumie dhe të pa gojë, ngase një e tillë do t’i jepte pozitës pushtet të pakufi që të bëjë gabime të shumta në udhëheqjen me shtetin, ku mjerisht, sipas veprimeve të partisë në pushtet, duket qartë se dëshira e saj e flakët është që të grindet sa më ashpër me opozitën, me qëllim për t’ia mbyllë gojën dhe ta pasivizojë sa më shumë që është e mundur, duke e harruar faktin, se nuk mund të ndërtosh kurrë shtet demokratik dhe ligjor, derisa tenton t’ia mbyllësh gojën opozitës përmes shantazheve dhe kritikave degraduese, posikur tri partitë aktuale opozitare të ishin pjesë e Kuvendit të Serbisë, e jo pjesë e shtet-formimit të Kosovës..!?

Kosova nuk e ka luksin të eksperimentojë me sisteme dhe rende të ndryshme politike dhe kushtetuese, prandaj kjo praktikë dhe mënyrë e të bërit politikë shtetërore dhe qeverisëse, duke tentuar shuarjen e opozitës përmes sulmeve agresive, etiketimeve të vrazhda si dhe vrasjen e çdo fjale dhe mendimi të lirë, etj., e gjithë kjo pa dyshim e çon Kosovën në monizëm dhe diktaturë, gjë të cilën nuk duhet lejuar që të ndodhë, pa marrë parasysh çmimin, sepse gjaku i derdhur i 13 mijë heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës, nuk është flijuar që të ndërtojmë sistem monist dhe autokrat në Kosovë, veçse shtet të lirë dhe demokratik, ku vlerat e demokracive perëndimore do jenë pjesë integrale e shoqërisë tonë, e cila historikisht dhe gjeografikisht e ka vendin në Evropën e bashkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat